Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: Ora e llogarisë po u vjen

Kryedemokrati Lulzim Basha, mori pjesë në përkujtimin e 72 vjetorit të qëndresës së Kelmentit ndaj kërcënimit komunist. I pritur nga banorët e Kelmendit, Basha vendosi një kurorë me lule pranë monumentit përkujtimor të Prek Calit dhe luftëtarëve të tjerë të kësaj Malësie, qëndresa e të cilëve u kthye në monumentin e parë të antikomunizmit në Shqipëri.

Qëndresa e kelmendasve ndaj dhunës dhe terrorit komunist, tha Basha, është një burim frymëzimi që sot, qytetarët, të rinjtë ti bëjnë ballë sundimit të një grushti qeveritarësh e oligarkësh, të zhytur në krim e korrupsion që duan t’u mohojnë shqiptarëve të drejtën themelore, të drejtën e votës.

“Përfaqësues të denjë të virtyteve dhe të genit iliro-shqiptar, pasardhës të heronjve të shqiptarizmit, të cilëve iu këndoi Gjergj Fishta në “Lahutën e Malësisë”, pasardhës të Prek Calit dhe të burrave të tjerë kelmendas, të cilët 72 vite më parë shkruan në këto male me qëndresën dhe heroizmin e tyre një epope të denjë për lavdinë e shekujve”, kështu iu drejtua Basha të pranishmëve në aktivitetin që u zhvillua në Tamarë.

“Ata u bashkuan për t’i thënë jo komunizmit të dhunshëm që ishte lëshuar në këto anë me barbari, me forca të armatosura, për të shtruar dhe nënshtruar këtë krahinë, këtë popull krenar, këtë themel të vlerave të shqiptarisë, që ka derdhur gjak për të ruajtur nderin, flamurin kombëtar, vatrën, traditën dhe dinjitetin”, shtoi Basha.

Virtyt të malësorëve, e quajti kryedemokrati Basha, përballjen dhe heroizmin për atdheun, pavarësisht çmimit që duhet paguar.

“Kelmendi e pagoi shtrenjtë qëndresën, kelmendasit e paguan shtrenjtë heroizmin. Masakrat, reprezaljet, persekutimi i egër në pesë dekada, denigrimi për heronjtë, heshtja dhe përpjekja për ti mbytur në harresën e historisë. Por, siç e dini fare mirë në dhjetor të vitit 1990, ndodhi ndryshimi i madh. E vërteta e kësaj beteje që do të këndohet përjetë në kujtesën e një kombi mirënjohës si Termopilet e Kelmendit, doli vrullshëm në dritë, e gjallë dhe legjendare. Kelmendit pra, si kurdoherë në histori i doli fjala dhe i doli pushka. Barrikada e Kelmendit u shndërrua në monumentin e parë të antikomunizmit në Shqipëri dhe është sot një vend nderimi dhe pelegrinazhi për brezat që rrëfejnë një histori të madhe”.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen dhe nderin e të qënit mik i Kelmendit në një ditë kaq të shënuar.

“Lufta me të keqen është një detyrim para Zotit dhe Atdheut pavarësisht prej çmimit”. Për Lulzim Bashën, ky detyrim fillon me të drejtën elementare të demokracisë, të drejtën për të zgjedhur i lirë.

“Është vota e lirë, vota e lirë që i jep kuptim demokracisë. Vota e lirë që zgjedh dhe largon nga pushteti pushtetarët. Vota e lirë që dikton siç diktonte ndër shekuj tradita e Malësisë dhe Kelmendit, siç diktonte fjala, vepra dhe pushka e Prek Calit që shqiptari është zot në shtëpinë e vet e nuk ka zot tjetër përveç shqiptarit në shtëpinë e vet. Por sot një qeveri është futur përdhunshëm në shtëpinë e çdo shqiptari, në çdo familje në Kelmend, në Malësi e mbarë Shqipërinë. Një qeveri e cila ka hedhur tutje maskën e legjitimitetit demokratik dhe sillet si pushtuese duke shpërfillur dhe braktisur njerëzit në nevojë, duke goditur dhe persekutuar rininë, duke mos i dhënë asnjë mundësi dhe shpresë për të nesërmen, duke i detyruar të largohen drejt emigracionit apo të bëhen skllevër të aktivitetit kriminal. E kështu, ia kanë dalë në më pak se katër vite të krijojnë dy botë të ndryshme.  Një botë ku jetojnë shqiptarët e thjeshtë, njerëz fisnikë që duan të jetojnë përmes punës së tyre, talentit, përmes punës së ndershme, përmes djersës dhe dinjitetit, por që nuk arrijnë të mbyllin muajin, nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta sepse nuk ka punë, nuk ka ligj, nuk ka drejtësi, nuk ka respekt dhe nuk ka një derë ku mund të qajnë hallin dhe të gjejnë një zgjidhje. Nga ana tjetër është një botë me një grusht njerëzish që pasurohen ditë për ditë me milionat që marrin nga taksat e popullit më të varfër në Europë. E dinë fare mirë se ora e llogarisë po u vjen”.

Kryedemokrati Basha nga Kelmendi deklaroi se sot që populli ka vendosur të marrë fatin në duart e tij, e vetmja rrugëdalje për qeverinë është t’i vjedhë votat.

“Kelmendasit e kanë treguar se nuk pranojnë zgjedhën e sundimtarit, se janë gati të ngrihen e të bien për liri, për demokraci, për dinjitet. Ky vullnet i shkruar me gjakun e heronjve të Kelmendit është sot një vullnet mbarëpopullor. Një vullnet mbarëpopullor për të ruajtur themelin e demokracisë, votën e lirë dhe të ndershme, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ta harrojnë se do të ketë zgjedhje të diktuara nga banda dhe krimi. Ta harrojë klika në pushtet se do t’i ulë kokën Kelmendit, Malësisë dhe Shqipërisë.”

Nga përkujtimorja e Prek Calit, Lulzim Basha përsëriti thirrjen për protestë, shembull i të cilës të jetë kurajoja e banorëve të Kelmendit. Kreu i opozitës i premtoi banorëve të Kelmendit se nuk do ta lërë në harresë pasurinë e tyre historike, kulturore por edhe atë turistike të pashfrytëzuar deri më sot.

“Duke nisur me bashkimin e madh popullor me 18 shkurt, bashkë kundër tiranisë, varfërisë, padrejtësisë dhe ju premtoj, ju jap fjalën që këtu nga ky vend ku jemi sot për të kujtuar sakrificën sublime për liri, do të kthehem  jo thjesht për t’u  falënderuar ju por për t’iu shlyer borxhin e madh e të pashlyer deri më sot që ju ka historia dhe Shqipëria”, tha Basha, duke shpjeguar planin e tij të zhvillimit e mirëqënies, që çdo familje kelmendase të ketë vendet e punës të garantuara, të ardhurat e garantuara, siç e ka të ofruar nga Zoti bukurinë natyrore.

Please follow and like us: