Si funksiononte tatimi i jashtëzakonshëm i vitit 1945? Formula progresive që goditi tregtarët e që u përdor për dy vite për të siguruar shpenzime buxhetore
Në janar të vitit 1945 u miratua “Ligji i tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”. Përveç qëllimit politik që kishte për uljen e fuqisë financiare të klasës së pasur të asaj kohe, ligji i ri do të siguronte edhe të ardhura të rëndësishme për arkën e shtetit, në një kohë kur financat ishin të zbrazura e kur mungonin mjetet financiare.
Tatimit iu nënshtruan të gjithë tregtarët dhe industrialistët të cilët kishin realizuar fitime mbi 500 mijë franga shqiptare. Tatimi ishte progresiv prej 15 për qind deri në 80 për qind të shumës së fituar.
Nga taksa 80 për qind prekeshin ata që kishin fituar më shumë se 4 milionë franga shqiptare. Sasia e tatimit caktohej nga një komision i posaçëm dhe vendimet e tij ishin të formës së prerë.
Referuar burimeve zyrtare, gjysma e shpenzimeve buxhetore të dy viteve të para pas luftës të vendit u përballuan kryesisht nga të ardhurat e vjela nga tatimi i jashtëzakonshëm që ishte edhe burimi kryesor i të ardhurave shtetërore të kësaj periudhe.
Më anë të Tatimit të Jashtëzakonshëm, qeveria e kohës sekuestroi pronat e qytetareve në një numër të madh rastesh kur kompanitë tregtare nuk qenë në gjendje të shlyenin faturat e reja.