Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Duka: Arroganca e Dakos po shkatërron Durrësin

 

Në kulmin e debateve për projektin “Veliera” në Durrës, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, tregon në një intervistë për gazetën MAPO, pse PAA dhe ai vetë ishin të parët që nisën protestën në kantierin e këtij projekti. Duka thotë se nuk është kundër projektit në vetvete, por kundër dëmit ekologjik që po bëhet dhe shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të Durrësit.

Z.Duka pas denoncimit tuaj të 25 janarit, çështja e projektit “Veliera” mori vëmendjen kombëtare, për të arritur gati në një përballej Duka–Dako. Mund të na shpjegoni si rrodhën ngjarjet? 

Në radhë të parë dua të theksoj se nuk jam kundër projektit në vetvete, qytetet tona kanë nevojë për investime të tilla. Ajo që unë kundërshtoj është arroganca dhe kokëfortësia për të ngritur kantiere që jo vetëm dëmtojnë infrastrukturën, ambientin dhe trashëgiminë kulturore, por në kundërshti me ligjin dhe pa marrë në asnjë moment parasysh vullnetin e qytetarëve dhe opinionin e ekspertëve. Partia Agrare Ambientaliste e denoncoi e para këtë bombë ekologjike dhe arkeologjike, fola edhe në parlament për këtë çështje, anëtarët e PAA-së protestuan bashkë me shoqërinë civile. Por, si ndodh në këto raste, ngjarja u “zaptua” edhe nga partitë e tjera, gjithsesi gjykoj se ajo që ka rëndësi është fakti se oponenca e PAA-së solli vëmendjen e duhur mbi zullumin e radhës.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, ka deklaruar se muri bizantin është prishur në 1900 dhe se nuk ka pas ndërhyrje në zonat A dhe B. 

Unë nuk di të them nëse kjo është e vërtetë ose jo, nuk jam as historian, as arkeolog, sikurse nuk është i tillë z. Dako. Në këto raste, përpara se të mbizotërojë arroganca dhe makutllëku për të ndërtuar me vend e pa vend, duhet të kryhen studime paraprake, jo vetëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të qyteti, por edhe për të studiuar si duhet të ngrihet një kantier në qendrën e një qyteti të madh si Durrësi. Ne jemi përballë një ndërtimi tërësisht të jashtëligjshëm dhe askush nuk mban përgjegjësi as penale, as politike, as mjedisore. Jemi përpara dikujt që kujton se me fitimin e zgjedhjeve është bërë pronar i Durrësit, jo funksionar publik në shërbim të qytetit. Ne gjykimin tim ky është një problem më i gjerë që prek jo vetëm Dakon, por edhe shefin e Dakos, i cili vazhdon të abuzojë me durimin e qytetarëve.

Z.Duka meqenëse përmendet në mënyrë të tërthortë z. Rama dhe qeverinë, në 18 shkurt PAA do të protestojë bashkë me Partinë Demokratike, çfarë pritshmërish keni për këtë protestë? 

Protesta do të jetë një mjet i mirë për t’i thënë qeverisë se vendi kërkon zgjidhje, nuk ka më kohë për aktrime dhe fasada. Protesta jonë do të jetë paqësore, ne nuk do të kërkojmë kurrë me dhunë atë që populli ka dhënë me votë. Në gjykimin tonë koha e kësaj mazhorance ka mbaruar, është momenti që t’i faturohen premtimet e pambajtura, keqqeverisja dhe mbi të gjitha arroganca me të cilën trajtojnë gjënë publike dhe përbuzja irrituese edhe ndaj kritikës konstruktive. Ne do të kërkojmë që qeveria të mos abuzojë me votën dhe me pushtetin që ka akumuluar në të gjitha format dhe mënyrat, të ligjshme dhe të paligjshme, për të mos lejuar një garë të ndershme dhe të lirë në qershor. Arritja më e madhe, nëpërmjet një proteste të fortë dhe të shtrirë në kohë, do të ishte një qeveri teknike, e cila mbetet një garanci e vakët për zgjedhje gjenuine.

Z.Duka, me ose pa qeveri teknike, zgjedhjet po afrojnë. Si po shkojnë përgatitjet brenda partisë tuaj për garën e qershorit? 

Muajt që lamë pas kanë qenë mjaft produktivë për PAA-në. Në kohë rekord ripërtërimë strukturat tona në 12 qarqe. Mund t’ju them që në këtë moment se listat tona janë gati, pra PAA do të ketë kandidatët e saj në 12 qarqet e vendit. Emrat e tyre do të bëhen publikë së shpejti. Jam shumë optimist për të gjithë ata që do të përfaqësojnë partinë tonë në këto zgjedhje sepse janë figura që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në sektorët ku kanë kryer veprimtarinë e tyre. Të besueshëm, të specializuar dhe pragmatistë, këto janë tri tiparet që do të dalloni te kandidatët tanë. Ne jemi parti “çështje” dhe me këta njerëz do punojmë për t’iu dhënë zgjidhje atyre çështjeve që Partia Agrare Ambientaliste ka në fokusin e saj: zhvillim te qëndrueshëm, mundësi të barabarta dhe një mjedis të denjë fizik dhe social.

Please follow and like us: