Albspirit

Media/News/Publishing

Alfred Lela: Pse protestoj dhe unë?

Të gjithë i kanë sytë nga protesta e opozitës. Opozitarët sepse duan të ngrohen nga prania në shesh e të ngjashmëve dhe kundërshtarëve të kësaj mazhorance; Qeveria dhe mbështetësit e saj ngulmojnë dhe shpresojnë te e kundërta, dhe do ta fabrikojnë me ç’të mundin një mospjesëmarrje. Neutralët do të përdorin dorashkën e televizionit për të kapur zemrën e nxehtë të ngjarjeve që ndodhin para tyre, por që sipas tyre nuk rreh për ta.
Sekush mund të rreshtojë një apo disa arsye të pakënaqësisë, zemërimit, kundërshtisë, përçmimit, që e bashkojnë me opozitën në sheshin e madh të protestës. Për autorin e këtyre radhëve është papërgjegjshmëria. Sigurisht, nuk është vetëm kjo dhe vetëm kaq, por është një motivim i fortë. Trajtat e saj duken ngado, por kur ato marrin forma të buta bëhen edhe më prezente. Bien më shumë në sy me anë të kontrastit. I cili thellohet duke krijuar një hon mes atij që mund të quhet ‘pushteti i drejtoreshave’ dhe ‘kuptimi i shtetit’.
‘Mëma e të gjitha arrogancave’ u shfaq para pak ditësh në Komisionin hetimor për Çështjen CEZ, ku ishte thirrur për të dëshmuar. Ajo quhet Alma Hiçka dhe mban detyrën e Avokates së Shtetit. Në instancë të pare, funksionarja dukej se nuk kuptonte, ose bënte, një gjë fare të thjeshtë: Shqipëria është republikë parlamentare, pra Kuvendi, me Kushtetutë, ka pushtet kontrollues dhe certifikues mbi pushtetet e tjera. Në instancë të dytë, një gjë gjithaq të thjeshtë: ndryshimin mes të zgjedhurve dhe të emëruarve. Ajo vetë hyn në kategorinë e dytë, ndërsa deputetët përballë të cilëve ishte, janë të zgjedhur nga populli. A është kuptimi i shtetit dhe hierarkia, apo respekti ndaj institucioneve, një gjë që merret seriozisht nga funksionarët e administratës aktuale? Zonja Hiçka dëshmoi se jo. U shfaq rezistente, e pasjellshme dhe jobashkëpunuese para Komisionit parlamentar. Ajo ka të drejtën e Zotit t’i paragjykojë pyetjet dhe tehun politik e tendencioz të tyre, megjithatë është e shtrënguar që t’i ruajë kufizat institucionale dhe etike. Kur Avokatja e Shtetit i sheh institucionet përbërëse të shtetit që përfaqëson si shenja jodetyruese, kemi një problem. Të cilit nuk mund t’i përgjigjesh asesi me një ‘ku qëndron problem këtu?”.
Zullumi i këtij problemi ntrashet edhe më kur Avokatja e Shtetit i kërkon Policisë së Shtetit arrestimin e Kryetarit të një Komisioni hetimor parlamentar, një kapërcim haluçinant i kuptimit të pushteteve, ndarjes së tyre, përgjegjësive institucionale, e me radhë.
Hiçka muk është arrogantja e parë. Një drejtoreshë e Lojrave të Fatit nuk mënoi para pak kohësh të luante një episod të pafat arrogance, as ndaj një parlamentari ‘të krahut të vet, Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Debati mes tyre degjenori deri në mospranim të drejtoreshës për t’u larguar nga salla, madje duke i kërkuar deputetit që të largohej. ‘Diamantet’ e ish-drejtoreshës së Tatimeve shkëlqejnë ende në komunikimin publik.
Çfarë kanë luajtur në skenën publike këto gra, nuk është megjithatë prodhim i tyre. Ato janë paketuar si amazona sa për të bërë me dije ‘fuqinë herkuliane’ të burrave pas tyre. Të njëjtët burra që i kanë shkrirë dhe humbur çdo kuptim kufijve që ndajnë forcën e shtetit nga arroganca e pushtetit; punët e vendit nga aferat personale; politikën e lartë nga krimi ordiner; investimet publike nga shkarjet artistike; reformat nga instinkti i destruktivitetit.
Pas grave arrogante ka gjithmonë burra prepotentë. Pas arsyeve për të protestuar qëndrojnë burra dhe gra që nuk munden të jenë as njëra dhe as tjetra. Mbijetesa jeton me të tjera emocione.

Please follow and like us: