Kreshnik Spahiu dhe Vangjel Dule bashkë kundër PDIU
Arben Llalla
Përse PDIU sulmohet në të njëjtën ditë si nga Vangjel Dule, si nga Kreshnik Spahiu? Natyrisht, në pamje të parë, këta dy njerëz nuk kanë kurrfarë lidhje. Evangjelios Dule si i pëlqen ta thërrasin mbështet krahun nazi-fashist të Vorio Epirit, kurse Kresha si i pëlqen ta thërrasin shitet si nacionalist-populist.
Në fakt, të dy këto skaje politike janë bashkuar në të njëjtën aleancë, falë koalicionit opozitar. Jo shumë kohë më parë ishin sërish bashkë, por kësaj here në koalicionin e majtë. Duket fati, por edhe interesi nuk i ndan dot në udhën politike. Gjatë ditës thërrasin secili për idenë e tij separatiste, në darkë e kthejnë nga një uzaqi në pijetoret e Shallvareve.
Është mëse e qartë që të dy këta njerëz pesha të lehta të politikës puqen edhe tek një tjetër pikëtakimi; mëria ndaj PDIU-së. Dulja e ka me hall të madh europianizimin e Çështjes Çame, ndërsa Spahiu kupton që sa më shumë rritet pesha kombëtare e kësaj force politike, aq më më shumë hyn në ujë Niku. Të dy kanë përfunduar një farë anektode, njëri shihet si qyfyre në minoritet, tjetri si gallatë në qytet.
Megjithatë, përtej anës komike, Kreshnik Spahiu ka hyrë në politikë duke bërë tubime me tifozë në zyrën e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është përgjegjësi kryesor për gjendjen e mjerueshme që po kalon sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Falë vendimeve të tij për emërime në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sistemi është i mbushur me dallkaukë dhe gjyqtarë, të cilët nuk e kanë për gjë të nxjerrin jashtë vrasësin në seri. Kanë qenë pikërisht këta gjyqtarë që paguanin shuma të mëdha parash që zotëria të nxirrte fitues në gara, këta njerëz që e kanë bërë sot drejtësinë gazi i botës dhe që provokuan këtë Reformë në Drejtësi ekzemplare. Gjyqtarët e Kreshnik Spahiut dhe ai vetë janë shkaktarët që sistemi është kalbur dhe askush nuk beson më në të.
Por, faji i tij në këtë sistem nuk nis me KLD-në, por më herët me shkollën e plepave. Kreshnik Spahiu ka qenë drejtuesi i mirënjohur i kësaj shkolle, e cila për gjashtë muaj në vitet e para ‘90 nxorri gjyqtarët e sotëm që kanë vila, para, sipërmarrje të frikshme.
Me këtë të shkuar të “ndritur” ky njeri i hyri politikës. Ka një shprehje të madhe në politikë: “Nacionalizmi, streha e fundit e maskarenjve”. Në këtë strehë hyri dhe ish-drejtuesi i plepave dhe ish-nënkryetari i KLD-së. Në një fushatë të ethshme mbahet mend se si do i vinte prangat Berishës. Pas pak muajsh, ku në zgjedhje mori 0 deputetë u bë aleat i partisë së Berishës. Po kështu, kujtohet se si do bashkonte Shqipërinë në Morinë të Kukësit dhe bëri një vërrë në ujë. Së fundmi, bëri thirrje për të bojkotuar zgjedhjet vendore. Nuk dihet përse shqiptarët morën masivisht pjesë në to.
Tani, kërkon të nxjerrë jashtë ligjit PDIU-në, e vetmja parti që mbron Çështjen Kombëtare dhe Çështjen Çame. E ka këtë kërkesë të njëjtë në kohë dhe formulim si Vangjel Dule. Kapet pas një fije kashte, sepse me mendjen dhe asyen e Kreshës i bie të dalin jashtë ligjit për të njëjtat arsye PD, PS, LSI, por mbi të gjitha ai vetë që gatoi këtë çorbë të prishur në sistemin e drejtësisë.
Nejse, PDIU do vazhdojë përpara, do të marrë shumëfishin e votave të Kreshës dhe Evangjelosit bashkë, ani se këta do të lehin nga sot e deri në 18 qershor.