SHBA e kundërshton referendumin për ndryshimin e emrit të Osetisë Jugore
Ambasada amerikane në Gjeorgji i ka dënuar planet nga autoritetet separatiste në Osetinë Jugore për mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e emrit të këtij rajoni.
Krahas zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 9 prill, separatistët që e kontrollojnë Osetinë Jugore, planifikojnë të mbajnë një plebishit me propozimin për ndryshimin e emrit nga “Republika e Osetisë Jugore” në “Shtetin e Alanias”.
Në komunikatën e publikuar në faqen e vet të internetit më 14 shkurt, Ambasada e SHBA-së në Tbilisi, thhotë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i njohin rezultatet e referendumit si të ligjshme pasi ai mbahet pa pajtimin e qeverisë në Gjeorgji.
“Veprime të tilla provokative dëmtojnë besimin dhe minojnë Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës”, thuhet aty duke iu referuar bisedimeve për qetësimin e tensioneve që vazhdojnë me vite pasi forcat ruse okupuan Gjeorgjinë në një luftë të shkurtër në Osetinë Jugore në vitin 2008.
Lideri separatist i këtij rajoni gjeorgjian, Leonid Tibilov, e ka nënshkruar më 6 shkurt dekretin për referendumin.
Gjeorgjia konsideron se propozimi për emrin është provokativ sepse është i njëjtë me një rajon në Rusinë fqinj që gjithashtu është kryesisht e populluar nga osetianë etnik, më sakt Republika e Osetisë Veriore – Alania.
Plani për ndryshimin e emrit duket se sugjeron bashkimin e dy rajoneve.
Rusia e ka njohur Osetinë Jugore dhe rajonin tjetër separatist gjeorgjian, Abkhazia si shtete të pavarura pas luftës në vitin 2008. Moska vazhdon të mbajë mijëra trupa në rajon, që sipas NATO-s, shkelin një marrëveshje të arritur nga BE-ja për të ndaluar luftën.
SHBA-ja dhe disa vende të tjera nuk e njohin asnjërin prej dy rajonave separatist gjeorgjiane si të pavarura.