Mesila Doda çmonton Vangjel Dulen: Nuk kemi Atdhe rezervë
Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së, Mesila Doda i ka kthyer përgjigje Vangjel Dules, në lidhje me tezat e këtij të fundit se Çështja Çame nuk ekziston, kthimi i qytetarëve shqiptarë që e kanë vendlindjen në Çamëri është thjesht procedurë teknike apo që nuk ka Ligj Lufte mes dy vendeve.
Me fakte, argumente, foto, ligjvënësja e PDIU-së ka akuzuar Vangjel Dulen se është shovinist, i lidhur me organizatat terroriste të Vorio Epirit.
Më poshtë fjala e plotë e sekretares së përgjithshme të PDIU-së, Mesila Doda, mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë.
Para se të nisim punën në Kuvendin e Shqipërisë, ne parlamentarët betohemi se do të mbrojmë Kushtetutën e Shqipërisë dhe pavarësinë e vendit. Qysh në Preambulën e Kushtetutës sonë ne, shqiptarët marrim përsipër të punojmë për bashkimin kombëtar dhe po jua them me një fjalë të vetme t’i dalim për zot shqiptarisë.
Zonja dhe zotërinj,
Këtu mes nesh, është një ligjvënës që shkel me të dyja këmbët Kushtetutën dhe punon për shbërjen e pavarësisë së atdheut tonë. Kemi një njeri mes nesh, i cili shfaqet pa teklif me flamujt e organizatave ekstremiste, terroriste, shoviniste të Vorio Epirit. Fotot që kam këtu flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për shpjegime të mëtejshme.
Ky njeri që ka kaq vjet që i është ngjitur politikës shqiptare si këpushë, sa majtas, sa djathtas është Vangjel Dule. Unë sot, jam këtu për të denoncuar këtë bashkëpunëtor të shbërjes së Shqipërisë, këtë mëtonjës të “Megallo Idesë”, këtë që në një intervistë televizive thotë që e kanë akuzuar se është dora e zgjatur e Athinës. Jo zotëri, ti je vetë dora e Athinës, as e zgjatur, as e shkurtuar. Ti përfaqëson në politikën e vendit fqinj dhe në politikën shqiptare misionarin e sherrit, dasisë. Vangjel Dule është ndjellakeq i luftës.
Po të bëj nja dy pyetje konkrete:
Çfarë lidhje keni me Eleni Dhimun, kryetaren e Rinisë së Vorio Epirit, një ekstremiste që promovon aneksimin e Jugut të Shqipërisë, nxit urrejtjen mes grekëve dhe shqiptarëve?
Çfarë lidhje ke me deputetin nazist të Agimit të Artë, Kristos Papas, ku je dhe në foton përkatëse?
Çfarë lidhje ke me Harallambos-Babis Karathanos, kryetar i shoqates “Autonomia e Vorio Epirit, i cili qysh nga viti 1982 është anëtar i organizatave terroriste SFEVA dhe PASIVA? Ja ku je në foto.
Del në një televizion kombëtar dhe thua se nuk ka as Çështje Çame, as çështje labe, myzeqare e kështu me radhë. Në sallë ke një koleg tëndin. Quhet Tahir Muhedini. Vetëm në kulmin e shtëpisë së tij janë vrarë 28 persona, gra, fëmijë, pleq. Si guxon dhe i thua Tahir Muhedinit që nuk ka Çështje Çame? Qindra mijëra shqiptarë të deportuar qysh nga vitet ’20 deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ishin dele? Ta thashë të deportuar si në eksodin biblik. Si merr guximin dhe thua nuk Çështje Çame, kur janë vetëm në varrezat e Kllogjerit 3000 të vdekur. Me mijëra në tokën e Çamërisë brenda kufirit shtetëror grek, të cilëve nuk i dihet as nami, as nishani. Si nuk paska Çështje Çame në botën e Dules, por ka Çështje Çame në botën e Komisionerit Hahn?
Bën krahasim të ligë me sudetët, duke e ditur fort mirë që në politikë, histori ecet me preçedentë, por jo me krahasim. Çështja Çame është genocid, i cili nuk është shuar si në rastin e sudetëve. Është genocid që vazhdon, sepse Ligji i Luftës me Greqinë është ligj genocidial.
Zoti Vangjel Dule, unë të akuzoj publikisht që ti je gënjeshtar.
Ti thua që Ligji i Luftës nuk ekziston, por gënjen. Ai ka krijuar një brez të ashtëquajtur “sigurie”, në të cilin as e gëzon dot pronën që të kanë zaptuar, as kthehesh dot për të jetuar, madje për ta vizituar. Nuk është Ligji i Luftës topi i mbushur me gjyle në Piramidën X në kufi. Jo, Ligji i Luftës ndalon lëvizjen e lirë, marrjen e pronës, zhvillimin e saj dhe jetesën e lirë në një shtet fqinj si Greqia. Ky Ligj shkel të drejtat e njeriut, jo vetëm për çamët, por për të gjithë shqiptarët që kanë prona në Greqi. E kam fjalën për gjirokastritët, korçarët, tiranasit, madje edhe shkodranët që investuan në prona në vendin fqinj para këtij Ligji dhe tani të shohin ty në sy që thua rrena në televizor.
Thua që nuk ka Çështje Çame, por mund të ketë vetëm çështje pronësie. E thua vetë që mund të hapim dava gjyqësore në shkallët e drejtësisë greke, madje deri në gjykatat ndërkombëtare.
Vangjel Dule, kjo nuk është vetëm gënjeshtër, por mbi të gjitha poshtërsi.
Po mirë, e zëmë se është vetëm çështje prone, meqë di greqisht dhe e njeh vendin që i shërben me zell më mirë se unë, a ka mundësi të marrësh pronën që trashëgojnë fëmijët e mi nga gjyshi dhe gjyshja e tyre dhe provo të më çelësh një proces për kthim prone në shkallën e parë të një gjykate çfarëdo greke. Vetëm hape po munde. Kaq dua, asgjë më shumë. Kaq duan dhe pronarët e tjerë në Çamëri, Gjirokastër, Korçë e gjetkë. Më pas le ta humbë në shkallën e parë, të dytë e të tretë, sepse kam Strasburgun dhe atje fitoj. Është njësoj si me ish-pronarët në Shqipëri. Por, këtu ti gënjen me ndërgjegje, prandaj them që kryen një poshtërsi.
Ligji i Luftës që ti thua se nuk ekziston ma ndalon pikërisht këtë gjë. Dënimi kolektiv që i keni bërë për bashkëpunim me nazistët synon pikërisht këtë. Të heq të drejtën të kërkosh pronën në të gjitha gjykatat greke. Për pasojë, nëse nuk konsumon shkallët e një gjykate vendase, nuk shkon dot në Strasburg. Asnjë traktat miqësie, sipër këtij ligji pastërtisht genocidial nuk merr dot fuqi dhe ti e din fort mirë këtë.
E kupton tani, pse me atë dënim kolektiv ju shpallët kolaboracionist Nexhat Mërgjyshin, 9 vjeç apo fëmijë nga 2-3 vjeç. Është e qartë përse e keni bërë, sepse keni llogaritur këtë ditë. Keni dashur jo të dënoni fëmijën, por kur ai të bëhej i rritur të ishte i dënuar që mos të kishte asnjë mundësi të kërkonte të drejtën e tij, lirinë e tij të lëvizjes, pronën e tij, nënshtetësinë e tij, ndreqjen e një historie që bën me turp Greqinë dhe i vë urat e zjarrit paqes në Ballkan.
Sipas teje, nuk ka Çështje Çame, por ka çështje ngrehinash në Himarë. Ti ke marrë guximin të shkelësh me të dyja këmbët Kushtetutën dhe mëvetësinë e Shqipërisë, kur thua se ka minoritet grek në Himarë, madje ankohesh për tre garazhe, të cilat m’i quan prona minoritarësh.
Kot, të të pyes e ke lexuar ndonjëherë Petro Markon ti? Ke gjetur kund tek ky njeri i madh ndonjë grimëz dyshimi për kombësinë e tij të pastër shqiptare. Meqë shkon shpesh në Himarë dhe dorë për dore me zonjën Eleni Sourani, ambasadoren e Greqisë në Tiranë, a guxon dot ta takosh pak një zotëri që është simbol i poezisë dhe folklorit shqiptar? Ai quhet Lefter Çipa, himariot qysh, kur u bë Himara. Thuaji pak se është grek, vlleh apo ku e di unë se nga vjen ti? Janë burra himariotët zotëri, jo njerëz pa identitet që i sollën këndej si shërbyes në shtëpitë çame. Janë kaq burra shqiptarët sa dhe shërbëtorët nuk i fyenin, por u dhanë lirinë e të jetuarit, madje edhe të përparimit. Prandaj unë jam këtu dhe të flas ty që je po këtu, sepse të parët tanë, nuk ia hoqën të drejtën e jetës shërbyesit. Për kaq duhet t’u thuash faleminderit të parëve të atyre që sot nuk i lini të kalojnë kufirin, sepse kanë lindur në Çamëri.
Nuk pate drojë, as nder, por shkon e thua që kthimi i një zonje 80 vjeç në kufi është çështje teknike dhe toponimesh. Po mirë, si do ndjeheshe o zotëri t’ia bënin këtë gjyshes tënde. Vetëm mundi i rrugës e vret një njeri në atë moshë, jo më fyerja që i bëjnë këta të pashpirt.
Thua se meqë kanë ndërruar emrat dhe i kanë depozituar emrat e rinj në OKB, nuk shkel dot nëna e tim shoqi në Greqi, se e ka vendlindjen Filat. Në radhë të parë, nuk janë ndërruar të gjitha emrat, sepse i thoni ju Filatit – Filates nuk do të thotë ndërrim emrash e toponimesh, pasi me këtë logjikë në Itali ai i Durrësit nuk duhet të hyjë, se ata i thonë Durazzo apo Shkodrës Scutari, nuk duhet të hyjnë as ata persona të lindur në Romë, se ne i themi Romë dhe italianët e kanë depozituar Roma. Në Kroaci pas pavarësisë kanë ndërruar mjaft emrat qytete e katunde që i kanë emëruar me të rënët e tyre heronj. Çfarë do të thotë kjo që një serb i lindur në ato anë nuk hyn dot më Kroaci?
Kësaj i bie, që nëse ke lindur në Qytetin Stalin dhe ke shkuar në Greqi, ne mos të të qasim, sepse tani i themi Kuçovë. Ky është mashtrim i ulët, zoti Dule.
Zoti Dule,
Në disa foto që kam parë vë re se në të ritë tuaj në meshat e shenjta të Fortlumturisë së tij Janullatos jeni si ata fëmijët ndihmës dhe ndoshta përkthyes. Pra, kjo më bën të besoj që je besimtar, praktikon meshën, njeh biblën, kristianizmin. Këtu besoj merremi vesh, sepse edhe unë jam besimtare, por katolike. Gjithsesi kemi një bibël, vijmë nga një origjinë përbashkuese.
Në besimin tonë dashuria për tjetrin është themelore. Zoti ynë në këtë mënyrë sfidoi farisejtë dhe shkoi në kryq duke marrë mëkatet tona. Nuk pyeti ai nëse hebrenjtë nuk i donin samaritanët, por rrëfeu udhën e besimit edhe për ata që ishin të ndryshëm nga besimi hebraik.
Në këtë dritë si mundesh të thuash për ca njerëz që i kanë masakruar që nuk ekzistojnë? Si mund të bësh gënjeshtarin, kur të duhet të shkosh në meshë të djelën? Ku e gjen forcën të gënjesh për Çështjen Çame, për pronat e shqiptarëve, të ndjellësh frymën e Vorio Epirit, idenë separatiste të Megallo Idesë? A beson në ato mesha që vetë ke përkthyer?
Në fund, dëshiroj të të them diçka që ka të bëjë me partinë që drejton dhe që ka atë emër aq të bukur. Ti e ke shpërbërë atë forcë politike, aq e nevojshme në vitet e para të pluralizmit politik shqiptar. Ti je njeriu më anti-grek që unë njoh, më anti-minoritar. Ti ke shkatërruar të gjitha kauzat e pakicës greke në Shqipëri, duke dashur t’i fusësh ata njerëz në zjarret e dasisë. Ke marrë një parti që kishte grup parlamentar dhe ja ku je këtu, veç ti, tek pullë në Kuvend. A e di përse? Sepse minoritarët nuk të duan më. Më shumë deputetë minoritarë ka Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim se sa ti dhe PBDNJ. Votuesit e ndershëm të minoritetit japin votën për partitë shqiptare, se nuk ta kanë më besën ty, sepse kërkon t’i hedhësh dhe ata në zjarr, si ta ka ënda të bësh me shqiptarët.
Vasil Melo para se të shuhej, thonë që e kanë helmuar dhe gojët e liga bëjnë përgjegjës dikë këtu…, por Vasil Melo të la një margaritar politik, të cilin e ke sjellë këtu, ku jemi sot. Nuk e di se ku e gjen dëshirën ndonjë që bën koalicion me ty, kaq i mbrapshtë sa je. Por, pas pak muajsh rrezikon mos të jesh më këtu, sepse minoritarët grekë do të përfaqësohen këtu me PD-në, PS-në, LSI-në, madje dhe me PDIU-në që ty të rri kaq ngushtë.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilën ti e konsideron shoviniste votoi që të kishte dy bashki për minoritetin në ndarjen e re administrative, Finiqin dhe Dropulli. A e di përse? Sepse duam bashkëjetesën në vend dhe jo sherrin, por ti këtë as e kupton, as e don.
Ka një vend, ku minoritarë dhe çamë shkojnë shumë mirë dhe të gjithë çuditen. Në Xarrë dhe Markat jetojnë për bukuri, sepse në këtë vend është Bashkia e Konispolit, ku kryetari është çam Shuaip Beqiri, dhe askush nuk ushqen urrejtjen mes tyre.
Pasi ndryshe nga ty, ne e duam tjetrin, atë që ka kombësi të ndryshme apo shtetësi tjetër. E duam të zhvillohet dhe të jetojë po si ne, nën të njëjtin vend, ashtu si na detyron Kushtetuta.
Kurse, ju zoti Dule doni aromën e masakrës që la pas një farë Napoleon Zerva. Gjithsesi, nuk ju urrejmë, sepse në mjerimin ku gjendesh, duhet veç me pas mëshirë.
Për ta përmbyllur këtë fjalë që vjen si përgjigje e gjithë baltës që hodhe në një media, duhet të them që ve[ një gjë më erdhi ndër mend tek të dëgjoja në për[artjen tënde:
Edhe sikur PDIU të mos egzistonte, do duhej të krijohej 1000 herë, qoftë edhe vetëm për të trimëruar politikën e sotme e për t’i bërë të heshtin individidë toksik si ti, të cilët e duan këtë vend të coptuar e nën këmbën e shovinistëve grekë.
E vetmja e vërtetë që the ishte që ne dhe ti ecim në drejtime të kundërta. Kjo ka vetëm një arsye. Ne jemi betuar për ketë Atdhe dhe nuk kemi Atdhe rezervë.