Albspirit

Media/News/Publishing

Misioni shkollor i jashtëzakonshëm i Ernest Koliqit

SHKRESË/

Nga ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, dërguar më 23 qershor 1941, Ali Hasharovës, nëpërmjet së cilës ky i fundit njoftohet për dërgimin e një Mision Shkollor të Jashtëzakonshëm në Kosovën e çliruar, nën udhëheqjen e tij

Nr. 1162/14                                                                             Tiranë, 23 qershor 1941

Zotni  A L I  H A S H A R O V Ë S/

Antarit t’Inspektoris s’Epërt/

K ë t u/

Për me studjue gjendjen arsimore simbas programës qi përshkruhet mâ poshtë në Kosovën e lirueme, kam vendosë me dërgue atje nji misjon shkolluer të jashtzakonshëm.Si Kryetar të këtij Misjoni kam caktue Zotnin t’Uej, mbasi, i mbështetun në provat qi keni dhanë në t’i kryemìt e detyravet të ndryshme, qi ju kam pas ngarkue herë pas here, kam besimin e plotë se do t’ja dilni në krye si mâ mirë edhe kësaj pune kaq të randësishme nga çdo pikpamje.

Veprimtarija e Juej qi do të zhvilloni në Kosovën e lirë përmbledh studimet e gjendjes s’Arsimit Filluer e të Mesëm si edhe rregullimin e kursevet verore për gjuhën shqipe për të mëdhaj e të vegjël.

Këtu po ju radhisim në pika kryesore programën e punës, qi do ta zhvilloni:

  1. MBI ARSIMIN FILLUER
  1. Cilat janë qendrat e shkollavet fillore, që funksjonojshin në vitin shkolluer 940-941;
  2. Ç’numër nxansish dhe ç’fuqi mësimore kishte secila shkollë (të ndamë në shqiptarë e sllavë, kur janë të përzieme);
  3. Cilat ishin shkolla verore e cilat dimnore dhe me ç’sistem veproshin (orar i rregulltë apo gjymës dituer);
  4. Sa dhe cilat nga këto qendra shkollore janë thjeshtë shqiptare, cilat të përzieme (tue i da me numrin) dhe cilat krejt sllave;
  5. Me sa vite shkollore janë;
  6. Në ç’gjendje janë ndërtesat shkollore;
  7. Ku duhet, ose mund të hapen shkolla të tjera;
  8. Ç’numër fuqish mësimore, ma të paktën do të duhen për vitin e ardhshëm shkolluar, tue shënue për secilën shkollë numrin qi i duhet;
  9. Përpjestimisht me popullsin, të studiohet mundësisht:
  10. a) Sa fëmij shqiptarë e ndiqshin dhe sa duhesh t’a ndiqshin;
  11. b) Sa mund të mbërrijë numri i fëmijëve qi mund ta ndjekin por edhe që duhesh ta ndiqshin si-kur të zbatohej plotësisht detyrimi shkolluar;
  12. Sa libra mund të lypsen për t’u falë për popullsin shkollore të vobekët.
  1. MBI ARSIMIN E MESËM:
  1. Sa shkolla të mesme funksionojnë.
  2. Ku janë qendrat e tyne;
  3. Ç’farë tipit janë;
  4. Si janë ndërtesat;
  5. Numri i klasave;
  6. Numri i nxënësve (tue i ndamë simbas kombësis, mundësisht për çdo klasë);
  7. Cili ka qenë personeli (numri e kombësia);
  1. MBI DJEMT E VAJZAT SHQIPTARE ME KULTURË TË MESME E TË NALTË:
  1. Sa djem e vajza bahen gjithsejt nga ata qi kanë maturue, ose që kanë ndjekë shkollë të mesme (për këtë të fundit ç’farë shkollë dhe deri në çklasë kanë mbërrijtë. Po të jetë e mundun me u marrë dhe emnat bashkë me adresat e tyne).

Ç. MBI ORGANIZIMN DHE RREGULLIMIN E KURSEVE VERORE PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NDËR TË MËDHEJ E TË VEGJËL ME ANËN E MËSUESËVE QI KANË ME MBËRRIJTË PAK DITË MBAS JUSH

  1. MBI STUDIMIN NË VJA TË PËRGJITHSHME TË LIGJEVE, TË PROGRAMEVE DHE TË TEKSTEVE SHKOLLORE.

Anëtarët qi kanë me bashkëpunue me Zotnin t’Uej janë:

  1. Jonuz Blaçkori, Profesor i Shkollës Punës Tiranë;
  2. Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës;

Zoj. Flora Pali, mësuese n’Institutin Donika kastrioti;

  1. Shaban arra, Inspektor’I Arsimit të Kosovës;
  2. Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës;
  3. Xhavid Nimani, mësues në qarkun e Kosovës;
  4. Fadil Haxhihoxha, mësues “             “

Të gjithë këta  Zotni mvaren dhe do të drejtohen prej Jush në të kryemit e punovet të ndryshme qi do t’u caktoni.

Po kështu mvaren prej Jush edhe mësuesit qi do të dërgojmë s’afërmi për kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdha e të vegjël. Zotni mësuesvet keni me u a caktua po Ju vetë vendet e shërbimit.

Shënimet e ndryshme mbi shkollat do të bâhen në formularët e posaçëm qi po Ju apim me vehte. Për secilën shkollë do të mbushen nga dy kopje, njena do të lihet në arkivën e Inspektoris së Dibrës dhe tjetra do t’i paraqitet Ministris. Të ngarkuesit me kët punë të porositen me i mbushë me sa të jetë e mundun, të tana pikat që përmban formulari.

Po ju apim nji sasi librash të ndryshëm, përdorimi i të cilëve simbas nevojës, po Ju a ngarkojmë po juve.

Ju uroj të gjithve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë, kombëtare e me randësi historike.

M I N I S T R I

  1. K.

AQSH. F. 195. V. 1941. D. 180. Fl. 6

*Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”,Vëllimi IV nga Qerim Lita. Botim i vitit 2016 nga shtepia botuese LOGOS A, Shkup.

Please follow and like us: