Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/ Intervista e fundit me Ramiz Alinë

 

 

Një grup gazetarësh danezë, për herë të parë ndodhen  në Shqipëri ku janë takuar me një sërë personalitetesh nga politika, gazetaria, kultura, etj. Ndër këto takime, veçojmë ato me ministrin e Drejtësisë Bujar Nishani, me korrespodentin e agjencisë ‘Reuters’ Benet Koleka, me drejtuesit e ‘PEN Qendrës së Shqipërisë’ Sadik Bejko dhe Entela Kasi, me ish kryeministrin demokrat Aleksandër Meksi, me akademikun dhe profesorin e njohur Xhevat Lloshi, me kineastin e talentuar Eno Milkani, me kryetarin e Unionit të Gazetarëve e Shqipërisë dhe kryeredaktorin e gazetës “Shqip” Aleksandër Çipa, me kreyredaktorin e gazetës “Shekulli” Ened Janina, me kryeredaktorët e lajmeve në Top –Chanel, Mentor Kikia dhe Bledar Zaganjori,  me drejtuesin e emisionit “Fokus” në televizionin “Koha” Robert Papa. Gjithashtu ata zhvilluan një takim dhe bënë një intervistë me ish Presidentin e parë pas zgjedhjeve parlamentare të 31 mars 1991, zotin Ramiz Alia.

 

Zoti Alia, është kënaqësi që takohemi me ju. Do të donim diçka rreth karrierës suaj politike?

Ramiz Alia: Karriera ime politike zë fill në moshë shumë të hershme. Kur isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, jam angazhuar në Luftën Nacional Çlirimtare, kam qenë partizan. Në atë periudhë kam qenë drejtues i rinisë, por edhe në strukturat partizane deri në komisar divizioni. Nga vitit 1957 -1959 kam qenë ministër i Arsimit, ndërsa pas kësaj periudhe kam pasur poste të larta në në strukturën e ish PPSH-së: anëtar i Komitetit Qëndror, anëtar i Byrosë Politike, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Mbas vdekjes së Enver Hoxhës, kam qenë Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, ndërsa pas zgjedhjeve të para pluraliste më 31 Mars 1991 kam qenë president i Republikës. Në kushtet e reja të krijuara dhashë dorëheqjen nga ky post dhe presidenti pauses më arrestoi dhe më futi në burg. Kjo është me pak fjalë karriera ime politike.

 

A mund të na thoni se për çfarë motivi jeni rreshtuar në radhët e partizanëve në moshë shumë të re?

Ramiz Alia: Motivi im ka qenë motivi i të gjithë shqiptarëve, motiv patriotik. Jo vetëm i shqiptarëve, kjo ka qenë shtysa për shumë vende europiane. Rezistëncë ka pasur edhe në vendin tuaj, në Danimarkë. Në Norvegji kuislingët bënin thirrje që të mos luftohej kundër Gjermanisë naziste, megjithatë edhe atje pati pjesë të popullisë që e kundërshtuan me armë në dorë pushtimin. Kam qenë në Kopenhagen dhe kam vizituar një muze antifashist. Pra nuk ka vend europian që të mos ketë luftuar kundër fashistëve dhe kjo nuk ishte thjesht për idelae, por për mbrojtjen e atdheut. Vështirë të gjesh popuj që të pranojnë pushtimin apo humbjen e lirisë.

 

Cili është koncepti juaj për lirinë?

Ramiz Alia: Kjo pyetje kërkon një përgjigje të gjatë. Megjithatë unë do thoja se liria patriotike është diçka e vecantë. Shkalla e lirisë është e ndryshme në vende të ndryshme. Natyrisht vendi juaj, Danimarka, është një shoqëri e përparuar dhe për rrjedhojë ka një shkallë të gjerë të lirisë, ka standarte të konsoliduara. Ndërsa kjo nuk mund të thuhet për vendin tim, apo për Egjyptin, Senegalin, që janë shoqëri më pak të përparuara. Unë fola pak më parë për luftën kundër nazifashistëve. Në gjithë Europën u bë luftë për liri. Kjo ngjau edhe në Shqipëri dhe nga një vend i pushtuar, ne u bëmë të pavarur.

 

Si e përjetuat periudhat para dhe pas vendosjes së demokracisë?

Ramiz Alia:  Periudha para demokracisë janë vitet nënëtëdhjetë. Në postin e drejtuesit kryesor të partisë dhe të shtetit, unë e kuptova se duheshin bërë ndryshime për të kaluar në një shoqëri të re. Problemi themelor i atëhershëm ishte se si do të bëhej kalimi nga komunizmi në demokraci. Në vende të ngjashme me sistemet tona pati trauma të mëdha sociale. Ndërkohe vendi kishte problem gjithashtu të mëdha, kryesore ishin problemet ekonomike. Shqetësimi im ka qenë që të mos kishte përplasje sociale, gjakderdhje sepse ishte i mundshëm që të shoqërohej me përplasje. Unë e konsideroj shumë pozitiv që ky kalim u bë i qetë, paqësor, u realizuan zgjedhje të lira dhe nuk pati konfrontim social.

 

A ishte i domosdoshëm ky ndryshim?

Ramiz Alia: Patjetër. Pas shembjes së murit të Berlinit sistemi socialist ra duke filluar nga ish Bashkimi Sovjetik, në krejt ish Europën Lindore. Shqipërisë i takoi ta bënte e fundit këtë ndryshim. Ishte e demosdoshme se kjo do ndodhte edhe në vendin tonë.

 

Sipas jush përse socializmi duhet të binte?

Ramiz Alia: Kjo është një temë e madhe dhe kërkon një përgjigje të gjatë. Por me pak fjalë duhet thënë se fuqia e socializmit nuk ishte aq e madhe, rrënjët e tij ishin të dobëta, ekonomia në ish vendet socialiste ishte shumë më prapa se ajo e Perëndimit.

 

Mendoni ju se socializmi ka qenë gabim?

Ramiz Alia: Nuk e mendoj kështu, por janë bërë gabime. Mendoj se kishte rrugë të tjera zhvillimi, por është zor të bisedosh tani rreth këtyre rrugëve dhe rreth kësaj teme. Sepse ju mund të ma mbyllni gojën duke më thënë: përse nuk i bëtë këto ndryshime, përse nuk i gjetët këto rrugë?

 

Cilat janë raportet tuaja personale në këtë pushtet?

Ramiz Alia:  Natyrisht unë jam në pension. Por pushteti i quajtur demokratik më ka pushuar vajzën nga puna, si petagoge e filozofisë dhe tani punon në një organizatë joftimprurëse. Kjo është gjë e keqe që aplikohet jo vetëm nga partia që sot është në maxhorancë, por edhe ajo që ishte më parë. Dhe kjo është një gjë e keqe. Në Shqipëri vazhdon një luftë përçarëse si nga PS-ja ashtu edhe nga PD-ja, nuk ka përplajse alternativash, idesh, programesh siç ngjet në vendet e zhvilluar europiane. Midis forcave kryesore politike në Shqipëri zhvillohet gati një luftë antagoniste, çka  e mban popullin të ndarë, me konflikt të përhershëm. Dhe kjo ndarje nuk vjen për shkak të sistemit.

 

A a patur kundërshtarë të regjimit që janë interrnuar apo janë future në burg?

Ramiz Alia:  Natyrisht ka patur sepse socializmi e kishte shpallur natyrën e shtetit: diktaturë e proletariatit. Sigurisht janë bërë gabime dhe faje. Nuk mbroj dot një gjë që është bërë në të shkuarën. Por ajo që më shqetëson sot është se të gjitha partitë politike janë për demokracinë, për sipërmarrjen e lirë, për shtetin e së drejtës, për të qenë antarë të BE-së dhe të NATO-s dhe nga ana tjetër një gjysmë nuk e sheh dot me sy gjysmën tjetër. Ju nuk dini shqip dhe më mirë që nuk e dini se po të ndiqnit një seancë parlamentare do të vinit re se si lideri i maxhorancës e shante dhe fyente liderin e opozitës. Kjo gjuhë është e papërshtashme, e patolerueshme. Por nuk ndodh vetëm nga një krah, përsëritet edhe nga krahu tjetër. Edhe PS-ja iu përgjigj me të njëjtën gjuhë.

 

Përse ndodh kjo luftë politike?

Ramiz Alia: Këtë përgjigje duhet ta kërkoni te lidershipet e dy partive kryesore.  Në Shqipëri, si edhe në vende të tjera të ish Europës Lindore, ka një shtresë të përndjekurish politikë, të cilët janë të organizuar në disa shoqata. Çuditërisht pozicioni i tyre është tepër korrekt, paqësor, por ata nuk mbrohen sot as nga PS-a dhe as nga partia që është në pushtet.

 

Sipas jush a i mendoni të rrezikshme PD-në dhe PS-në për stabilitetin e vendit?

Ramiz Alia: Kur kishte vetëm një forcë politike që drejtonte vendin, bëheshin edhe shumë gabime. PD-ja dhe PS-ja lindën si parti të reja pas 1990-ës; ato janë ndërtuar me konceptet e një shoqërie demokratike. S’mund të them se janë të rrezikshme, por stabilitetin e dëmtojnë. Sot Shqipëria dhe Bosnje- Hercegovina, janë të vetmet vende të Ballkanit, që gjenden jashtë Bashkimit Europian dhe nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë. Përgjegjës për këtë gjë në vendin tim s’mund të jetë kush tjetër përveç pozitës dhe opozitës.

 

Kur Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, a do të jetë sërish kështu?

Ramiz Alia: Unë nga natyra jam optimist. Kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, natyrisht do të jëtë më mirë nga të gjitha aspektet. Besoj se edhe klasa politike do të jetë më serioze, por edhe niveli ekonomik do të jetë më i lartë.

 

T’i rikthehemi edhe një herë dënimeve politike; a e ndjeni edhe ju veten fator?

Ramiz Alia: S’ka dyshim se janë bërë gabime dhe nuk i mohoj. Unë vetë kam qenë drejtues i rëndësishëm në atë periudhë dhe nuk i shpëtoj përgjegjësisë. Edhe sot që i mendoj, më vjen keq. Por duhet të them edhe disa gjëra poztitive. Në vitin 1945 ne kishim 90 për qind të popullisë analfabete, ndërsa në 1985 nuk kishim asnjë (arritëm të bënim me shkollë të mesme rreth 65 për qind të rinisë); në 1945 ne kishim disa dhjetra me arsim të lartë, ndërsa në  1985 arritëm në 150 mijë kuadro, etj.

 

Duke krahasuar dy sistemet; kë vlerësoni si më të mirë:

Ramiz Alia:  Patjetër që ky sistem është më i mire dhe Shqipëria është më mirë se më parë . Atëhere, pas luftës, ne mendonim dhe besonim se socializmi ishte rruga më e mirë. Por edhe shkalla e nisjes, nuk ka qenë njësoj për Shqipërinë me vendet e tjera të ish kampit socialist. Në 1944 ne kishin 65 për qind të fshtarave të shkatërruar nga fashistët. Edhe urat ishin rrënuar të gjitha. Unë atëhere isha në Shkodër dhe sapo më njoftuan për një detyrë të re: komisar divizioni. Ishte data 1 Dhjetor 1944. Dhe e dini se sa ditë e bëra që të vija në Tiranë, plot tri ditë.

 

A jeni ndihmuar ju nga jugoslllavët, rusët dhe kinezët?

Ramiz Alia: Po ne kemi patur një periudhë të vogël kohore bashkëpunimi me jugosllavët, një periudhë disi më të gjatë me rusët dhe me kinezët. Natyrisht që edhe jemi ndihuar prej tyre. Ndihma kineze ka qenë më e rëndësishmja.

 

A ndikoi ndihma ruse që ju të përqafonit socializmin?

Ramiz Alia: Siç u thashë më lart ne besonim te socializmi, na dukej si rruga më e drejtë, por nuk duhet harruar Jalta. Siç mund ta dini, tre fuqitë e mëdha, vendosën për konfigurimin e ri të hartës së botës pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, me luftën kundër nazifashistëve, ishte rreshtuar ne kampin botëror antifashist dhe kjo është një gjë mjaft pozitive, por ajo s’pati gjë në dorë për të vendosur për fatin e saj. Secili shtet atëhere u konceptua kaq përqind në favor të një fuqie të madhe dhe kaq në dominimin e një tjetre. Për Shipqërinë nuk është folur fare. Ndoshta është menduar nga Stalini si një vend që mund të përfshihej në ish Jugosllavi. Dhe përpjekjet e jugosllavëve, siç u panë në vitet pas çlirimit, nuk rreshtën që Shqipërinë dhe Kosovën, ta konsideronin si republikën e shtatë të tyre.

 

Ju dolët nga Traktati i Varshavës; a pati ndonjë afrim nga Perëndimi asokohe?

 Ramiz Alia: Po ne e denoncuam Traktatin e Varshavës dhe dolëm prej tij. Më kujtohet që kam takuar dy senatorë italianë pasi ne kishim dalë nga Traktati i Varshavës dhe kishim hequr bazën ruse. Ishte një bazë e madhe që kërcënonte krejt Perëndimin. Ajo nuk i shërbente Shqipërisë, por interesave ruse në Mesdhe. Deri sa ishte baza, Italia fqinje mbante një arsenal të tërë armësh, nga më modernet dhe harxhonte milirda dollarë për mbrojtjen e saj. Kur iku baza ruse, Italia u lirua nga ky ankth dhe nga këto shpenzime marramendëse. U them senatorëve: përse nuk na ndihmuat për këtë shërbim që ju bëmë? Donim, thanë ata, por kishin frikë nga rusët.

Please follow and like us: