HASAN ZYKO KAMBERI, GJYSHE RUBIA, OBAMA DHE TRUMP
Sadik Bejko
Hasan Zyko Kamberin, me të drejtë, e kujtuam sivjet në dimrin e ashpër që, sipas klimatologëve, ia gjen shokun para 149 vjetësh… Paraja dhe Trahanaja janë dy poezitë e paharruara të Hasanit të Starjes. Dhe shqiptarët, të varfër, e kujtuan më shumë për Trahananë.
Jo siç mund të mendohet, jo për paranë. Për paranë përfliten si shumë të fëlliqur ca politikanë të kreut, dhe dhe, ka, ca ditë, përfliten ca gazetarë bosa të kazanit mediatik. Vëllezër siamezë me kazanin biznes-krim-politikë.
Hasani i Starjes, kolonjari sarkastik, na kujtoi se kjo skemë para-krim-politikë vjen njëlloj që nga dimri ottoman aziatik. I hollë e i mënçur ky Hasani, sa tallej me fukaranë, me tyzharë të krimbur në para, me gjyqtarë të lartë, me kryeklerikë, me bejlurçina e nëpunës perandorie që vënë makinën (tarapanë) që ditë e natë pa ndalur të presin monedhat… paranë.
Lakmia e madhe e parasë mbretëron këtë botë… kjo sipas Hasanit nga fshati Starje i Kolonjës. Erdhi dita… Hasani u plak. Hoqi dorë të qajë e të qeshë me hallet e botës. Nuk kish rregulluar veten të rregullonte botën. Si plak, me ushqim, me veshmbathje e me ngrohje në dimër e mbante i biri, Tarja. Hasani i drobitur, në nevojë për hyzmet, Tarja i ri, i fortë i kish vënë shpatullat shtëpisë.
Hasani, poeti, i urti plak, jepte mend për punët, po Tarja kish mendjen e vet. Tarja ia bërtiste fjalën fort e fort të atit. Se plaku nuk dëgjonte mirë nga veshët. Ca nga ca, Hasani vuri mend: kur të lënë fuqia e katandia, bashkë me to të ka lënë dhe mendja. Domethënë të varfrit e të plakurit nuk ia pëlqejnë mendjen. Dhe dhe… Iku Koha, ndërroi zamani: Flet Tarja, dëgjon Hasani.
Studiuesit thonë se kjo është poezia e fundit e Hasan Zyko Kamberit. Këto dy vargje të Hasanit më ndërmendin gjyshen time. E gjendur në një situatë të tillë, si kjo e Hasanit, situatë kur t’i jep mend e nuk të dëgjon njeri, ajo shpesh përsëriste: Thuaj, thuaj Merr briskun e ma rruaj. Llafe të hidhura të gjyshes sime që Hasani i Trahanasë dhe i Parasë, besoj do t’i kish miratuar.
Poezitë “Trahanaja” dhe “Paraja” shkëlqejnë si dy kolona mitike. Sjellin dy boshtet rreth të cilëve është sjellë e prapë vazhdon dhe sot të vërtitet bota. Trahanaja, mbijetesa modeste e të varfërve, simbolizon katandinë e vegjëlisë. Paraja simbolizon luksin e majave të shoqërisë, por dhe lakminë e lindur të njeriut për para. Lakmi e lindur se: Dhe foshnja që është në djep, Zgjat dorën e thotë: më nep. E merr e fut në xhep. Ia di kimetin parasë.
Thëniet e hidhura të pleqërisë (me vargje) të Hasan Zyko Kamberit dhe të gjyshes sime, kanë të bëjnë me atë që brezat e rinj, qoftë për mbijetesë apo për fitim (për Trahananë a për Paranë), veprojnë me mendjen dhe me sjelljet e tyre duke i injoruar përvojat a mençurinë e paraardhësve. Dhe kanë të drejtë. Kjo duhet pranuar si fati, si rrethi i rrulit të kohëve që shtyp të shkuarën për të shtruar rrugët e së ardhmes. Hasani simpatik dhe në pafuqinë e tij, bën autoironi, tall vetveten. Tarja, biri i tij, është bir dhe i kohës së vet, pra, më i aftë të mbijetojë se njeh njerëzit, sjelljet, mënyrat e reja me të cilat nxirret buka, jetesa, paraja. Tallja sa bie mbi Taren (jo shumë i mënçëm, thonë) po aq dhe mbi atin: Iku Koha ndërroi, zamani / flet Tarja dëgjon Hasani. Ndryshe ndodh me thënien e gjyshe Rubies. Gjyshja ka në thelb protestën, jo autoironinë zbutëse, nënshtrimin (qoftë dhe të hidhur) ndaj fatit, siç ndodh me Hasan Zyko Kamberin e Starjes.
Ky poet jo njëherë është tallur me veprimet e tij, me fatin e tij. Autoironia e tij na thotë cilët jemi, na njeh me cenet e vetes sonë. Gjyshja nuk e pranon që fati e ka anashkaluar. A ka të drejtë? Por, thamë, që brezat duhen lejuar të ecin me mendjen e tyre dhe kur nuk ua duam, dhe kur fare nuk ua pëlqejmë. Në këto që do të them më poshtë, -ndikuar nga konteksti politik- po guxoj ca si shumë, ndaj më falni. Ja, ta zëmë se Presidenti Obama tani do tentojë t’i japë mend pasardhësit, Presidentit Trump, ky i fundit ka gjasë t’i përgjigjet : “Thuaj thuaj…”.
Më duket se me këto që thashë, në mos e tepërova, prapë sikur e zgjata. Po pushoj pak.