Albspirit

Media/News/Publishing

Pse ka frikë LSI nga ndërkombëtarët?

Ardit Rada

Që në krye të herës mazhoranca është përballur me një opozitë në radhët e saj sa i përket Reformës në Drejtësi, premtim ky madhor dhe më i rëndësishmi i Partisë Socialistë në fushatën e vitit 2013. Kundërshtitë në fjalë kanë ardhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, si partia e dytë bashkëqeverisëse, por jo e vetmja e koalicionit fitues të zgjeruar rrugës së administrimit të Shqipërisë.

E thënë kështu, çfarëdolloj zëri i ardhur nga partia e Ilir Metës nuk përbën më habi për ndërkombëtarët e aq më tepër për shqiptarët veçse thellon dyshimet se LSI gjendet mes gjysmë-mollës së krijuar në ekzekutiv gjatë bashkëqeverisjes me PS dhe pjesës tjetër të pushtetit në gjyqësor të tashëguar nga lumturimi me Sali Berishën.

Ndërsa reforma në Drejtësi është duke hedhur gurët e fundit të themeleve dhe është në hapat fillestarë të nisjes së zbatimit, partia e Ilir Metës ka zgjedhur të bëhet pjesë e një debati që as opozita e Lulzim Bashës nuk e kërkon. Në fakt, gjatë konventës së fundit aleati më i madh i PS për momentin mbajti 15 fjalime kundër subjektit politik drejtues të qeverisë, aq sa edhe opozita nuk kishte mundur t’i artikulonte për tri vite. Megjithatë mes paralelizmave të Kryemadhit për piktura shumëngjyrëshe, me fytyrën e vërtetë të qeverisë, LSI tregoi se nuk mundet ende ta shkëpusë dëshirën për më shumë pushtet nga kërkesat e SHBA-BE për drejtësi.

Ditën e djeshme, ministri i Drejtësisë i kërkonte sqarime Presidentit përmes një letre në lidhje me atë që ai e quante në fund të fundit: pozicion antikushtetues i Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kërkesa për t’u kthjelluar e Petrit Vasilit u pasua sot nga ajo e Klajda Gjoshës. Ministrja e LSI i drejtohej me një zarf Komisionerit Johanes Hahn për një sqarim të detajuar që lidhet kryesisht me rolin e dyshes Lu-Vlahutin në mbikëqyrjen e ONM-së.

Në fakt, nuk është e habitshme sesi për një parti që karakterizohet më tepër nga mendimi personal sesa ai programor, dy ministra bien në një mendje brenda 24 orësh. E habitshme është tendenca pse LSI-ja e Metës ka një kompleks kaq të madh ndaj kontrollit të ndërkombëtarëve. Paralelisht me Reformën e madhe kemi nje kryetar partie që për të mposhtur dyshimet u detyrua të shkojë në SHBA plot 3 herë brenda një viti.

Megjithatë ndërsimi ndaj reformës nga ana e ministrave të rinj apo të vjetër të LSI është bërë procedurë e njohur. Mos ndoshta ka të bëjë me gëlltitjen e një luge çorbe të prishur gjatë koalicionit Berisha-Meta? Koha e bëri të sajën e nuk ka çfarë të na tregojë më. Presim haber nga letërmarrësit!

Please follow and like us: