9-vjetori i pavarësisë, Donald Trump uron Kosovën
Me anë të një letër urimi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ururar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e presidentit Trump dërguar Thaçit, bën të ditur Zyra e presidentit të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në letrën e presidentit Trump “kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA)”.
“E mirëpresin vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, thuhet në letrën e presidentit Trump.