Kur Rockefeller thante kënetat e Shqipërisë
Sot në Shqipëri është bërë temë e ditës të flitet për Sorosin, një miliarder amerikan, që prej 25 vitesh me anë të fondacionit të tij ka financuar projekte të ndryshme për demokracinë e të drejtat e njeriut në Shqipëri. Pak dihet për rolin amerikan në ngritjen e Shqipërisë në vitet 20-30 kur u ndërtua shteti i parë shqiptar. Një tjetër fondacion i madh në atë kohë, i prej familjeve më të pasura në botë, Rockefeller, ka ndihmuar shqiptarët duke financuar ngritjen e spitalit të parë shqiptar, sot QSUT, dhe duke tharë kënetat shqiptare që nga Durrësi deri në Vlorë, me të cilat u mburr më vonë Enver Hoxha pa i njohur meritat.
Amerikanët
Në librin e Prof.Dr.Flamur Tartari “Osman Jonuzi dhe bashkëpunëtorët e tij”, i cili vazhdon të mbajë gjallë shoqatën shqiptaro-amerikane në nder të Rockefeller-ve, ka fakte të panjohura më parë për ndihmën amerikane në këtë fushë, që nga ndikimi i doktorit personal të presidentit Wilson, Dr.Cary T. Grayson dhe deri tek kontributi i madh i Fondacionit Rockefeller në mjekësi dhe në tharjen e kënetave që ishin burimi kryesor i malaries në vendin tonë, etj..
Mjekë të shquar të fondacionit “Rockefeller” vizitojnë Shqipërinë*
Gazeta “Besa” 17 Maj 1933
Dr. F.F. Russell, Drejtor i Përgjithshëm Ndërkombëtar i Shëndetësisë së fondacionit “Rockefeller”, Dr.George K. Strode, drejtor i përgjithshëm i Evropës, së bashku me Dr.Hackettin mbërritën të dielën pasdite në Durrës për të bërë një vizitë në seksionet antimalarike të Shqipërisë.
Shefi i seksionit antimalarik të Tiranës, dr.Anton Ashta, dhe inxhinierët Fred. W. Knipen dhe Stahlin, shoqëruan miqtë e Fondacionit Rockefeller gjatë vizitës për të parë punimet dhe masat që janë marrë kundër malarias në Durrës.
Mjekët e këtij fondacioni pëlqyen punimet e bëra në kënetën e Durrësit, veçanërisht për t’u lavdëruar ishte kriposja e kënetës, nëpërmjet hapjes së kanalit 8 km në Porto Romano, në veri të qytetit, që mundësoi depërtimin e ujit të detit në kënetë. Kjo i largon mushkonjat, pasi larvat e tyre nuk mund të zhvillohen në ujëra me përqindje të lartë kripe.
Të dielën pasdite miqtë amerikanë erdhën në Tiranë. Të shpqëruar dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, Dr.Osmani, ata vizituan imtësisht punimet antimalarike të bëra në kryeqytet dhe shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e kësaj drejtorie me seksionet antimalarike. Gjithashtu mjekët e Fondacionit Rockefeller vizituan spitalin e shtetit, ndërsa nesër e tutje do të shkojnë për të parë nga afër seksionet antimalarike në Vlorë, Elbasan dhe Berat.