Pence në Europë për të zbutur liderët e acaruar nga Trump
Zv. Presidenti i SHBA, Mike Pence, do të nisë nesër turin zyrtar në Europë. Qëllimi i vizitave është zbutja e aleatëve të shqetësuar evropianë nga deklaratat e Donald Trump për Rusinë dhe NATO-n. Në këto vizita, Pence do të riafirmojë angazhimin e SHBA-ve. “Evropa është një partner i domosdoshëm i Shteteve të Bashkuara” ka thënë Mike Pence në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Këtë mesazh ai do ta përsërisë edhe gjatë bisedimeve dypalëshe të planifikuara nga e shtuna deri të hënën, me kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe udhëheqësit e vendeve baltike.
“Ne jemi shumë më të sigurt dhe më të begatë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë të bashkuar dhe të fortë”, tha një këshilltar i zv. Presidentit, i cili dha një pasqyrë të këtij udhëtimi të parë në Evropë për Mike Pence.
Donald Trump, i cili dukej se ishte distancuar nga marrëdhëniet tradicionale transatlantike pas lavdërimeve ndaj presidentit Vladimir Putin, ka ngjallur shqetësimin e kancelarive evropiane.
“Mike Pence i duhet të mbajë një fjalim më qetësues”, sigurojnë këshilltarët e tij. Ata theksojnë nevojën për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit të Minsk, për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës dhe për të vazhduar mbajtjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.
Bisedimet e tij nuk do të jenë të kufizuara për liderët evropianë. Zv Presidenti i SHBA pritet të diskutojë për luftën kundër terrorizmit me presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik me kryeministrin e Irakut, Haidar al Abadi dhe kryeministrin turk, Binali Yildirim.
Të hënën në Bruksel, Mike Pence do të takohet me disa udhëheqës evropianë dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Megjithatë, lëvizja e tij vjen në një klimë të trazuar për Shtëpinë e Bardhë, pas dorëheqjes të hënën të këshilltarit për sigurinë kombëtare të Donald Trump, Michael Flynn.
“Ai do të përpiqet të shuajë të gjitha pasiguritë e evropianëve dhe të rregullojë komentet e Trump para tyre, duke u përpjekur t’i shpjegojë ato, por unë mendoj se nuk do t’a zgjidhë problemin”, deklaroi ish këshilltari, tashmë pjestar i Fondit gjerman Marshall, një grup amerikan i promovimit të marrëdhënieve transatlantike.