Albspirit

Media/News/Publishing

Ndriçimi i mendjes së presidentit Trump?

Makineria e ujdive e Trumpit së shpejti do të hasë në kufizime të ashpra. Mbase kjo gjë do ta ndritë mendjen e tij apo ndoshta ai vetëm sa do të mbetet i ngujuar. Në cilindo rast, aktualisht, ne duhet të presim që shumica e shteteve të vazhdojnë të marrin pjesë në marrëveshjet apo institucionet ekzistuese ndërkombëtare. Mirëpo, ne po ashtu duhet ta ruajmë një dozë skepticizmi të shëndetshëm për sa i përket fuqisë së vërtetë që synon t’i përdorë këto marrëveshje për përfitime personale
Oxford – Gjatë tri javëve të fundit bota është përballur me ndryshime mahnitëse për sa i përket qeverisjes globale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidere të kamotshme të botës në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, kanë nisur të shprehen më unilateraliste, duke ndjellë frikën në zemrat e shumë shteteve në botën mbarë. Dhe Kina, fjalëpakë për sa i përket multilateralizmit, është përkushtuar që të ruajë – madje edhe t’i prijë bashkëpunimit ndërkombëtar.

Që prej inaugurimit të tij në janar, presidenti amerikan, Donald Trump, faktikisht i ka prirë topit të shkatërrimit të rolit global të Amerikës. Ai e ka tërhequr SHBA-në nga Partneriteti Trans-Paqësor dhe ka rihartuar parametrat e negociatave lidhur me konfliktin izraelito-palestinez. Për sa i përket Kinës, ai jo vetëm se është kërcënuar të vendosë tarifa, por po ashtu e ka ngritur mundësinë se do të shpërfillë politikën “Një Kinë”, të cilën paraardhësit e tij, si republikanë ashtu edhe demokratë, e kanë respektuar për dekada me radhë.

Trump po ashtu ka nënshkruar vendimet ekzekutive për të ndaluar qytetarë të shtatë shteteve me shumicë myslimane që të hyjnë në SHBA dhe atë për ndërtimin e një muri ndarës në kufi me Meksikën, ndër shumë gjëra të tjera që ai ka bërë. Dhe ekipi i tij ka përpiluar rregulla ekzekutive shtesë që e reduktojnë e madje edhe i japin fund tërësisht financimit të organizatave ndërkombëtare dhe e kanë tërhequr SHBA-në nga shumë traktate multilaterale.

Retorika dhe sjellja e fundit e presidentit kinez, Xi Jinping, është krejtësisht e kundërt me atë të Trumpit. Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, gjatë muajit të kaluar, ai pohoi se mulikulturalizmi është i rrezikshëm për të ardhmen tonë kolektive. Në një deklaratë që dukej se i ishte drejtuar SHBA-së, ai vazhdoi: “Ne duhet t’i mbajmë premtimet dhe t’u bindemi rregullave. Askush nuk duhet t’i zgjedh apo t’u bindet rregullave ashtu siç i përshtatet”. Ai ishte edhe më specifik në kritikën e tij për gjasat e heqjes dorë prej Marrëveshjes së Parisit për klimën – pasi Trump kërcënon ta bëjë një gjë të tillë.

Megjithatë, është ende tepër herët të supozohet se “Pax Americana” që mbizotëronte gjatë disa dekadave të fundit po i hap rrugën një “Pax Sinica”. Në të vërtetë, pozita e asnjërës palë nuk është aq e ndritur.

Për sa i përket SHBA-së, draft-urdhrat ekzekutivë të Trumpit nuk janë aq drakoniane sa sugjerojnë titujt e tyre. “Auditimi dhe reduktimi i fondeve për organizatat ndërkombëtare”, për shembull, thjesht propozon krijimin e një komisioni për të rishikuar financimin e organizatave multilaterale.

Ky draft-urdhër merr në shënjestër, në rend të parë, dhe më së shumti, organizatat që e mbështesin anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez apo të Organizatës Çlirimtare të Palestinës. Kjo nuk është një gjë e re: Një legjislacion federal amerikan prej kohësh kishte mandatar shkurtimin e plotë të financave amerikane për çdo agjenci të Kombeve të Bashkuara, anëtare e plotë e të cilave është Palestina.

Draft-urdhri merr po ashtu në shënjestër Gjykatën Penale Ndërkombëtare, për të cilën SHBA-ja aktualisht nuk ofron ndonjë financim, dhe operacionet paqeruajtëse, duke përfshirë operacionet në Libanin Jugor që e mbrojnë kufirin verior të Izraelit, të cilin Trumpi duket i interesuar ta ndihmojë. Në fund, ai bën thirrje për shqyrtimin e ndihmave për zhvillim të ndarë të shteteve që i kundërshtojnë politikat e rëndësishme amerikane, megjithëse Departamenti i Shtetit, nëpërmjet të të cilit kanalizohen ndihmat, tanimë po e shqyrton një gjë të tillë.

Për më tepër, Trumpi akoma ka shumë kohë që të adoptojë një mënyrë ndryshe të të menduarit, siç bëri presidenti, Ronald Reagan, 25 vjet më parë. Reagan e siguroi presidencën me premtimin që të rindërtojë fuqinë amerikane, për të cilën pretendoi se po shënonte rënie të rrëmbyeshme. Në konferencën e tij të parë shtypi si president, ai e shokoi botën me përshkrimin që i bëri Bashkimit Sovjetik si një vend “të gatshëm të kryejë çdo lloj krimi” për të siguruar avantazh karshi Amerikës. Si rrjedhojë ai hodhi poshtë ligjin ndërkombëtar të traktatit të detit; kundërshtoi promovimin e konservimit energjetik të Bankës Botërore; e tërhoqi SHBA-në nga UNESCO-ja; dhe, sikurse Trumpi, premtoi t’i reduktonte kontributet e Amerikës në organizatat ndërkombëtare.

Mirëpo brenda një apo dy vjetësh, Reagan nisi të kuptojë se sa shumë i duhen SHBA-së institucionet ndërkombëtare dhe i modernizoi qëndrimet. Pas nisjes së krizës së borxheve të Amerikës Latine, më 1982, për shembull, ekspozimi i sistemit financiar amerikan karshi bankave të huaja u bë më se i dukshëm, siç u bë i dukshëm edhe roli vital i institucioneve financiare ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit të këtij sistemi.

Kjo përvojë ofron po ashtu një rishikim në pozitën e Kinës. Pasi bankat e shtetit po rriten – ajo aktualisht posedon katër nga pesë më të mëdhatë në botë – asaj do t’i duhet Fondi Monetar Ndërkombëtar për të zbatuar të drejtat e tyre ndërkombëtare. Në aspektin më të gjerë, ekonomia e Kinës varet prej globalizimit ekonomik, gjë kjo që kërkon rregulla globale dhe mekanizma të zbatimit.

Ambiciet e lidershipit të Kinës dhe theksimi i rregullave mund të jenë lajme të mira. Mirëpo është i kuptueshëm skepticizmi i vazhdueshëm i disa shteteve të tjera. Për të qenë të sigurt, Kina e ka shndërruar veten në një akter madhor në çdo rajon të botës, duke përdorur një kombinim të tregtisë, ndihmave dhe investimeve – veçanërisht, duke zbatuar projekte madhore të investimeve infrastrukturore nëpër lokacione strategjike përgjatë botës në zhvillim, si pjesë e strategjisë së saj “një rrip, një rrugë”. Por asnjëra prej këtyre nuk ka kaluar pa vetëmohim.

Natyrisht, as lidershipi global i Amerikës kurrë nuk ka kaluar pa vetëmohim. Por ai përfaqëson me të madhe një lloj vetinteresimi të ndriçimit të mendjes. Prandaj pyetja e vërtetë këtu është se ku qëndrojnë si Kina ashtu edhe Amerika e Trumpit në këtë proces të ndriçimit të mendjes.

Ndriçimi i mendjes pa dyshim se mund të marrë kohë, siç ka ndodhur edhe në rastin e Reaganit. Aktualisht, Trump duket i përkushtuar në marrëveshjet që ndërlidhen me relacionet e Amerikës me shtetet e tjera, qofshin ata partnerë të kamotshëm apo aleatë si Meksika dhe Australia. Ky nuk është bilateralizëm, i cili do të përfshinte respektimin e ujdive ekzistuese; është faktikisht diplomaci marrëveshje për marrëveshje. Dhe si i tillë nuk mund të funksionojë.

SHBA-ja nuk është diktaturë dhe diplomacia nuk është patundshmëri. Ujditë personale të bëra nga një president që shërben mandat katër apo tetë vjeçar nuk mund të mbrojnë interesat e një demokracie. Duhet të ketë kontinuitet përgjatë presidencave, me liderët e rinj që do të respektonin ujditë e nënshkruara nga paraardhësit e tyre. Pacta sunt servanda (Marrëveshjet duhet të mbrohen).

Makineria e ujdive e Trumpit së shpejti do të hasë në kufizime të ashpra. Mbase kjo gjë do ta ndritë mendjen e tij apo ndoshta ai vetëm sa do të mbetet i ngujuar. Në cilindo rast, aktualisht, ne duhet të presim që shumica e shteteve të vazhdojnë të marrin pjesë në marrëveshjet apo institucionet ekzistuese ndërkombëtare. Mirëpo ne po ashtu duhet ta ruajmë një dozë skepticizmi të shëndetshëm për sa i përket fuqisë së vërtetë që synon t’i përdorë këto marrëveshje për përfitime personale.

———

Ngaire Woods është dekan i shkollës së qeverisjes Blavatnik dhe drejtor i programit global ekonomik të qeverisjes në Universitetin e Oxfordit.

Please follow and like us: