Albspirit

Media/News/Publishing

Kiçon nuk e lëshojmë, por edhe Musinenë e përdorim sa herë që kemi nevojë

Dr. Ndriçim Mehmeti

Siç e ka në zakonin e tij të kahershëm politik, kryeministri Rama e quajti hapjen e dosjeve të komunizmit, një sukses të qeverisë së tij e që sigurisht, “ndodhte për herë të parë”. Madje si simbolikë të këtij procesi kaq të rëndësishëm u zgjodh dosja e disidentes unike në shkollimin, kulturën dhe guximin që kishte, Musine Kokalari. Në pamje të parë kjo zgjedhje dukej mjaft e goditur. Por ditët në vijim, na çuan në përfundimin se tanimë, nga kreu i qeverisë e deri në nivelet e tjera qeverisëse, nuk ka vetëm hipokrizi, por edhe shumë ligësi. Pa u tharë mirë boja e vendimeve “historike” të Ramës, portalet e lajmeve, shfaqën të krekosur e hijerëndë,  ish-ministrin i diktaturës komuniste dhe njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike të partisë më gjakatare në Evropë, në krah të pothuaj homologut të tij Petro Koçi, në Sarandë. Fare “rastësisht”, Mustaqi e Koçi ndodheshin për festimet e Divizionit “Asim Zeneli”. Petrua u justifikua se e kishin ftuar për drekë e si qokatar që është nuk mund të mos shkonte dhe madje për të ksehasur popullin kishte mbajtur edhe fjalën e rastit. Deri këtu po besojmë Petron.

Po Kiçon kush e kishte sjellë në këtë ceremoni?

Edhe pse është ende herët për fillimin e festimeve në kujtim të Luftës së Dytë Botërore (por nuk është herët për të bërë fushatë elektorale), të tërheq vëmendjen një fakt: Cila  është lidhja e Kiços me ngjarjet e luftës së Dytë Botërore? Kiçua ka qenë vetëm 1 vjeç kur është pushtuar Shqipëria dhe 6 vjeç kur është çliruar. Nuk ka asnjë kuptim thirrja e tij në ceremoni të tilla. Do të ishte më se e natyrshme që Kiçua të shfaqej në foto të ndryshme, në festën e ritakimit me shokët e shkollës në Pecë, Kuçovë, apo ish-skënderbegasit e Tiranës. Në një ziafet të këtij lloji, mund ta nderonin edhe të ishte në krye të vendit. Por jo. U zgjodh pikërisht Saranda, festimet dhe nderimet për veteranët, që Kiçua të shfaqej me mjaft autoritet në krah të simpatizantit të tij në qeveri Petro Koçi. Petroja që u “ofendua” shumë nga dekorimi i nacionalistëve të Lushnjës, shkon dhe drekon me Kiçon një prej herakëve më të lartë të diktaturës komuniste në Shqipëri. Dhe këtë ai e quan një gjë shumë të natyrshme, sepse ka ndodhur fare “rastësisht”. Ndërsa pritej që Petrua, Mirela, Beni e të gjithë të derdheshin në Gjirokastër me në krye kapitenin e skuadrës, e të fillonin ndërtimin e shtëpisë së Musinesë, e cila, u dogj “aksidentalisht”, përpara pak kohe, sytë u drejtuan në Sarandë. Kiçua drekon në krye të trapezit me Petron që e nderon me fjalën e rastit dhe kryeministri, përbetohet në Tiranë, se “ka për t’i nxjerrë fundin diktaturës përmes hapjes së dosjeve”. Por ndërkohë njeriu që ka një dosje të rëndësishme të pa hapur, atë të tentativës për grusht shteti në shkurtin e vitit 1991, shëtit në qytetin bregdetar e madje nderohet si një hero i Luftës së Dytë Botërore, kur ka qenë veçse një foshnjë në atë kohë. Nëse Musineja do të qe e gjallë, vështirë se do të kapërdinte që emri i saj të përlyhej kaq paturpësisht e të përdorej në një mënyrë kaq të pamoralshme, ndërsa ministri xhelat, nderohet po aq sa viktima, e tij.

Por ka edhe më.

Kryeministri, i cili, kërkon të lajë mëkatet e qeverisë së tij, përmes përdorimit të Musinesë, urdhëron që shkolla, kopshte, kolektiva punonjësish, administrata, të vizitojnë nga një e dy herë Buk’Artet e tij me bashkëpronar Carlon, duke deklaruar se këto krijesa monstruoze të mendjes së tij, “janë më të rëndësishme se Muzeu Historik Kombëtar”. Pra në vijim të kësaj logjike, ndonëse foli, tori e gënjeu të tjerët e veten, Kiçua për të, ka më shumë rëndësi se Musineja. Fundja Musineja nuk është e gjallë dhe Edi e di mirë që ai veten e kënaq me fjalimin e tij, por jo pasardhësit e saj. Po ashtu Edi nuk i ka shumë në llogaritë e tij qeverisëse dhe elektorale këta njerëz të nderuar. Edi e di mirë, që shumë prej tyre, trashëgojnë për fat të mirë, të njëjtin shpirt guximi e kundërshtimi ndaj të padrejtës, si Musineja. Ndërsa Kiçua është shumë i rëndësishëm, sidomos nga situata e krijuar së fundmi në Sarandë. Tradhtia e Koços është një plagë që i duhej gjetur melhemi, për ta mbyllur sa më parë. Ikën Koço e vjen Kiçua, tani që i duhet më shumë se kurrë. Me eksperiencën e vjetër që ka, me njohjet dhe lidhjet me Greqinë, fakti që është minoritar, mund ta kthejnë në eminencën gri të Ramës në këtë rajon me vlerë për të. Ky ishte prezantimi i parë “rastësor” i Kiços. Më pas atij mund t’i ngarkohen detyra të tjera strategjike dhe operative. Si ushtarak prej shumë vitesh, Kiçua i kupton më mirë, taktikat që duhet të zgjedhësh, për të mposhtur kundërshtarin, rolin e detashmenteve të armatosur që frikësojnë popullin, si organizohet rrëmbimi e më pas manipulimi i dokumenteve zyrtare, si të mashtrojmë përmes propagandës e ta bëjmë të zezën të bardhë, e të bardhën të zezë, e  kështu me radhë.

Me Musinenë më shumë humbet. Në sytë e shokëve të Kiços dhe sërës së tij, ajo mbetet tradhtarja e urryer, një njeri që meritonte të vdiste pa asnjë gjyq, që nuk ishte veçse një zëdhënëse e botës perëndimore, që kërkonte të minonte pushtetin e lavdishëm të Hoxhës. Musineja nuk ka gojë të flas, nuk ka mundësi të ulet në tryeza, nuk ka mundësi të na thotë se kush kërkonte t’ja mbyllte gojën dhe përse. Musineja mund të na tregojë fare mirë se kush ishin dhe ku janë ata pak që kanë rrojtur dhe e kanë torturuar me kënaqësi, që e shtynë dhe e pështynë dhe më fund e groposën, ndoshta ende pa i dalë shpirti. Kiçua është gjallë, di shumë  nga këto ngjarje, di edhe emrat e atyre që pushkatonin, edhe modelin e armëve që përdoreshin në këto raste. Por ai nderohet në krye të tavolinës, pa folur asnjëherë për të ardhmen. Musineja edhe në varr flet shumë. Ndërsa Kiçua i ka varrosur me shpresën se askush nuk do t’i hapi ndonjëherë dosjet e tij, që hedhin dritë mbi tmerrin komunist. Prandaj sot Kiçua ëhstë më i vlefshëm se Musineja, ndërsa kjo e fundit denoncon nga thellësia e tokës. Nuk e di sa fuqi do të ketë, zëri i saj, por një gjë e di që ai është zëri dhe revolta e Musinesë. Mjerë ai që do të ketë radhën të provoj drejtësinë e zërit që nuk u shua kurrë, atë të Musine Kokalarit.

Please follow and like us: