Xhafaj, letër institucioneve: Shorti për KED, tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën
Shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), Kryetari i Komisionit për çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj e ka cilësuar si antikushtetues.
Nisur nga ky fakt, ai u ka dëguar një letër Bashkim Dedjas, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjorit Kryetar i Gjykatës së Lartë, Adriatik Llallës Prokuror i Përgjithshëm, Bujar Nishanit Presidentit te Republikës, e njëherazi kryetari i KLD si dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Në letër Xhafaj thekson se, listat e dërguara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së rezultojnë të kenë shmangur nga shorti një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh.
“Më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojë, edhe vetë rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë.”
LETRA E PLOTË
Të nderuar Zotërinj,
Sikurse jeni në dijeni në datë 27 janar 2017, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
Sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, janë caktuar ndërmjet kandidatëve të propozuar nga Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive në nivel apeli, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për gjyqtarët e gjykatave të apelit dhe gjyqtarët e gjykatës administrative të shkallës së parë, nga Kryetari i Gjykatës së Lartë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë, të vendosur në faqen zyrtare, procedura e hedhjes së shortit është bazuar në pikën 3 të nenit 149/d dhe pikën 11 të nenit 179, si dhe në nenet 221 dhe 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe vendimin nr.3, datë 24.1.2017 të Kryetarit të Kuvendit “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
Referuar këtij njoftimi, por edhe asaj çfarë është dokumentuar dhe bërë publike në lidhje me këtë procedurë, më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojË, edhe vet rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë.
Memo të cilën e keni bashkalidhur kësaj letre, përmban në mënyrë të plotë të gjithë argumentet dhe arsyetimin mbi paligjshmërinë e përzgjedhjes të listave të kandidatëve për zgjedhjen me short të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi dhe për rrjedhoj edhe të rezultatit të shpallur për disa nga anëtarët e tij. Rezultat i cili, për sa më sipër, është produkt i dy standarteve të ndryshme të aplikuara në procesin e hartimit të listave nga institucionet përgjegjëse.
Si ish-kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, e konsideroj të nevojshme të sjellë në vëmendjen Tuaj këtë fakt shumë të rëndësishëm juridik dhe politik.
Vlerësoj se injorimi i këtij fakti, cënon besueshmërinë e qytetarëve në procesin e ndërtimit të instucioneve të reja të drejtësisë, si dhe kompromenton sinqeritetin e faktorëve politik dhe institucional në deklarimet e tyre për të mbështetur procesin e reformës në drejtësi, por edhe angazhimet e tyre kushtetuese dhe ligjore në këtë proces.
Duke besuar se kjo memo do të marrë gjithë vëmendjen e merituar Tuajën.