Europa është fuçi baruti, Ballkani është fitili. Nuk ka një rrezik rus për rajonin…
Nuk është Ballkani fuçi baruti, por Europa. Ballkani është fitili dhe gjenerues i disa konflikteve që nuk mund të izolohen. Ky është mendimi i ekspertit Norbert Mappes-Diediek, i cili në një intervistë për agjencinë gjermane “Deutsche Welle”, thotë se Europa nuk duhet të largohet nga ky rajon.
“Njerëzit në këto vende e dinë, se disa qeveri nuk ndjehen të detyruara për të respektuar standardet demokratike dhe ato të shtetit ligjor. Por ato e dinë që në Bruksel është ndryshe dhe ato nuk mund t’i lejojnë të gjitha. Kjo luan një rol shumë të rëndësishëm, nëse bëhet fjalë për mbështetjen e perspektivës europaine, madje kjo është edhe më e rëndësishme se sa liria e lëvizjes së forcave të punës apo paratë nga Brukseli”, thotë ai duke parashtruar rolin e BE-së si një autoritet që garanton mbi të gjitha shpresën për demokraci në Ballkan.
Sipas Mappes – Diediek, Ballkani mund të arrijë vlerat dhe standardet e BE-së, “por u mungon një motivacion i fortë”. Më tej akoma, nuk ekziston sipas tij rreziku që rajoni të riorientohet nga Rusia siç përflitet shpesh në media dhe nga politikanë të ndryshëm.
Unë nuk besoj, që këto vende tani do të orientohen nga Rusia, ashtu siç rëndom shprehet kjo drojë. Rusia në thelb nuk ka shumë për të ofruar, përveç energjisë, ky vend do të mbingarkohej duke luajtur tani një rol, siç e ka luajtur deri më sot BE-ja. Këtë e dinë të gjithë. Por rusët mund ta shfrytëzojnë mundësinë që ta vështirësojnë situatën, thotë ai.
Kur vjen puna te çështjet e sigurisë, Bashkimi Europian duhet të kuptojë se potenaciali shpërthyes i krizave të mëdha është brenda tij e në këtë kuadër Ballkani është thjesht një fitil.
Ballkani në fakt nuk është aspak fuçi baruti. Fuçi baruti është Europa. Por Ballkani është fitili. Kjo është e rrezikshmja. Konfliktet, që krijiohen aty, nuk mbeten aty. Ato nuk mund të izolohen. E pikërisht situata aktuale, ku bota është bërë e paqëndrueshme, ku nuk ka një fuqi orientuese, palët e konfliktit në Ballkan e kanë edhe më të lehtë, që të gjejnë aleatë diku mes fuqive të mëdha. E në fakt kjo është situatë si në vitin 1914 – e kësaj duhet t’i trembemi më së shumti, përfundon Mappes – Diediek.
http://www.dw.com/sq/mappes-niediek-europa-%C3%ABsht%C3%AB-nj%C3%AB-fu%C…