Hapja e dosjeve/ Qeveria: MB, MM dhe SHISH të detyruar të dorëzojnë dosjet tek Autoriteti për Informim
Dosjet e bashkëpunëtorëve të regjimit komunist nuk do të jenë më një sekret i mbyllur në arkivat e institucioneve të sigurisë.
Qeveria ka miratuar një vendim, i cili detyron Ministrinë e Brendshme, atë të Mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ Shtetëror që t’i dorëzojnë Autoritetit për Informim të gjitha dosjet dhe materialet arkivore të krijuara nga ish-sigurimi i shtetit nga data 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.
Vendimi përbën hapin e parë konkret drejt hapjes së dosjeve, që do të identifikojnë bashkëpuntorët e ish-sigurimit të shtetit.
Në bazë të tij, institucionet shtetërore janë të detyruara të venë në dispozcion të Autoritetit për Informinimin të gjitha mjetet bartëse të të dhënave të krijuara nga ish-sigurimi, riprodhimet dhe kopjimet e tyre, si dhe mjetet ndihmëse që do të ndihmojnë Autoritetin për të bërë interpretimet e këtyre materialeve.
Po kështu, Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe SHISH janë të detyruara të dorëzojnë tek autoriteti i posaçëm për zbardhjen e dosjeve raportet e detajuara për të gjitha lëvizjet, ndryshimet, dëmtimet dhe humbjet që ka pësuar fondi i dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit nga data 2 korrik 1991 e deri më tani.
Sipas vendimit, këto institucione do të dorëzojnë edhe konstatimet, informacionet apo urdhërat e dhëna nga zyrtarët e shtetit pas korrikut të vitit 1991 që kanë lidhje me dosjet, për të zbardhur nëse ka patur prishje të qëllimshme të tyre.