Urimi për pavarësinë e Kosovës, mediat serbe: Trump, shuplakë Serbisë
Mediat në Beograd shkruajnë sot që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dhënë një shuplakë të rëndë Serbisë me faktin që i ka dërguar sot Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, letër urimi me rastin e shpalljes së, siç thonë këto medie, së njëanshme të pavarësisë.
Siç thuhet në deklaratën e publikuar sot në uebfaqen e presidentit të Kosovës, shkruajnë mediat serbe, Trump ka theksuar se partneriteti mes SHBA-së dhe Kosovës mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta.
“E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike e demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare”, të përditshmet beogradase citojnë presidentin Trump. Trump ka shtuar se e mirëpret vazhdimisht e bashkëpunimit të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në rritjen e zhvillimit demokratik e ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë.