Kodheli dhe homologu kroat, letër shefit të NATO
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe homologu i saj kroat, Damir Krstičević, i kanë dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg, në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Në letrën e tyre, zonja Kodheli dhe zoti Krstičević, dënojnë retorikën nacionaliste nga politikanë serbë dhe veprimet konkrete në kufi, për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe destabilizuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, ndër të tjera, dy ministrat kërkojnë nga sekretari Stoltenberg të rishikohet Plani Operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë pas zhvillimeve të fundit atje, si dhe mbështesin shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Ministrat Kodheli dhe Krstičević e mbyllin letrën duke shprehur angazhimin e tyre për të siguruar se përpjekjet kombëtare dhe kolektive do të jenë të vazhdueshme dhe të fokusuara për të promovuar paqe, nxitur dialog dhe përmirësuar bashkëpunimin në çështjet e sigurisë.”- thuhet ndër të tjera në letrën e ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kroacisë.