Prokuroria e Përgjithshme, padi penale ndaj Komisionit Qëndror Zgjedhor
Në një njoftim për mediat Prokuroria e Përgjithshme ka bërë me dije se gjatë procesit të verifikimit janë konstatuar disa parregullsi nga Komisioni Qëndror Zgjedhor. Kështu KQZ ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore për një deputet dhe dy kryetarë bashkie. Gjithashtu, mësohet se KQZ për deputetin Armando Prenga nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë edhe pse e ka poseduar si informacion qysh nga data 27.05.2015 me anë të një vërtetimi të Gjendjes Gjyqësore. Në këtë rast KQZ duhet të kishte bërë një kallzim penal, pasi deputeti Prenga ka konsumuar një vepër penale të parashikuar në Kodin Penal. Për këto shkelje, si dhe të tjera të gjetura nga Prokuroria, kjo e fundit ka regjistruar një proçedim penal për shkelje ligjore nga ana e KQZ-së.
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
KABINETI
Tiranë, më 16.02.2017
NJOFTIM PER MEDIAN
“…Ndërkohë, një hetim penal është regjistruar edhe kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se, në disa raste, ky institucion nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të ligjit “Për Dekriminalizimin”. Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar:
1. Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë
2. Si edhe faktin që rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos.
Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane.
Ndërkohë, gjatë procesit të verifikimit, janë konstatuar disa problematika të theksuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si në administrimin e dokumentacionit, ashtu edhe në bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme. Kështu, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithe subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se për këta tre subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016. Po ashtu, pas ushtrimit të nismës nga ana e Prokurorit të Pergjithshëm për deputetin Armando Prenga, informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vertetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor. Për më tepër, edhe në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “JO” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë. Për këto shkelje, si edhe të tjera të konstatuara, rezulton se nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është mbajtur parasysh detyrimi dhe penaliteti i përcaktuar në nenin 9 të ligjit nr 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sipas të cilit: Neni 9 Detyrimi për bashkëpunim Çdo organ shtetëror apo person juridik, publik apo privat, ka detyrimin që të bashkëpunojë me organet e ngarkuara nga ky ligj, për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të deklaruara prej shtetasve, sipas këtij ligji. Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në procesin e verifikimit përbën vepër penale, në përputhje me nenin 248 të Kodit Penal (Shpërdorim i detyrës). Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për shkelje ligjore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Përgjithshme rikujton përgjegjësinë ligjore që ka çdo institucion tjetër, i ngarkuar me verifikimin paraprak në kuadër tee ligjit “Per Dekriminalizimin”, që të respektojë afatet e përcaktuara në ligj.
Albi SERANI, KËSHILLTAR PËR MEDIAN