Vetting-u 1992/ Dritëro Agolli: T’i zgjedhim gjyqtarët, pastaj hapim dosjet…lumi ta marrë kush është ngatërruar
Reagimi i Gramoz Pashkos e Azem Hajdarit, detajet e një debati shumë interesant, kur zgjidheshin anëtarët e Gjykatës së Kasacionit dhe Gjykatës Kushtetueses. Verifikimi i figurës së tyre përmes hapjes së dosjeve.
Janë të shumta momentet, kur është diskutuar pastërtia e figurës së politikanëve, por edhe e gjyqtarëve. Ka nisur në vitin 1990 për të mos u ndalur deri tani, kur sistemi i politikës dhe i drejtësisë në Shqipëri po bëhet gati t’i nënshtrohet Vetting-ut. Ka ndodhur në vitin 1992, kur zgjidheshin anëtarët e rinj të Gjykatës së Kasacionit dhe asaj Kushtetuese, kur deputetët kërkuan hapjen e dosjeve të tyre për të parë, nëse kishin bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit. Megjithë këmbënguljen e disa deputetëve për të hapur dosjet e kandidatëve për gjyqtarë, Kuvendi votoi kundër këtij propozimi dhe dosjet e tyre nuk u hapën kurrë, ashtu siç nuk u hapën as dosjet e poltikanëve.
Madje argumenti kryesor i deputetëve që votuan kundër hapjes së dosjeve për gjyqtarët, ishte fakti që ato nuk ishin hapur për politikën.
Por, ky propozim i bërë 24 vjet më parë, është jetësuar aktualisht në ligjin e vetting-ut. Kjo do të thotë se për 26 vite askush nuk u përball me të shkuarën komuniste, as gjyqtarët e as politikanët, por bashkëjetuan për kaq kohë në korrupsion duke e pozicionuar Shqipërinë në një ndër vendet më të korruptuara në botë.
Më poshtë botohen pjesë nga debatet në Kuvend për hapjen e dosjeve për gjyqtarët e Kasacionit dhe Kushtetueses në vitin 1992. Dritëro Agolli, i cili ishte në atë kohë deputet i PS-së, spikat me qëndrimin e tij me humor, ashtu siç e kishte zakon. Ai mbron variantin që dosjet e juristëve mund të hapen pasi kjo të ndodhë me politikanët. Të kundërtën kërkojnë Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko, të cilët e shohin si një domosdoshmëri hapjen e dosjeve për njerëzit e drejtësisë, megjithë hapja e dosjeve nuk kishte ndodhur ende për politikën. Janë fjalimet e rralla të tre personaliteteve, të cilët nuk janë më mes nesh. Dritëro Agolli ndërroi jetë pak ditë më parë. Gramoz Pashko humbi jetën si pasojë e një aksidenti rreth 11 vjet më parë, ndërsa Azem Hajdari u vra para selisë së Partisë Demokratike, 19 vjet më parë. Kanë qënë ndër deputetët më aktivë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë në vitet e para të pluralizimit.
Dritëro Agolli
Unë mendoj se nuk duhet të shtyjmë me arsyetime të gjata votimin, zgjedhjen, ta bëjmë sa më shpejt. Në vendet e drejtësisë dihet që kërkohen dy gjëra: ndershmëria dhe njohja në një qark të gjerë njerëzish. Autoriteti u njihet relativisht njerëzve, kurse ndershmëria nuk u njihet plotësisht po nuk u hapën dosjet. Por, dosjet edhe për këta gjyqtarë që do të zgjedhim ne do të hapen, atëherë kur të hapen për ne të gjithë, sepse ne s’mund të kërkojmë të hapen për ata, kur nuk janë hapur për ne.
Pra, dosjet të hapen në një kohë për të gjithë. Unë jam për hapjen e dosjeve, por jo të hapen dosjet pastaj t’i zgjedhim. T’i zgjedhim, pastaj lumi ta marrë kush është ngatërruar.
Grada shkencore për gjyqtarët është një minus, bile ata që kanë gradë shkencore nuk duhet të zgjidhen, sepse këto grada shkencore në këto shkenca, e tha dhe Baleta, por veçanërisht në organet gjyqësore, kanë qenë tepër të manipuluara, domethënë merrte gradë shkencore ai që dënonte më shumë. Sa për qind ke dënuar? Kaq. Atëherë kaq e ke gradën. (Ilaritet në sallë, duartrokitje nga galeria)
Gramoz Pashko
Kisha për të bërë një sugjerim konkret, që të mund të zgjidhte problemin, për të cilin po diskutohet gjatë këtu. Pushteti gjyqësor është pushteti i drejtësisë i pavarur nga aspektet politike e të tjera. Pra, kriteri bazë, me të drejtë nuk është ai i titullit apo gradës shkencore, por është ai i ndershmërisë. U kërkua me të drejtë nga shumë parafolës që të jepet një curriculum vitae që ne të jemi të bindur, kur të votojmë se votojmë për njerëzit e ndershëm që i duhen këtij vendi për të mbrojtur drejtësinë, drejtësinë që ka të bëjë me interesa tepër sensibël pas një diktature të gjatë 45-vjeçare. Unë jam i propozimit konkret që të krijohet këtu menjëherë një komision nga deputetë dhe të marrë listën e këtyre personave të propozuar dhe të shkojë të verifikojë dosjet, atje ku janë dhe të na japë një lloj vlerësimi me mandat të plotë për këta persona. Pastaj, në proces e sipër të vazhdojë verifikimi i dosjeve dhe për politikanët që janë në këtë sallë apo në format e tjera të pushteteve. Verifikimi i dosjeve të politikanëve është çështje publicistike, se dikush mund t’i ketë shërbyer Sigurimit të Shtetit dhe thotë doja t’i shërbeja dhe ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë i mirë apo i keq. Problemi është për të ditur publikisht hapur se cilët janë politikanët e sotëm të Shqipërisë. Ndërsa për juristët, mua kjo më duket e domosdoshme. Pra, unë them të krijojmë këtu një komision, të biem dakord prej sa vetash, siç krijuam komisionin për simbolet, për të verifikuar këta persona. Një orë, dy orë do të jetë i gjithë procesi i verifikimit të këtyre emrave dhe ky proces mbyllet.
Azem Hajdari
Mendimi im është që duhet realizuar hapja e dosjeve të këtyre personaliteteve që do merren në Gjykatën Kushtetuese nga një grup i parlamentit. Atëherë t’u jepet votëbesimi. Sa kohë që nuk do të hapen dosjet për këta njerëz që do të marrin në Gjykatë, votimi s’ka vlerë.