Gjeneralët e ushtarëve të inkriminuar
Çerçiz Loloçi
Pas largimit të dy deputetëve dhe të një kryebashkiaku, të tjerë emra nga pushteti legjislativ dhe institucionet e tjera po hetohen nga prokuroria për të lënë mandatet ose postet e tyre të larta.
Kuptohet është një numër relativisht i vogël përballë një mase të madhe pushtetarësh dhe ish-pushtetarësh, që kanë bërë çfarë kanë mundur në këtë vend dhe që nuk u ka ‘hyrë gjëmb’ në këmbë.
Megjithatë në këtë valë kontrollesh, të bën përshtypje heshtja e kryetarëve të partive kryesore, që kanë qenë “vetë zot dhe vetë shkop” për tërheqjen në politikë të personave me rekorde kriminale.
Asnjë prej tyre nuk ka guxuar të thotë: na falni që u solla kriminelët në Kuvend, ndjesë që personin e korruptuar e bëra ministër, na falni që e kemi parcelizuar administratën sipas përqindjes që fituam në zgjedhjet parlamentare apo ato vendore dhe kështu me radhë.
Kjo nuk ka ndodhur pasi janë vetë ata që janë bërë strehë dhe u kanë dhënë imunitet gjithfarësoj njerëzve, që nga kapot e krimit e deri te drejtues të trafiqeve kombëtare e ndërkombëtare.
Janë po këta që e kanë lënë për “minutën e fundit” edhe kryerjen e Reformës Zgjedhore, sepse në këtë mënyrë do të risjellin në parlament dhe në organizma të tjerë një kallëp tjetër të personave të inkriminuar duke e mbajtur peng zhvillimin e vendit dhe duke siguruar tjetër mundësi për grabitjen e pasurive publike.
Është e vërtetë se Reforma në Drejtësi u votua unanimisht nga 140 deputetë, por këtë reformë nuk e ka dashur askush nga klasa politike, por ka qenë një këmbëngulje perëndimore që ajo të bëhej një orë e më parë dhe që më në fund të krijohet një shtet normal e serioz, anëtar i denjë i NATO-s dhe i familjes europiane.
Në këtë konteskst duhet kuptuar kundërshtia e disa eksponentëve të partive të mëdha për rolin e ONM, që do të monitorojë procesin e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nuk ka asnjë dyshim se në pushtetin e drejtësisë duhet bërë një reformim i thellë, por përpara kësaj dhe më urgjente është pastrimi i politikës shqiptare, që është përgjegjëse për gjithçka e për çdo gjë që ka ndodhur në këtë tranzicion të gjatë dhe të mundimshëm.