Albspirit

Media/News/Publishing

A ka shpresë për Bashkimin Europian

Ana PALACIO

Për të adresuar sfidën e migrimit me të cilën përballet, Evropa duhet të hartojë një politikë të udhëhequr prej vlerave të saj, si dhe sigurinë e saj bashkë me interesat ekonomike. Kjo do të thotë që të bëhet dallimi midis emigrantëve ekonomikë dhe refugjatëve, të forcohet kontrolli kufitar edhe duke rritur bashkëpunimin me vendet e treta…

Pas vitesh fragmentimi dhe tensionesh, Bashkimi Europian mund të jetë në prag të humbjes së aseteve të ti më të vyera: paqes, begatisë, lirisë së lëvizjes, dhe vlerave si toleranca, hapja dhe uniteti. A do të bashkohen europianët në kohë për t’i shpëtuar?

Rreziku që i paraqitet BE-së u bë i qartë qershorin e kaluar, kur Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar. Dhe zgjedhja e Donald Trumpit si president i SHBA i ka përkeqësuar gjërat. Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt dhe më i fuqishëm i Evropës – një partner i rëndësishëm për sigurinë dhe bartës i vlerave të përbashkëta – tani po shkon në një drejtim shumë të ndryshëm, duke kërcënuar që të lërë vetëm një Evropë të tronditur dhe të ndarë, në një botë të ashpër, të etur për ta “shqyej”.

Kjo mund të tingëllojë hiperbolike. Të shumtët në klasën politike në SHBA mbeten të bindur – të paktën publikisht – se politika e jashtme amerikane nën Trumpin do të mbahet nën fre nga peshat e rënda në kabinetin e tij, si Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis dhe Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. “Mos u shqetësoni”, thonë ata: “më e keqja nuk do të ndodhë”.

Por, në përvojën time, personi i cili me të vërtetë ka rëndësi është ai që ka veshin e presidentit. Dhe, deri më tani, të gjitha shenjat tregojnë se rrethi i ngushtë i Trumpit po shtyn përpara politikëbërjen. Në fakt, deklaratat dhe urdhërat ekzekutive të javëve të para të Trumpit përcjellin një perspektivë të njëjtë ideologjike – atë të përqafuar prej kohësh nga krye-strategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, një ultra-nacionalist, ndjekës i filozofit fashist italian Julius Evola, dhe për një kohë të gjatë, mbështetës i fortë i supremacisë së bardhë të të tjathtës alternative amerikane.

Si për të theksuar ndikimin e tij prej Rasputini, Bannon ka siguruar tashmë një vend në Komitetin e Drejtorëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që përfshin sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes, por jo Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, ose Shefin e Shtabit. Nuk është habi pra, që #PresidentBannon ka qenë një tendencë në Tuiter këto kohë.

Zakonisht, unë nuk do të fusja hundët në strukturën e aparatit të politikës së jashtme të një vendi tjetër. Por kjo e Trumpit nuk është presidenca e zakonshme amerikane, kështu që ne të gjithë kemi një përgjegjësi për të shqyrtuar pasojat e tendencave ideologjike të Shtëpisë së Bardhë, mbi të menduarit tradicional demokratik dhe perëndimor në vendet tona. Për evropianët, kjo përgjegjësi është veçanërisht urgjente, sepse ideologjia e re e Amerikës vë theksin në shtetin-komb tradicional Vestphalian, me këmbënguljen e saj tek sovraniteti, kufijtë e fortë, dhe nacionalizmi. BE-ja – e ndërtuar mbi idenë e forcës, paqes dhe prosperitetit nëpërmjet bashkëpunimit – është anatemë ndaj saj.

Problemi për BE-në nuk është më indiferenca që shënoi elementet më të këqija të qasjes së presidentit Barak Obama ndaj Evropës. Eshtë armiqësia e plotë amerikane. Vlerësimi i Brexitit nga Trumpi, i cili theksoi “të drejtën për vetëvendosje” të popullit britanik dhe referencën e tij nënçmuese ndaj BE-së si “Konsorciumi” në takimin e tij me kryeministren britanike Tereza May, e thekson armiqësinë e tij.

Europa ka ngecur tashmë mes një SHBA dhe një Rusie që janë të vendosur ta ndajnë. Çfarë duhet të bëjmë ne europianët?

Një alternativë është që kënaqim dëshirat e Trumpit. Kjo është qasja që May pati gjatë vizitës së saj në Uashington, DC, kur rrinte e heshtur, teksa Trumpi deklaronte haptazi mbështetjen e tij për përdorimin e torturës, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Por, për BE-në, një zbutje e tillë do të ishte kundër-produktive. Janë vlerat tona, jo kufijtë tanë, që na bëjnë këta që jemi. Ka shumë pak kuptim që t’i braktisim ato, sidomos që të kënaqemi me një udhëheqës, i cili ka treguar se është kapriçioz dhe krejt i pabesueshëm.

Një tjetër opsion është që të gjendet një shpëtimtar i ri – ndoshta një vend si Kina, e cila jo vetëm që është analogia më e afërt e Amerikës, në aspektin e ndikimit ekonomik, por edhe ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme kohët e fundit, për shkak të mbrojtjes së fuqishme që presidenti i saj i ka bërë globalizimit.

Por duhet të kemi kujdes nga mesiat e rremë. Vizioni global i promovuar nga Kina fokusohet pothuajse tërësisht në marrëdhëniet ekonomike – pikërisht në atë “mungesë shpirti”, që e futi rendin liberal botëror në telashe, që në krye të herës. Një sens i qëllimit të përbashkët, jo thjeshtë funksionimi i tregut, është ai që mban njerëzimin të bashkuar. Përndryshe, tregu i përbashkët i BE-së do të kishte qenë i mjaftueshëm për ta mbrojtur atë nga kërcënimi ekzistencial me të cilin përballet sot.

Opsioni i tretë – dhe i vetmi i mundshëm për BE-në – është vetë-mbështetja dhe vetëvendosja. Vetëm duke forcuar pozitat e saj ndërkombëtare – duke rritur ndikimin e saj, në zhargonin e sotëm – mundet që BE të përballet me besnikërinë e lëkundur të Amerikës ndaj aleatëve të saj dhe vlerave të përbashkëta.

Ndjekja e këtij opsioni nënkupton që BE-ja duhet të shtyjë për të bërë përparim në bisedimet tregtare me Japoninë, të negociojë një marrëveshje investimi me Kinën, të modernizojë Marrëveshjen Globale EU-Meksikë, dhe të pozicionohet si një udhëheqëse botërore në reformën e taksave. Për më tepër, Evropa duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e saj, si duke rritur shpenzimet, ashtu edhe duke ndjekur bashkëpunim kontinental, me qëllim përdorimin më eficient të burimeve dhe kapaciteteve.

Për të adresuar sfidën e migrimit me të cilën përballet, Evropa duhet të hartojë një politikë të udhëhequr prej vlerave të saj, si dhe sigurinë e saj bashkë me interesat ekonomike. Kjo do të thotë që të bëhet dallimi midis emigrantëve ekonomikë dhe refugjatëve, të forcohet kontrolli kufitar edhe duke rritur bashkëpunimin me vendet e treta. Në gjithçka që bën, nga ky moment e tutje, BE-ja duhet të shpallë dhe çojë përpara vlerat – hapja, të drejtat e njeriut, dijet dhe sundimi i ligjit – që i kanë mundësuar Evropës të rimëkëmbej, të rritej, dhe të lulëzote për më shumë se shtatë dekada. Thirrja e fundit e presidenti francez, Francois Hollande dhe kancelares gjermane Angela Merkel për një “angazhim të qartë, të përbashkët” në BE, është një fillim i mirë.

Por thirrje të tilla tani duhet të mbështeten nga veprimet. Kjo mund të jetë e vështirë për nëntë muajt e ardhshëm, teksa Holanda, Franca dhe Gjermania do të mbajnë zgjedhje të përgjithshme. Do të jetë edhe më e vështirë nëse një kandidat ekstremist, në një ose më shumë nga këto vende, arrin një fitore të papritur. Por nëse qendra politike e Evropës mban, siç pritet, BE-ja do të jetë në një pozicion të fortë për t’u përballur me forcat e jashtme gjithnjë e më armiqësore dhe për të shkuar përpara me objektiva.

/Project Syndicate

Please follow and like us: