Albspirit

Media/News/Publishing

Trumpi CNN, Nju Jork Tajms, Uashington Post nuk shihen me sy; janë dështakë, që furnizohen paligjshmërisht nga FBI dhe NSA

“Mediat e lajmeve të rreme janë duke u çmendur me teoritë e tyre konspirative dhe urrejtjen e verbër”. @MSNBC e @CNN nuk shihen me sy. @foxandfriends është i madh!” Kështu ka shkruajtur sot në Twitter presidenti i SHBA, Donald Trump, duke reaguar pas raportimeve të ditëve të fundit të mediave amerikane, të cilat ndjekin vazhdimisht skandalet që po shoqërojnë administratën e tij.

Në një tjetër postim, presidenti i SHBA ka vazhduar: “Kjo marrëzi e lidhjeve me Rusinë është thjeshtë një përpjekje për të mbuluar gabimet e shumta që u bënë në fushatën humbëse të Hillary Clintonit”.

Dhe duket se zemërimi i presidentit të SHBA ndaj mediave kryesore amerikane nuk ndalet dot. Ai e ka nisur mëngjesin e sotëm duke hedhur një breshëri postimesh në Twitter. Trumpi, në një prej tyre akuzon se informacionet janë duke iu dhënë në mënyrë të paligjshme dështakëve të Nju Jork Tajms dhe Uashington Post, nga ana e komunitetit të inteligjencës (NSA dhe FBI?). Tamam si Rusia”, shkruan Trumpi.

Ndonëse është Trumpi ai që i thotë dhe shumë kush është mësuar me shfryrjet e tij, mbeten gjithësesi akuza shumë të rënda, po të mendosh që dalin nga goja (lexo: Twitteri”) i një presidenti të Shteteve të Bashkuara. E paprecedentë!

“Krimea u PUSHTUA nga Rusia gjatë administratës së Obamës. A mos ishte Obama shumë i butë me Rusinë”? Ka qenë ky postimi i fundit për ditën e sotme, i Donald Trumpit, të cilit duket se nuk po i del inati me sulmet e panumërta që po vijnë nga të katër anët ndaj administratës së tij. Sulme që u intensifikuan sidomos pas skandalit të parë të kësaj administrate, atij të largimit të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare.

Ndërkohë zgjerohet skandali Flynn dhe janë gjithnjë e më të dukshme kontaktet mes fushatës së Trumpit dhe Rusisë së Putinit. Sipas një artikulli të Neë York Times që citon burimet të inteligjencës, kontaktet midis stafit të fushatës së Trumpit dhe qeverisë ruse kanë qenë të shpeshta dhe të përsëritura, sidomos në lidhje me sulmet kibernetike kundër Hillary Clintonit dhe Partisë Demokratike, në të cilët, për momentin Trumpi dhe ekipi i tij nuk janë të përfshirë, edhe pse ai ka përfituar prej tyre. /bota.al

Please follow and like us: