Merkel: I qëndroj deklaratës
“Spiunim mes miqsh, kjo nuk shkon aspak”, tha dikur kancelarja Merkel mbi aferën e spiunazhit të NSA-së amerikane në Gjermani. Edhe pas daljes së saj para komisionit hetimor nuk kuptohet mirë besueshmëria e deklaratës.
Angela Merkel, dëshmitarja e fundit në komisionin hetimor për aferën e përgjimit të agjencisë amerikane të sigurisë në Gjermani, NSA nuk i lë asgjë rastësisë. Para se deputetët të enjten (16.02) në Berlin të bënin pyetjet e tyre lidhur me aferën transatlantike të spiunazhit, ajo lexoi një gjysmë ore një deklaratë. Si vërejtje që në fillim: “aftësia e kujtesës së njeriut” pas kaq vitesh “nuk është gjithmonë e saktë”, thekson Merkel, duke e paraqitur qëndrimin e saj mbi bazën e citateve nga raportimet në media, konferencat e shtypit dhe intervistave. Sipas tyre, kancelarja e ka mësuar aferën e spiunazhit si opinioni publik në qershor 2013. Zbulimet e Edward Snowden përcaktuan për ditë me radhë axhendën e kancalares. Partneri më i rëndësishëm ka qenë Obama, i cili pak më vonë erdhi për një vizitë të rëndësishme në Gjermani, ku bisedua për “çështjet e internetit”.
“Nuk jemi në Luftën e Ftohtë”
Spiunim mes miqsh, kjo nuk shkon aspak”, kjo fjali e njohur e kancelares Merkel u përhap në qershor 2013. Deklarata tjetër ishte: “Nuk jemi më në Luftën e Ftohtë”. Edhe këtë e kujton Merkeli para komisionit hetimor. Ajo kujton edhe deklaratën para qindra gazetarëve në konferencën federale tradicionale të shtypit, ku thotë “Qëllimi nuk i justifikon mjetet. Pra jo çdo gjë që është e mundur edhe duhet të bëhet. Në tokën gjermane duhet të respektohen ligjet gjermane.” Edhe mbi përgjimin e celularit të saj, Merkel thotë se është shprehur në bisedë me Obamën, “si tërësisht e papranueshme”. Por ajo theksoi se nuk ka prova për përgjimin e celularit të saj.
Merkel: Besim tek dora e djathtë
Më në fund kur deputetët arrijnë të marrin fjalën, kreu i komisionit hetimor, Patrick Sensburg (CDU) pyet se si ishte “ndjesia e saj e parë” pas bërjes publike të zbulimeve. Merkel i përgjigjet se iu duk se kishte të bënte me një “çështje me rëndësi, që do të preokuponte për një kohë të caktuar qeverinë gjermane”. Ajo i ishte lutur ministrit të kabinetit, Ronald Pofalla për sqarimin e situatës. Pofalla e deklaroi aferën të mbyllur në fund të gushtit 2013, një muaj më vonë në Gjermani zhvilloheshin zgjedhje parlamentare. Shumë deputetë të opozitës, Të Gjelbrit dhe E Majta besojnë, se Pofalla e mbylli aferën për ta mbajtur jashtë fushatës zgjedhore. Vërtet, komisioni i parë hetimor u mblodh në prill 2014, dhe Merkel ishte sërish kancelarja e koalicionit me bazë të gjerë, CDU/CSU dhe SPD. Pyetjeve lidhur me këtë mënyrë veprimi, Merkel iu përgjigj, se “kam pasur dhe kam besim tek ministri im ia atëhershëm i kabinetit.”
Të gjitha përpjekjet e deputetëve për të mësuar gjëra të reja mbi aferën nuk kanë sukses. Janë pyetje lidhur me marrëveshjen “No Spy” mes Gjermanisë dhe SHBA-së, spiunimin e partnerëve europianë nga BND-ja, komandimi i droneve amerikane nga baza e Ramshtajnit. Merkel i delegoi këto pyetje tek “ekspertët e lëndës” në zyrën e kancelares. Merkel nuk mund ose nuk do të thotë më shumë se ato që kanë thënë të tjerët nga rrethi i ngushtë i saj. Lidhur me fjalinë “spiunim mes miqsh, kjo nuk shkon aspak”, Merkel e pyetur nga deputetët thotë, se “i qëndroj deklaratës”. Edhe pas katër orë e gjysmë pyetjesh, asgjë e re. Në tribunën fillimisht të mbushur plot, janë larguar një e treta e dëgjuesve. Pas shtatë orësh seanca përfundon.