Uran Butka

PERSEKUTIMI SHTETËROR I MUSINE KOKALARIT

(Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit)

Unë s’jam fajtore. Unë s’jam fashiste. S’jam komuniste dhe ky nuk mund të quhet faj. Kam kulturë demokratike. Unë jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…

Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”. Këto fjalë përshkënditëse e tronditëse të Musine Kokalarit, të shqiptuara përpara xhelatëve këtu e gjysmë shekulli më parë, janë një refleks i formimit botëkuptimor, rilindës e demokratik të saj, opozitarizmit, pafajësisë, qëndresës dhe reagimit të saj intelektual, politik e qytetar. Ndaj, edhe regjimi diktatorial e dënoi mizorisht Musine Kokalarin. Së pari, sepse rridhte e përfaqësonte denjësisht një familje intelektuale të Gjirokastrës, familjen Kokalari, me tradita të shquara atdhetare e kulturore.

Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar në 1942, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova-djepi i Shqiptarizmit”, të Hamit Kokalarit dhe librat e Musinesë etj.

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kush- ërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij dhe zbatuar nga Kristo Themelko pushkatoi pa gjyq e pa faj 11 personalitete të shquara të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezërit e saj, Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Hamiti ishte i sëmurë me tifo se do të kishte pësuar të njëjtin fat. Syrja dhe Emin Kokalari u pushkatuan, Hivziu vdiq në burg dhe Isai në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pa fund.

(AQSH, F.14 d.2/a v.1944) Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen në një letër vëllai i Musinesë, Muntaz Kokalari, i cili shkroi këtë letër tri ditë para pushkatimit, shpjegon qartazi persekutimin e familjes Kokalari: “Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale…

Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vet; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë…”. (Letër e Muntaz Kokalarit drejtuar znj. Makbule, dt.09.11.1944) Së dyti, Musineja ishte një intelektuale, që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit dhe kishte idhull Naimin dheMid’hat Frashërin, ndërkohë që kishte kulturë perëndimore, ishte kundërshtare e çdo ideologjie totalitare dhe iu kundërvu si nazifashizmit, ashtu edhe komunizmit.

“Në odën time të vogël- shkruan ajo në ditarin e saj- përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të Lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë… Unë jam nxënësja e tyre…”

Musineja kishte studiuar në shkollat me emër, shqiptare dhe të huaja: Instituti “Nana Mbretneshë” dhe mandej “Universiteti i Romës”. Qysh në bankat e shkollës, Musineja shkruante poezi dhe skica letrare, që i botonte në organet e shtypit me pseudonimin “Muza”(1937), mandej vëllimin me tregime “Siç më thotë nënua plakë” (1939), veprën memoristike “Jeta ime universitare 1940- 1942”, botimet letrare “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta”, 1944, studimin “Naim Frashëri”(1941), me të cilin mbrojti diplomën universitare etj.

Ajo ishte një nga gratë më të kulturuara dhe më të ditura të Shqipërisë: botuese, gazetare, shkrimtarja e parë shqiptare, ideali i së cilës në jetë ishte liria dhe në letërsi ishte e vërteta. Së treti, sepse Musine Kokalari u bë edhe një politikane socialdemokrate e njohur dhe rivale politike e PKSH. Së bashku me nacionalistin e Ballit Kombëtar, Skënder Muçon, i cili më vonë u vra nga pushtuesit gjermanë, Isuf Luzin dhe Selman Rizën, ajo themeloi në tetor 1943 Partinë Socialdemokrate shqiptare, si alternativë e Ballit Kombëtar, i cili edhe vetë kishte një program socialdemokrat (Dekalogu).

Themelimi i një partie socialdemokrate europiane ishte një nismë e re politike në Shqipëri, një alternativë e demokracisë sociale, një udhë mes të djathtës dhe të majtës, siç thoshte ajo, dhe një mundësi më shumë pluralizmi politik demokratik në Shqipëri. Madje, në janar të vitit 1944, me ndihmesën e Nexhat Peshkëpisë nxori edhe gazetën “Zëri i Lirisë” në gjashtë numra, ku përmbahet edhe programi thellësisht kombëtar dhe demokratik i Partisë Socialdemokrate, i ngritur mbi katër shtylla kryesore: Ideali i vëllazërimit e i bashkimit kombëtar; luftë e gjithëforcave mbarëshqiptare kundër okupatorëve nazifashistë për çlirimin e vendit; liri politike dhe drejtësi shoqërore. (Gazeta “Zëri i Lirisë” nr.1, janar 1944, Biblioteka Kombëtare)

Kështu, Musineja kishte thyer kryedogmën komuniste: monopolin absolut të PK në luftë dhe në pushtet, të formuluar e të nxitur nga komunistët serbo-sllavë; kishte vënë në program si parësore çështjen kombëtare, luftën për liri dhe demokraci, platformën për të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe demokratizimin e vendit. Ajo shkruante: “Mbas Mbledhjes së Mukjes kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut… Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”. (Arkivi i MB, dosja e Musinesë).

Mbas Luftës, kur Shqipëria po vihej nën diktaturën komuniste, Musineja dhe demokratët jashtë dhe brenda Frontit NÇ reaguan dhe themeluan opozitën e parë antikomuniste, Bashkimi Demokratik Shqiptar, një aleancë e partisë socialdemokrate, e kryesuar nga Musine Kokalari, Fronti i Rezistencës, kryesuar nga Sami Qeribashi, grupi monarkist i drejtuar nga Qenan Dibra dhe grupi demokrat i përjashtuar nga Fronti NÇ i drejtuar nga Gjergj Kokoshi.

Shpirti i këtij bashkimi opozitar tejet demokratik ishte Musine Kokalari. Ajo e kuptoi se duhej krijuar një opozitë e bashkuar, pavarësisht nga tendencat politike, ku secila parti të ruante identitetin e vet. Një aleancë, e cila sipas pikëpamjeve të saj do të ishte legale dhe do të luftonte vetëm me mjetet demokratike paqësore.

Musineja hartoi programin e opozitës së bashkuar, një program thellësisht demokratik e kombëtar, ku përfshihej edhe zgjidhja e problemit të Kosovës me plebishit, sipas Kartës së Atlantikut:

1) Qeverisje demokratike dhe respektim i të drejtave të njeriut.

2) Miqësi me shtetet demokratike, sidomos me vendet fqinje.

3)Zgjidhja e problemit të Kosovës me anë të një plebishiti, ose sipas Konferencës së Paqes.

4) Respektimi i të drejtave të pakicave.

5) Zbatimi i gjithë reformave, duke pasur parasysh dhe traditat.

6) Të luftohet çdo element fashist apo profashist dhe kriminelët e luftës.

7) Të njihet neutraliteti i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.

8) Të mbahet një fuqi e armatosur sa për sigurimin e qetësisë së brendshme. (M. Kokalari: Si lindi Partia Socialdemokrate).

Në hetuesi, tek i kërkonin shpjegime për këtë program, Musineja depononte: “Ky është një program demokratik… Zgjedhjet të jenë të lira dhe të marrin pjesë të gjithë. Nuk kemi pasur qëllim të rrëzojmë pushtetin me dhunë”. (Arkivi i MB, Dosja e M.Kokalarit). Gjithashtu, Musineja hartoi edhe Notën drejtuar qeverive demokratike perëndimore për të mundësuar shtyrjen e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e opozitës në to. Kur kryetari i gjyqit, Frederik Nosi, e pyeti Musinenë nëse ishte e vërtetë që ajo e kishte përpiluar Notën drejtuar qeverive aleate perëndimore, ajo iu përgjigj me kurajë: “Po, është e vërtetë. Notën e bëra në emër të tri grupeve.

Iu drejtova aleatëve për të ndërmjetësuar për zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e opozitës në to”. Ky opozitarizëm ishte i mjaftueshëm për diktaturën, që ta asgjësonte politikisht dhe fizikisht Musinenë, dhe opozitën. Partia Komuniste eliminoi të gjitha partitë ekzistuese, grupimet dhe individët që ishin jashtë Frontit NÇ, edhe nëse ata vepronin memjete demokratike apo luftonin kundër okupatorëve.

Musineja e thotë hapur: “Ju po më dënoni, jo se kam bërë faj, por se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni se doni të përmbysni pushtetin”. (M.K., “Si u krijua PSD”) Së katërti, Musine Kokalari nuk ishte dhe nuk u bë kurrë vegël e PK dhe e Enver Hoxhës.

“Ç’kërkonte Enver Hoxha nga unë, mos duhet të bëhesha agjente?”, denonconte ajo. Si një demokrate, ajo kërkoi të bashkëpunonte edhe me Fronin NÇ në luftën kundër okupatorëve, por duke qenë më vete si identitet dhe program. Si nacionaliste, ajo e shihte bashkimin e gjithë faktorëve politikë jo si një shkrirje, por si një aleancë për bashkëpunim kombëtar.

“Unë e shikoja këtë jo në prizmin e një bashkimi të Ballit Kombëtar me Frontin Nacionalçlirimtar, mbi bazë aleance demokratike. Mbi këtë bazë, kur rashë në kontakt me Nexhmije Xhuglinin dhe parashtrova intensifikimin e luftës kundër okupatorit, unë ia parashtrova që të hynim në gjirin e Frontit NÇ jo si individë të veçantë, por një grup demokratik, ose më mirë si parti socialdemokrate, që të përfaqësonte rrugën e mesme dhe të lidhte me të forcat e pakristalizuara, duke u radhitur me të në aleancë.

Ajo nuk e pranoi këtë tezë dhe tha se sot nuk ishte nevoja e formimit të partive të tjera, por e organizimit të luftës kundër okupatorit”. (M.K., “Si u krijua PSD”) Së pesti, u dënua edhe si shkrimtare, edhe si publiciste dhe studiuese e njohur, nga që nuk u pajtua me letërsinë e partishme të realizmit socialist dhe bëri një letërsi të sajën, të lirë dhe origjinale.

Agjenti i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Shkëndia” raportonte”: “Në fjalët eMusinesë del qartë qëndrimi i saj ndaj letërsisë kallp të realizmit socialist, shkrimtarëve të shndërruar në vegla mekanike, që shkruajnë gjëra të paqena, duke nxjerrë në pah gjoja të vërtetën. Musineja ka pëlqyer dhe vlerësuar shkrimtarin Ismail Kadare”. Gjithashtu, në një informacion tjetër flitet për takimin e saj me Bilal Xhaferrin dhe për mendimet për një tregim të tijin.

Së fundi, sepse Musineja ishte në radhë të parë: NJERI. Ajo ishte e hapur, e ditur, jashtëzakonisht e zgjuar, e talentuar, por edhe krenare, dinjitoze e me karakter të fortë, të pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndershmërisë njerëzore. Mirëpo njerëzorja e Musinesë ishte në kundërshtim me antinjerëzoren e “njeriut të ri komunist”, që ushqehej me luftë e me urrejtje, me mosbesim ndaj Zotit dhe njeriut.

Ajo ishte një kundërshtare dhe një qëndrestare e vendosur, që nuk u kthye nga rruga e saj, që nuk u nënshtrua, që nuk e kërkoi falje, prandaj dhe hakmarrja dhe ndëshkimi qenë të pam- ëshirshëm. Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruante: “Komunistët më varrosën për së gjalli se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?… Unë s’jam fajtore…”.

Edhe në gjyq kërkoi veç drejtësi. Me persekutimin e Musinesë u morën drejtpërdrejt tre ministra e Brendshëm: Koçi Xoxe, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, dhe veglat e tyre: Nesti Kerenxhi, Nevzat Haznedari, Gjon Banushi etj. “Hetuesit e mi ishin Nesti Kerenxhi e Gjon Banushi, Thoma Rino e Nevzat Haznedari. Unë e kisha të lehtë të mbrohesha, ata e kishin të zorshme të mbanin në këmbë akuzën. Gjatë hetuesisë ndaj saj u përdorën presione e tortura psikologjike e fizike të lemerishme.

Sipas Drita Kosturit, shoqes së saj të burgut, “Xhelatët tërboheshin, nuk e duronin qëndresënshpirtërore të Musinesë, e thërrisnin, e merrnin në pyetje, e provokonin, po ajo e qetë, e papërfillshme, krenare e me kulturë, nuk u jepte kurrë shkas për asgjë. Një herë atë e veshën me dimitet tiranase, ia shtrënguan fort belin, ia lidhën këmbëzat dhe i futën brenda një mace, të cilën filluan ta godisnin. Merrni me mend tmerrin e asaj gruaje të brishtë nën kthetrat e tërbimin e maces, gjakun që i rridhte dhe traumën që pësoi pas asaj torture çnjerëzore”.

Pas gjashtë muajsh hetuesie e nxorën në gjyq. Aktakuza e prokuror Nevzat Haznedarit përmblidhet në këto pika:

1. Ka bashkëpunuar me krerët e Ballit e të Legalitetit.

2. Mbas Çlirimit ka sabotuar pushtetin popullor.

3. Ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e fshehta që ka bërë grupi socialdemokrat, grupi i rezistencës dhe ai monarkist, duke zgjedhur një komitet të përbashkët.

4. Në bashkëpunim me krerët e këtyre grupeve kanë përgatitur nota e programe për aleatët, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre. Shtoi këtyre akuzave të Haznedarit edhe akuzat e Frederik Nosit, kryetar i Gjykatës Ushtarake, i cili akuzon Musinenë për terrorizëm: “Kjo grua zhvillon aktivitet të gjerë kriminal terrorist”. Ironi e fatit! Ata që ushtronin vetë terrorizëm shtetëror, duke shkelur edhe ligjet e kohës, pikërisht ata akuzojnë Musinenë intelektuale, demokrate e paqësore për terrorizëm. Po mbrojtja e Musinesë? “

– Akuzat që më bëhen, nuk i pranoj! – Refuzoj t’u përgjigjem pyetjeve që bëhen nga ana e gjykatës!”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që e jep qartë edhe qëndrimin e saj të plotë prej politikaneje demokrate, konsekuente dhe e papërlyer. Ajo u dënua me 23 vjet burg, me humbjen e të drejtave civile, si dhe konfiskimin e pasurisë. Provoi burgjet e llahtarshme të Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Burrelit, duke qëndruar e pathyer.

Siç tregojnë bashkëvuajtësit, ajo i ndihmonte të burgosurit, sidomos moralisht, ishte kthyer në një motër-murgeshë të dhimbjes e të shërimit shpirtëror. Ajo u bë udhëheqësja shpirtërore e grave të burgosura dhe simbol i qëndresës së tyre në burgjet e diktaturës si: Raile Luzi, Drita Kosturi, Rita Koka, Qefsere Begeja, Nurije Koculi, Hava Golemi, Lavdie Petrela, Marie Medicina, Jolanda Tafmizi etj., etj. Ish-e burgosura Nurie Koculli tregon:

“Musineja kish një shpirt human.Kush ishte sëmurë, ajo i vinte menjëherë në ndihmë. Kush ishte i dëshpëruar, ajo ia hiqte vuajtjet dhe ndikonte qëndresën. Ajo ishte shëmbëlltyrë e virtytit…”. Musineja shoqërohej e bisedonte veçanërisht me Raile Luzindhe sipas një agjenti të Sigurimit të Shtetit:

“Para disa ditëve, e burgosura Musine Kokalari bisedonte me të burgosurën Raile Luzi, të cilës i thoshte se ti duhet të qëndrosh e fortë gjithmonë dhe nuk duhet të përulesh”. (Nga raportet e Sig.Shtetit) Lirohet nga burgu në 1961, pas 16 vjet burgu dhe internohet përjetësisht në Rrëshen, ku për 22 vjet punon në bujqësi e ndërtim si punëtore e punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga agjentët e Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet “Shkëndia”, “Zampuda”, “Brisku”, “Kalaja”, “Çajupi”, “Bamja”, “Referati”, “Besniku”, “Piktri”, “Lisi”, “Munella”, “Besa”, “Aparati”, “Pëllumbi”, të cilët njoftonin për lëvizjet, takimet e bisedat e saj. Të dhënat e tyre, shpesh pa dashur, shkojnë në favor të vlerave të Musinesë, bie fjala agjenti “Besniku” raportonte: “Musineja ka thënë: ‘Unë kam qenë dhe jam kundër vijës së Partisë. Unë jam me ide tjetër dhe do të vdes me këtë ide.

E nisa këtë rrugë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe në luftë për jetë a vdekje. Unë humba dhe nuk arrita atë që ëndërroja, por prapë jam kryelartë’”. (raportimi i 1 janarit 1975) Në Rrëshen askush nuk i afrohej, sikur të kishte murtajën.

Puna e rëndë në ndërtim dhe vegla e saj e preferuar në “zanatin e llaçit”, siç e përcaktoi ajo lopatën, e lodhin, por vetmia dhe përndjekja e dërrmojnë. Megjithatë, ajo shkruan vargjet: “Të përshëndes Rrëshen/qytet i ri/të gjeta të vogël/u rrite edhe nga krahët e mi!”. Pas punës, lahej e vishej me ato rroba që kish dhe shëtiste vetëm. I pëlqente të shëtiste, por më tepër të shkonte në vendin e saj të parapëlqyer: në bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat.

Dy vjet qëndroi me të nëna plakë, Aneja e saj e dashur. Një ditë ajo u kthye në Tiranë dhe të afërmit u habitën kur e panë: Në dy vjet ishte shfytyruar, ishte tmerrësisht e zbehtë, si një fantazmë. Vdiq ato ditë në Tiranë. Musineja, mbasi mori leje nga Dega e Brendshme në Rrëshen dhe u paraqit në Degën e Brendshme të Tiranës, arriti ta gjejë të pambuluar.

“Ti Ane, edhe baltën do ta hidhërosh me ato që ke hequr”, i pëshpëriti Musineja kur i hodhi një dorë dhe përsipër. E dërrmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja sëmuret nga kanceri. “Ç’fat tragjik, – shkruan ajo. Më doli dhe sëmundja kundër.

Të paktën të kisha pasur pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.” E persekutuan edhe kur ishte e sëmurë rëndë. E shtruar në Onkologjik, ajo shkruante: “Këtu kuptova një gjë: Për mua jo vetëm nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin”. Vetëm pas gjashtë muajsh u operua, kur kishte marrë fund. Në letrat e fundit që i shkruante Platonit, shprehej vetëm me një shqetësim: “Të mos humbasin dorëshkrimet.

Tjetër gjë s’dua. Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar as ndihmë e as lehtësi, as jam ankuar që mbeta e braktisur. Kur ata që të kanë në dorë, të varrosin për së gjalli pa të drejtë, është e kuptueshme që asnjëri nuk don të rrezikohet. Për shëndetin tim ose për sëmundjen time s’i drejtohem kujt, aq më tepër atij personi që kishte në dorë të lehtësonte akuzën time.

Tani jam nga fundi dhe sido që të jetë, ishalla kam fat të mos lëngoj. Ju përqafoj të gjithëve”. Musineja ishte e vetmuar dhe në ditën e vdekjes. Dorëshkrimet ia rrëmbyen djajtë e Degës. Mbi një kamion riportabël ngarkuar me zhavorr, u mbart për te varrezat arkivoli me trupin e saj skelet, veshur me një fustan të ri, të bardhë, të nuses së vdekur! Po komunizmi nuk ia varrosi dot idetë dhe veprën e saj të pavdekshme.