Antiproletarët e reformës dhe qeveria e absurdeve
Absurdi politik në Shqipëri është gjysmëqeveria që drejton Edi Rama. Themi gjysmëqeveria pasi jemi në pikën ku polemikat “pro” dhe “kundër” asaj që mund të quhet kryereforma e mandatit të parë të çiftit Rama-Meta po konsumohen brenda atij që quhet “Koalicioni për Shqipërinë Europiane”.
Akoma dhe më qesharak është portretizimi që vjen nga trungu i pushtetit për degën e Pemës që në terma politikë quhet Rilindje. Nga njëra anë është Ministri i Drejtësisë që kritikon hapur rolin antikushtetues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e reformës dhe rolin e ambasadorëve dhe nga ana tjetër kemi ministrat oponentë të oponencës.
Jemi në pikën ku çdo kritikë apo këndvështrim josocialist mbi reformën në drejtësi quhet armiqësor apo aluçinacion Bolshevik. Dhe këtë e thotë partia dhe ministrat e brumit antiimperalist që sot kanë dalë partizanë të proamerikanizmit, mbi të cilin ndërtojnë edhe fabulat e qeverisë gjysmëproletare dhe gjysmëeuroamerikane. Ja çfarë thotë ministri i Jashtëm për qeverinë ku ai bën pjesë.
“Me reformën në drejtësi ndërtojmë një kulturë politike larg blloqeve të çimentuara. Nuk bie dakord me nostalgjikët e filmave me diversantë. Kërkojnë ta portretizojnë reformën në drejtësi si cenim të sovranitetit. Kërkojnë ta portretizojnë reformën si ndërhyrje e të huajve në punët tona”- tha ai, duke nënkuptuar ministrin e LSI-së me të cilin i pret një fotografi kolektive në fund të mandatit. Edhe ministrja të tjerë si ai i Brendshëm apo dhe drejtorët e Rilindjes flasin me të njëjtën gjuhë, për ata që sipas tyre nuk e duan Vettingun ndonëse janë në të njëjtën karrocë me ta, për të cilën kryeministri thotë se ecën përpara, duke lënë mbrapa qentë që lehin. Teatri që po konsumohet është kjo qeveri dhe karagjozët që e tërheqin…/respublica/