Bjorn Lombor: Të mësojmë nga Bill Gates
Fondacioni Bill & Melinda Gates shpenzon më shumë para çdo vit në ndihmat për zhvillim sesa shumica e qeverive të pasura. Çdokush – nga zyrtarët dhe burokratët e zgjedhur deri te votuesit dhe taksapaguesit – mund të mësojë nga fondacioni më i madh bamirës në botë.
Çdokush – nga zyrtarët dhe burokratët e zgjedhur deri te votuesit dhe taksapaguesit – mund të mësojë nga fondacioni më i madh bamirës në botë rreth shpenzimeve të zhvillimit efektiv. Dhe këto leksione janë veçanërisht të rëndësishme në një kohë kur 56% e europianëve besojnë se qeveritë e tyre duke të përqendrohen vetëm në çështjet vendase dhe t’i lënë vendet marrëse të përballen vetë me problemet e tyre aq sa të munden (kundërshtimet për ndihmat janë edhe më të larta në Francë, Poloni, Itali, Hungari dhe Greqi).
Gazeta me qarkullimin më të madh në Mbretërinë e Bashkuar, Sunday së fundmi lançoi një peticion që bën thirrje për t’i dhënë fund shpenzimeve të ndihmës (me vlerë 0.7% të të ardhurave kombëtare). Përpara fitores në zgjedhje, presidenti amerikan Donald Trump doli kundër “dërgimit të ndihmës së huaj në vendet që na urrejnë” duke reflektuar përhapjen e idesë se ndihma duhet të ndërpritet. Shtetet e Bashkuara japin më pak se 1% të buxhetit federal për ndihmë, por amerikanët e zakonshëm mendojnë se kjo shifër është 31 herë më e lartë.
Fondacioni Bill & Melinda Gates shpenzon më shumë para çdo vit në ndihmat për zhvillim sesa shumica e qeverive të pasura. Ndryshe nga qeveritë e zgjedhura, që përballen me prioritete në konkurrencë, që variojnë nga shqetësimet diplomatike te pëlqimet e taksapaguesve, Fondacioni Gates mund të përqendrohet në atë që funksionon më mirë. Kjo është mëse e qartë në buletinin informativ të përvitshëm që Bill dhe Melinda sapo botuan, ku i shpjegojnë biznesmenit Warren Buffett se si po shpenzohen 30 miliardë dollarët që ai i ka dhën fondacionit – dhurata më e madhe e bërë ndonjëherë. Ata po shpenzohen në tre zona specifike investimi: vaksinim, kontraceptivë dhe ushqim.
Të tjera janë studiuar thellësisht nga specialistë të ekonomisë të organizatës sime Qendra e Konsensusit të Kopenhagenit, që bën kërkime mbi ndërhyrjet dhe politikat me potencialin më të madh për të përmirësuar botën.
Investimi në vaksinim është afërmendsh. Mbulimi i paketës bazë të vaksinave të fëmijërisë është tani më i lartë se kurrë, në 86%. Shumica e fëmijëve në botë tashmë janë të mbrojtur kundër fruthit, tetanosit, kollës së mirë, difterisë dhe poliomielitit, duke shpëtuar rreth tre milionë jetë në vit. Hendeku mes vendeve më të pasura dhe më të varfra është më i ngushtë se kurrë më parë.
Por ka ende shumë punë për të bërë. Kërkimet e Konsensusit të Kopenhagenit përllogarisin se për 1 miliardë dollarë në vit, programet e vaksinimit mund të zgjerohen duke parandaluar pneumoninë dhe diarrenë në fëmijëri, duke shpëtuar kështu një milionë jetë në vit. Ky kërkim tregon se çdo dollar shtesë i shpenzuar për vaksina mund të gjenerojë 60 dollarë në mirëqenien njerëzore. Siç thotë Melinda gates, shpëtimi i jetës së fëmijëve është “leverdia më e madhe në filantropi”.
Kontraceptivët janë një tjetër zonë ku shifrat flasin vetë – dhe ku ka progres të konsiderueshëm, me një pjesë të mirë të ardhur si pasojë e Fondacionit Gates. Por më shumë se 200 milionë gra ende nuk kanë akses në kontraceptivët modernë. Arritja e aksesit thuajse-universal në planifikimin familjar do të kishte një çmim vjetor prej 3.5 miliardë dollarë; por do t’ lejonte grave më shumë kontroll mbi shtatzëninë, që do të kishte 150,000 vdekje mëmësore më pak dhe rreth 600,000 fëmijë jetimë më pak, ndërsa dividenti demografik do të nxiste rritjen ekonomike. Përfitimet në shoqëri ia vlejnë 120 herë koston.
Përmirësimi i ushqimit për një fëmijë është gjithashtu një investim jashtëzakonisht i mirë. Fëmijët e pazhvilluar fizikisht nuk është se dështojnë në lulëzimin fizik; ata gjithashtu mbeten pas bashkëmoshatarëve të tyre të ushqyer më mirë edhe në aftësitë e zhvillimit konjitiv. Ata dalin më keq në shkollë dhe bëjnë jetë më të varfër kur rriten. Ushqimi mirë i të porsalindurve krijon një rreth të virtytshëm, me rritje të përfitimeve për brezat pasues. Analiza kosto-përfitim tregon se çdo dollar i shpenzuar në ndërhyrje për ushqim në 1000 ditët e para të jetës së fëmijës mund të sjellë përfitime me vlerë 45 dollarë. Në disa vende, ky përfitim mund të arrijë deri në 166 dollarë për çdo 1 dollar të shpenzuar.
Analiza nga Konsensusi i Kopenhagenit tregon se çdo dollar i parave të shpenzuara të Warren Buffett nga Fondacioni Gates mbi vaksinim, kontraceptivë dhe ushqim po gjeneron një përfitim me vlerë 45-120 dollarë. Buffett është i famshëm për investimet e tij dinake, por një kthim i tillë – në kuptimin e zhvillimit – është po aq fenomenal sa çdo arritje biznesi.
Këtu gjendet edhe leksioni për qeveritë. Fondacioni Gates ka një fokus të veçantë në investimet e fuqishme që mund të arrijë rezultate befasuese me kosto të ulët. Nëse nuk mund të ndreqim gjithçka njëherësh, duhet të fillojmë nga aty ku ka përfitime më të mëdha.
Le ta krahasojmë këtë me qasjen e Kombeve të Bashkuara për zhvillim. Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të tij (SDG) – axhenda e rëndësishme që do t’i japë formë shpërndarjes së triliona dollarëve shpenzimeve të ndihmave qeveritare për 15 vitet e ardhshme – përfshin 169 synime të ngatërruara zhvillimi që janë vështirë të menaxhohen.
Sigurisht, ushqimi, imunizimi dhe kontraceptivët mbulohen edhe te SDG. Por ato humbin mes një shumëllojshmërie synimesh të tjera që hyjnë në detaje – dhe dalin nga tema – si për shembull rëndësia e turizmit të qëndrueshëm dhe aksesi në kopshtarinë ndër-qytetase për personat me aftësi të kufizuara. Këto sigurisht që janë të rëndësishme; por SDG-të supozohet të ofrojnë themele për investimet më jetësore. Në këtë aspekt, ato dështojnë.
Ky dështim është arsye për shqetësim, sepse përqendrimi në zona që bëjnë diferencën më të madhe nënkupton shpëtim jetësh. SDG zëvendësuan Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, që ishin tetë premtime të thjeshta dhe të qarta si përgjysmimi i varfërisë globale, pakësimi i vdekshmërisë së fëmijëve dhe dërgimi i fëmijëve në shkolla. MDG-të shpëtuan të paktën 21 milionë jetë.
Do të ishte përjashtuese dhe e gabuar të sugjerohet se sektori privat ka sukses në ndihmat e zhvillimit dhe se sektori publik dështon; shumë nga sukseset më të mëdha të Fondacionit Gates kanë rezultuar prej partneriteteve me qeveritë. Por argumenti më kryesor për ruajtje dhe rritjen e shpenzimeve për ndihmat në zhvillim është të përqendrohemi në investimet më të mira në fillim. Qasja e Fondacionit Gates duhet të jetë frymëzim.