Albspirit

Media/News/Publishing

Patozi: Ne nuk duam fitoren në tavolinë, duam zgjedhje të lira

Deputeti demokrat Astrit Patozi duke folur nga çadra e protestës para Kryeministrisë u shpreh se qytetarët janë të vendosur në kauzën e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme. Ai hodhi poshtë pretendimet se “opozita do të marrë pushtetin në tavolinë”.

“Në rast se Qeveria do të rezistojë, edhe protesta do të jetë e gjatë. Uroj që qeveria të jetë e arsyeshme, dhe të pranojë një kërkesë legjitime, jo vetëm nga PD, por nga të gjithë qytetarët. Kjo është kauza e gjithë shqiptarëve, jo vetëm e PD. Ne kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, asgjë më shumë se kaq. Ne kemi një qeveri tmerrësisht të dobët, që rri në këmbë vetëm me numra. Kemi një qeveri të rrënuar. Ndaj ne kemi shpresë sot se protesta do të kthejë shpresë te shqiptarët. Ne sot kërkojmë parandalimin e vrasjes së zgjedhjeve. Është e sigurt se zgjedhjet do të vidhen nëse ne nuk e ndalojmë qeverinë në përpjekjen e saj diabolike për të dëmtuar procesin. Çdo protestë është simbolike. Cilido qoftë numri i protestuesve, rëndësia qëndron te simboli. Qytetarët në këtë protestë kërkojnë zgjedhje të lira e ndershme”, tha Patozi për News 24.

Pyetjes se: “Ku do ta çojë kjo protestë PD?- deputeti demokrat u përgjigj: “Ka një përpjekje djallëzore të Qeverisë për ta interpretuar protestën si një përpjekje që PD për ta marrë qeverinë në tavolinë. Nëse kjo do ishte e vërtetë do isha unë i pari që do ta refuzojë këtë”.

Please follow and like us: