Trump, NATO dhe Rusia – një kurs i ri?
Për shkak të tendosjeve mes NATO-s dhe Rusisë, aleanca ka nisur një kurs të ri. Po cili do të jetë pozicioni i Evropës në këtë kontekst?
Planet për reformimin e NATO-s ekzistojnë prej dekadash. Por qëndrimet e paqarta të presidentit amerikan, Donald Trump për rolin e Aleancës kanë rrënuar shumë përfytyrime të evropianëve. Përveç kësaj, Trumpi i cili e quante NATO-n të vjetëruar, ka kërkuar prej anëtarëve të saj që të shtojnë të dhënat për sektorin e mbrojtjes dhe ka sinjalizuar më shumë izolim në politikën e jashtme amerikane. “Është NATO vërtetë e vjetëruar? Absolutisht!” Jack Matlock, një nga ish – ambasadorët e fundit amerikanë në Bashkimin Sovjetik dhe autor i shumë librave për kohën e Luftës së Ftohtë, për Deutsche Wellen shpjegon: “NATO është themeluar për të evituar ndonjë sulm të Bashkimit Sovjetik ndaj Evropës Perëndimore. Rusia nuk mund të matet me pjesën tjetër të Evropës apo t’i dominojë ato. Ndryshe nga Trumpi, Matlock beson se ngritja e aftësisë së mbrojtjes do të ishte një hap në drejtim të gabuar.
“Është një iluzion i rrezikshëm të mendosh se konfliktet tona mund të zgjidhen përmes një gare ushtarake”, thotë Matlock, i cili e ka prezantuar SHBA-në në Moskë nga vitit 1987 – 1991. Në kohën e presidentit Ronald Reagan ai kishte një rol vendimtar për uljen e tensioneve të atëhershme mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.
“Problemet ushtarake mes NATO-s dhe Rusisë sot më kujtojnë lojërat gjeopolitike të forcave të mëdha në vitin 1914”, kujton Matlock kohën në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe pyet: “A thua fuqitë e mëdha nuk kanë mësuar asgjë nga historia?”
Ngritja e Gjermanisë
Pas themelimit të NATO-s në vitin 1949, sekretari i parë Hastings Ismay tha se për shkak të partneritetit “Rusia duhet të mbetet jashtë, amerikanët brenda ndërsa Gjermania poshtë”. Tani kur BRSS kaherë nuk ekziston dhe amerikanët po e rimendojnë rolin e tyre, Gjermania është ngritur në një prej fuqive më të mëdha ekonomike, ka marrë rolin udhëheqës në BE dhe është shndërruar në rrafshin diplomatik në një Global Player.
Por gjermanët ende janë të pakënaqur me faktin që çështjet e sigurisë drejtohen nga të tjerët, thotë Joachim Bitterlich në intervistë me DW. Në fund të viteve 1990-të ai ishte ambasador i Gjermanisë në NATO ndërsa më vonë edhe këshilltar i kancelarit Helmut Kohl dhe një prej autoriteteve më të njohura diplomatike të vendit.
Tani kur qëndrimi i SHBA po ndryshon, fuqitë evropiane duhet të marrin një rol më të fuqishëm në çështjet e mbrojtjes, thotë Bitterlich. “Trumpi ka thënë se NATO është vjetruar. Ne tani mund të diskutojmë se çfarë do të thotë kjo, por unë do të thosha se aleanca ka nevojë për reformim”, shton ai.
Përgatitjet për vizitën e Trumpit në maj
Uashingtoni nën presidentin Trump do të shtojë presionin ndaj aleatëve që të shtojnë mjetet financiare për mbrojtje, që ndoshta nuk përjashton edhe mundësinë e ndërhyrjeve në afërsi të BE, mendon Bitterlich.
Në shtigje afatmesme pritet të vazhdojë trendi i forcimit të evropianëve brenda NATO-s. Bitterlich thotë se Gjermania për shkak të ngarkesave nga historia do të ishte shumë e interesuar që Franca të merrte rolin udhëheqës në çështjet ushtarake. Detyra e parë e evropianëve është përgatitja e vizitës së parë të Trumpit në maj të këtij viti, në samitin e G7 në Itali dhe samitin e NATO-s në Bruksel. Këtu bën pjesë edhe hartimi i një plani për ngritjen e aftësive të mbrojtjes së vendeve evropiane. Përveç kësaj duhet hartuar plane edhe për njësi dhe struktura të përbashkëta komanduese, më shumë specializime dhe programe të përbashkëta armatimesh.
“Në këtë kuptim, besoj se bisedimet për një ushtri të përbashkët nuk janë edhe aq të pakuptimta”, thotë Bitterlich: “Ne gjithmonë do të bashkëpunojmë me SHBA, por ne duhet të marrim përgjegjësi më shumë, që do të thotë se duhet të jemi më të fuqishëm dhe më efikas.”
“Ide marrëzi”
Turbulencat politike mes SHBA. BE dhe Rusisë vijnë në një kohë jo të mirë: “trupat amerikane janë stacionuar në afërsi të kufirit me Rusinë, dhe të dy vendet janë duke rritur arsenalet e tyre bërthamore. Moska aneksoi Krimenë në vitin 2014, ndërsa NATO ka ngritur nivelin e gatishmërisë. Rusia fajësohet për dërgimin e trupave në lindje të Ukrainës, ndërsa SHBA ka dërguar muajin e kaluar mijëra trupa dhe qindra automjete të blinduara në vendet afër Rusisë – Poloni, Hungari dhe Rumani për të evituar ‘agresionin rus'”.
Por Bitterlich dhe Matlock pohojnë se Rusia nuk do të sulmojë NATO-n. “Rusia nuk do të sulmojë asnjë vend fqinj, anëtar të NATO-s dhe nuk do të rrezikojë në asnjë mënyrë futjen e SHBA në luftë kundër Rusisë”, pohon Matlock: “Kjo do të ishte një ide marrëzi.” Matlock thekson se forcimi i bazave ushtarake në lindje nga NATO shkel marrëveshjen me Rusinë se SHBA nuk do të mbajë trupa në Lindje.
Kaukazi dhe Ukraina – linjat e kuqe të Putinit
“Baltiku për Putinin është i humbur”, thotë Bitterlich: “Ai nuk është vërtetë i interesuar për këto vende dhe kjo vlenë edhe për Poloninë”. Putin ka bërë të ditur se linjat e kuqe janë në Kaukaz dhe në Ukrainë. “Mendoj se amerikanët dhe evropianët që nga fillimi i shekullit kanë bërë tepër gabime ndaj Rusisë. Ato e kanë vlerësuar gabimisht Rusinë dhe pa nevojë i kanë bërë presion. Ato nuk kanë dëgjuar paralajmërimet për shkak të ekspansionizmit të NATO-s në çështjen e Gjeorgjisë dhe Ukrainës. “Amerikanët kanë bërë shumë gabime psikologjike. Obama e ka përshkruar Rusinë si një ‘fuqi rajonale’. Edhe evropianët e kanë sjellë Rusinë në një gjendje të pamundur në çështjen e Ukrainës”.
Bitterlich mendon se NATO ka ardhur në një moment kur duhet të ndërtojë raporte më të arsyeshme me Rusinë. “Kjo nuk do të ndodhë gjatë natës. Disa gjëra kërkojnë kohë për të ruajtur fytyrën e të dy palëve, por vullneti ekziston. Amerikanët me Trumpin do të përpiqen që të gjejnë një rrugërrugën për tejkalimin e problemeve, që do të ishte mirë për evropianët.”
Ndërsa Matlock mendon se “siguria e Evropës nuk varet nga SHBA”. Nëse evropianët, duke përfshirë edhe Rusinë, vendosin që të rikthejnë zhvillimet tragjike nga e kaluara dhe të luftojnë kundër vete, atëherë nuk mund t’i shpëtojë as SHBA”. Por Matlock nuk e beson se kjo do të ndodhë.
“Unë dua të shtoj se Evropa nuk është e plotë dhe paqësore pa Rusinë apo me Rusinë si armike.”