Albspirit

Media/News/Publishing

Nisin “arrnimet” e Vetting-ut, Rama heq njerëzit partiakë të reformës

Në të njëjtën ditë Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni si dhe Drejtori i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Arben Seferi i kanë dorëzuar kryeministrit dorëheqjen. Me argumentin se largimi i tyre do të shërbejë për të eleminuar çdo alibi të atyre që i frikësohen reformës në drejtësi, të dy titullarët kanë hapur krahun me urdhër politik.

Drejtoria e Pergjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar janë të dyja drejtori në varësi të qeverisë që janë parashikuar në Kushtetutë si institucione që do të bëjnë rivleresimin per prokuroret dhe gjyqtaret, i njohur ndryshe si Vettingu. Në këto institucione qeveria emëroi njerëz partiakë dhe funksionarë të Partisë Socialiste. Kështu Alket Hyseni, ka shërbyer pranë Partisë Socialiste si ish-kryetar i Komisionit të Garancive Statutore, ndërsa Arben Seferi ka qenë anëtar i Asamblesë Socialiste.

Por ligji i Vetting-ut dhe jo emrat e përzgjedhur u atakuan në Gjykatë Kushtetuese nga Partia Demokratike që asokohe ngriti pretendimin se varësia e këtyre dy institucioneve nga qeveria kompromentonte jo vetëm procesin e Vetting-ut, por edhe në tërësi reformën në drejtësi.Mediat raportuan se dorëheqja e titullarëve të dy institucioneve erdhi pas një takimi të kryeministrit Rama me ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili është ekspozuar së fundmi në përplasjen me kryeprokurorin e Përgjithshëm.

Vetë kryeministri në një reagim në rrjetet sociale kryeministri ka falenderuar dy drejtorët për vendimet e dorëheqjes, duke ripërsëritur të njëjtin tekst që drejtorët parashtruan si argument për dorëheqjen. “Falenderoj dy drejtuesit që u dorëhoqën për tu hequr cdo alibi kundërshtarëve të reformës në drektësi. Reforma nuk ndalet, vetingu nuk shmanget shkruan”.

Një arrnim i sforcuar që nxjerr sërish në pah problemet dhe nxitimin me të cilin u hartua paketa e reformës në drejtësi nga “flamurtarët” e nëj Shqipërie që do tundej nga themelet, por që po shkundet sipas orekseve politike dhe gurëve që Edi Rama lëviz vetëm me dirigjimin e miqve ambasadorë.

Please follow and like us: