Fillesat e mjekësisë shqiptare
Dr. Flamur Tartari: Si u krijua spitali i parë shqiptar nga Kryqi i Kuq Amerikan në vitet ‘30
Prof. dr. Flamur Tartari ka një përvojë të gjatë në fushën e mjekësisë si pedagog dhe si mjek. Së fundmi, ai ka botuar një libër kushtuar një prej mjekëve më të vjetër shqiptarë, dr. Osman Jonuzit dhe lindjes së mjekësisë në vendin tonë në vitet ‘20-30. “Osman Jonuzi dhe bashkëpunëtorët e tij” i kushtohet themelimit të Spitalit të parë të Tiranës, kur Kryqi i Kuq Amerikan i vendosur në Tiranë kontribuoi për themelimin e këtij spitali që do të shënonte dhe fillesat e mjekësisë shqiptare. Ajo që sot njihet si Qendra Universitare Nënë Tereza në emërtimin e parë quhej “Zogu i Parë” dhe është spitali i parë shqiptar, i themeluar në kohën e Mbretit Zog.
Tartari sjell fakte interesante në librin e tij, të panjohura më parë si: nënshkrimi nga dr. Jonuzi të hyrjes së Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, 1926; për ndihmën amerikane në këtë fushë, që nga doktori personal i presidentit Wilson, dr. Cary T. Grayson dhe deri te kontributi i madh i Fondacionit Rockefeller në mjekësi dhe në tharjen e kënetave, që ishin burimi kryesor i malaries në vendin tonë etj.
Në një intervistë për gazetën MAPO, dr. Tartari flet për librin, si e sheh mjekësinë shqiptare sot dhe çfarë duhet bërë që të ecim me hapin e kohës. Dr. Tartari i është bashkëngjitur projektit të Universitetit Europian të Tiranës për hapjen e një dege të veçantë për Mjekësinë në vitin akademik 2017-2018.
Dr. Tartari, ju jeni autor i “Osman Jonuzi dhe bashkëpunëtorët e tij”, a është ky një libër për fillesat e mjekësisë shqiptare?
Mjekësia shqiptare i ka fillimet shumë të hershme, sepse duke qenë një vend i vogël, në mes të Europës, do të kishim edhe ne mjekësi, sepse ajo vjen si pasojë e nevojave të njerëzve. Librat e parë të historisë së mjekësisë shqiptare janë shkruar në vitet ’60 nga prof. Fejzi Hoxha dhe prof. Çërçiku, që paraqisnin disa aspekte pozitive, por kishin edhe karakterin politik. Ndërkohë ky libër që i kushtohet një prej mjekëve të parë shqiptarë, drejtor i spitalit të parë shqiptar, Osman Jonuzit, përcakton si lindi spitali i parë i Tiranës në 1920, që ishte kryesisht vendim i Kongresit të Lushnjës, që të hapej ky spital i parë në Tiranë dhe vendim i dytë ishte që u bë Tirana kryeqytet.
Ata që e hapën këtë spital, ku i kishin marrë shkollimin dhe eksperiencat në këtë fushë?
Spitali i parë u ndihmua nga Kryqi i Kuq Amerikan që erdhi në 1919 në Shqipëri. Atë e solli një mik i shqiptarëve, që nuk është përmendur më parë, Cary Grayson, i cili ka dhënë ndihmën kryesore, si mjeku i Presidentit të SHBA në atë kohë, Wilson. Kontakti i tij me Shqipërinë lindi kur ai ishte duke kryer specializimin në Boston, dhe një natë iu desh të mjekonte një vajzë shqiptare. Edhe siç jemi ne shqiptarët bujarë e mikpritës, e bëmë mik të vendit, mirëpo në të njëjtën kohë ishte çështja kombëtare e themelimit të shtetit shqiptar. Grayson ishte në anën tonë, nguli këmbë për të drejtat tona, në krah të Nolit dhe Vasil Qiriazit. Më pas qeveria e solli në 1919 Kryqin e Kuq Amerikan dhe mori dr. Osmanin për të themeluar spitalin.
Pse dr. Osmanin?
Dr. Osmani kishte studiuar në Turqi, në 1905 përfundoi studimet atje, ishte mjek shumë i zoti dhe punoi fort për spitalin e ri. Ai u dënua në Turqi, duke qenë ushtar i Turqisë në Tunizi, me shpalljen e pavarësisë, nuk u lejua të kthehej në Turqi. Ai u bë mjek i spitalit të parë, e më pas drejtor i tij në 1920-ën. Pra, spitali i vogël që hapi Kryqi i Kuq e solli Jonuzin si mjek fillimisht. Bashkëpunëtorë kryesorë ishin Sulejman Delvina, Ismail Ndroqi, kryetari i Bashkisë në atë periudhë, dhe Irhat Frashëri.
Pasi drejtoi spitalin e parë ai u emërua nga Zogu si Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë, në rang ministri në atë kohë, dhe punoi me mish e me shpirt për të ngritur nivelin e shërbimit shëndetësor ndaj popullsisë, në një kohë kur bënin kërdinë sëmundje si: malaria apo tuberkulozi. Mendimet e tij për zhvillimin e mjekësisë ishin përparimtare. Në kërkimet e mia në Arkivë kam zbuluar se si ai organizoi nëpër rrethe të tjera të vendit, Elbasan, Korçë, Kukës, ngritjen e shërbimit shëndetësor normal dhe bashkëkohor dhe ndikoi në zgjimin e popullit për kujdesin ndaj shëndetit. Gjithashtu kërkoi fonde për bursa për mjekësinë dhe dërgimin e mjekëve të rinj për specializime jashtë vendit. Në atë kohë u dërguan 11 vajza në universitetin e Barit që të specializoheshin për mami etj.
Ju në libër flisni edhe për mbështetjen që i ka dhënë fondacioni Rockefeller këtij spitali, dhe një doktor i famshëm i këtij fondacioni ka vizituar Shqipërinë, dr. Frederic F. Rusell. Sa njihet kjo pjesë e historisë?
Në 1932 u rritën shumë kërkesat e popullit shqiptar për një spital të mirëfilltë dhe u sollën projekte të ndryshme në ndihmë dhe ai solli ndihmën e tij, por kjo nuk është një pikë kryesore në libër. Një nga pikat më kyçe është fakti se në 21 qershor 1926, dr. Osmani firmosi Konventën Higjieno-sanitare me urdhër të Kryeministrit, që lejoi për herë të parë futjen e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Më këtë përveç shumë bursave, u fitua lidhja me fondacionin Rockfeller. Në 1931-1932 u bë Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë në rolin e ministrit, pati lidhje të shumta me ambasadorin amerikan Herman Bernstein, i cili influencoi pozitivisht në financimin për kurimin e sëmundjeve si malaria, tuberkulozi etj., dhe bëri tharjen e kënetave në Yzberisht e në vende të tjera dhe solli vetë inxhinierët e tij që ta bënin këtë pjesë.
Me çfarë investimi u bë spitali i parë?
Kur u themelua ishte ndër spitalet më të mira në Ballkan, i quajtur Zogu I, dhe u krye me investime të shqiptarëve të mbretërisë së Zogut, por u dha ndihmë nga shumë fondacione si aiRockefeller. Mirëpo mbetet për t’u thënë se financimi kryesor u bë nga populli i Tiranës që arritën të grumbullonin 9000 napolonë ari për të pajisur spitalin, ndërsa Zogu ndihmoi me tokën e blerë prej 10 mijë dynymësh, toka ku shtrihet sot QSUT.
Çfarë ecurie pati më tej mjekësia shqiptare sipas jush?
Periudha 1920 – 1939 ishte ndikimi kryesor ku mjekët tanë kishin përfunduar studimet në Perëndim, duke filluar dhe në 1929, si Ismail Tartari, xhaxhai im, hapi për herë të parë Radiologjinë dhe Sabri Tefiku, që themeloi Patologjinë Shqiptare. Në periudhën e komunizmit u krye një organizim tjetër. Mjekësia u bazua në anën sociale, në profilaksi.
Po tani çfarë po ndodh me mjekësinë shqiptare? Cilat janë problemet e saj?
Tani pothuajse mjekësia ka rënë fare, nuk është ajo mjekësi e asaj kohe. Nuk ka kushte, nuk ka akoma aparaturën për shkrirjen e gurëve, për shembull. Mjekësia ka shumë nevojë për investime.
Ju jeni afruar pranë Universitetit Europian të Tiranës, në një moment kur ky universitet ka një projekt të madh për hapjen e një shkolle mjekësie. Si e shihni këtë projekt?
Kjo është një gjë e madhe, sepse duhet një proces konkurrence që të ndihmojë ecjen para të Mjekësisë. Stafi i Universitetit Europian të Tiranës nuk ka vendosur që të ketë një Fakultet Mjekësie pa pasur lidhjen e një spitali përkatës. Duhet atashuar një klinikë me këtë fakultet, sepse nuk ecën mjekësia ndryshe dhe UET këtë po bën. Hipokrati ka thënë që mjekësia mësohet duke ndenjur pranë të sëmurit. Ai e ka thënë rreth 2500 vite më parë. Është esenciale, pasi mjekësia është praktikë, mësim, lexim dhe prodhim teknikash që nuk bëhen dot pa përvojën direkte. Kjo duhet bërë që të krijohet një brez i aftë mjekësh të rinj.
Mjekë të shquar të fondacionit “Rockefeller” vizitojnë Shqipërinë
Gazeta “Besa”, 17 Maj 1933
Dr. F.F. Russell, Drejtor i Përgjithshëm Ndërkombëtar i Shëndetësisë së fondacionit “Rockefeller”, dr. George K. Strode, drejtor i përgjithshëm i Evropës, së bashku me dr. Hackettin, mbërritën të dielën pasdite në Durrës për të bërë një vizitë në seksionet antimalarike të Shqipërisë.
Shefi i seksionit antimalarik të Tiranës, dr. Anton Ashta, dhe inxhinierët Fred. W. Knipen dhe Stahlin, shoqëruan miqtë e Fondacionit Rockefeller gjatë vizitës për të parë punimet dhe masat që janë marrë kundër malaries në Durrës.
Mjekët e këtij fondacioni pëlqyen punimet e bëra në kënetën e Durrësit, veçanërisht për t’u lavdëruar ishte kriposja e kënetës, nëpërmjet hapjes së kanalit 8 km në Porto Romano, në veri të qytetit, që mundësoi depërtimin e ujit të detit në kënetë. Kjo i largon mushkonjat, pasi larvat e tyre nuk mund të zhvillohen në ujëra me përqindje të lartë kripe.
Të dielën pasdite miqtë amerikanë erdhën në Tiranë. Të shoqëruar dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, dr. Osmani, ata vizituan imtësisht punimet antimalarike të bëra në kryeqytet dhe shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e kësaj drejtorie me seksionet antimalarike. Gjithashtu, mjekët e Fondacionit Rockefeller vizituan spitalin e shtetit, ndërsa nesër e tutje do të shkojnë për të parë nga afër seksionet antimalarike në Vlorë, Elbasan dhe Berat.