Dule nga çadra e protestës: Meta duhet të braktisë qeverinë
Nga çadra e protestës së PD-së, ngritur përpara Kryeministrisë, Vangjel Dule i ka bërë thirrje Ilir Metës të braktisë Qeverinë. Ai tha se qeveria teknike është e mundur vetëm me ndryshimin e raporteve aktuale në parlament, duke iu referuar LSI-së.
Kreu i PBDNJ theksoi se “nëse kjo forcë politike nuk do që të mbajë përgjegjësinë me kryeministrin Rama duhet të marrë një vendim në të mirë të vendit dhe shoqërisë”. Më poshtë intervista për News 24.
Z.Dule ju keni qenë edhe tek protesta e 2011-ës…
Kemi një motiv që ka sjellë të gjithë këta qytetarë sot për të protestuar. Motivi i garantimit të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të pakontestueshme. Dua t’iu drejtohem kolegëve të PS-së, se kur bëhet fjalë për zgjedhjet në demokraci nuk mund të ketë standarde të dyfishta dhe nuk mund të kuptohen ata sot me heshtjen e tyre kur 4 muaj para zgjedhjeve nuk ka përfunduar reforma zgjedhore. Zgjedhjet e vitit 2015 me standarde më të ulëta se ato të 2013-ës. Për të mos folur për zgjedhjet e pjesshme në Korçë apo në Dibër.
Ju jeni për qeveri teknike?
Qeveria teknike nuk është dëshirë por domosdoshmëri, në kushtet kur askush nuk beson më. Kjo reflektohet edhe në sondazhet e pakontestueshme siç ishte ai i BERZH se vetëm 24% e shqiptarëve mendojnë se do ketë zgjedhje të ndershme. Qeveria aktuale pavarësisht se ka maxhorancën në parlament, në shoqëri tashmë është minorancë.
Kryeministri ka thënë se është protestë e pakicës?
Sigurisht që nuk mund të pohonte realitetin. Në një kohë që zoti Rama refuzon t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme po i krijon vendit dhe perspektivës së tij një problem jetik.
Maxhoranca i ka të gjitha numrat, sa e vështirë është një qeveri teknike?
Nuk mund të realizohet në parlament me raportet aktuale nëse nuk ndodh një lëvizje nga forcat e caktuara politike që nuk duan ta mbajnë përgjegjësinë me zotin Rama.
E keni fjalën për LSI-në?
Natyrisht është LSI, duke marrë parasysh edhe betejat e tyre, me grevë urie, nuk besoj se duan që të komprometohen kaq rëndë për interesat e zotit Rama. Shoqëria nuk mund të pranojë që t’i refuzohet fjala.
Deri tani nuk ka patur ndonjë reagim nga LSI-ja për protestën…
Ne nuk mund të merremi me LSI-në, është në të drejtë të tyre të marrin vendimin që mendojnë se është në të mirë të vendit dhe shoqërisë. Forcat opozitare janë të detyruara t’i prijnë një lëvizjeje popullore.