Albspirit

Media/News/Publishing

Europa ime është great!

Anë e mbanë flitet për shpërbërje, edhe Europa me sa duket kërcënohet prej kësaj. Jagoda Marinic shpreson, që BE-ja të ndërgjegjësohet për forcën dhe madhështinë e saj si një bashkësi e shteteve dhe popujve.

Jagoda Marinic Autorin (D. Piroelle)Jagoda Marinic

Unë nuk e di, se si europianët arrijnë të mendojnë, që tani u duhet të orientohen nga Trumpi. Në të mirë e në të keqe. Tifozët e kandidatit socialdemokrat për kancelar, Martin Schulz faktiksiht mbajnë pankarta #MEGA: Make Europe Great Again. Me këtë ata jo vetëm që e grenë lart fushatën e shumë kritikuar të Trumpit, por dëmtojnë edhe pllakatën elektorale të Obamas, në të cilën shkruhej HOPE. Me këtë demonstrohet mungesa e ideve – sikur me ato që vijnë nga SHBA-ja mund të bëje një “copy & paste”.

Mua nuk mund të më akuzosh për antiamerikanizëm, edhe pse unë shpesh e kritikoj SHBA-në. Pasojat e kapitalizmit dekadent, janë menaxhimi i kohës në SHBA, që synon ta bëjë të dobishme çdo sekondë, me ushtrinë e shpëlarjes së trurit me ata që duan të bëhen star, të cilët një minutë prezantim në një spektakël talentesh e konsiderojnë si endrrën amerikane, e të gjitha këto. E megjithatë shumë prej njerëzve më të rëndësishëm për mua, artistë e mendimtarë vijnë nga SHBA-ja. Ose ndodhen në SHBA, sepse atje puna e tyre vlerësohet. Po, unë i njoh amerikanët në SHBA, që mund të tregojnë me gisht drejt Rumanisë dhe që nuk janë injorantë, që nuk do të ishin në gjendje të dallonin ku ndodhet Italia në hartë.

Krahasime që çalojnë

Prej muajsh të ngre nervat rituali i krahasimeve për SHBA-në që ka përfshirë gazetarët, politikanët dhe intelektualët. Ata shprehen papritur, se presidenti më i pasuksesshëm i SHBA-së deri më sot është rreziku më i madh për bashkësinë perëndimore të vlerave. Europa në pjesën më të madhe shkund kokën nga habia për Trumpin. Për shumë, veçanërisht për europianolindorët, Trump është mishërimi i konfirmimit, se vërtetë ekziston amerikani injorant, që mendon, se mund ta sundojë botën pa qenë nevoja të dijë asgjë. Ministri i Financave Schäuble përdor madje çekiçin e madh të krahasimit, sepse është vit elektoral: e shprehet, se krahasuar me Merkelin i vogli Martin Schulz është në thelb si Trumpi – ej ej! Por jo çdo burrë që duket i vetëdijshëm është domosdoshmërisht si Trumpi.

Eshtë koha, që motori i krahasimit të frenohet sërish. Në Gjermani në vitin 2017 konkurrojnë për t’u zgjedhur dy politikanë me përvojë. Një tjetër politikan me përvojë, Frank-Walter-Steinmeier është president. Më pak se kaq Trump s’ka ku të vejë. E nëse kanalet televizive gjermane kanë nevojë për Frauke Petry-n e AfD (parti populiste e djathtë), për të shpjeguar suksesin e Trumpit, atëherë edhe ato nuk e kanë mësuar si duhet krahasimin. Sikur Frauke Petry të kishte për të thënë ndonjë gjë substanciale për SHBA-në apo ta kishte sado pak idenë se ç’kanë në kokë amerikanët në SHBA. Vështruar nga parlamenti i landit të Saksonisë, ku prej saj tashmë prej vitesh pak a shumë dëgjohen të njëjtat tone, më së shumti ajo mund t’ua mbushë mendjen atyre që nuk kanë qenë asnjëherë në SHBA, ose që nuk kanë as televizion me sistemin kabllor, që të mund të tregojnë diçka për SHBA-në.

Fantazma e përçarjes po sillet rrotull

Refreni më i fundit i korit mediatik të krahasimit janë analizat për përçarjen e shoqërisë. E kihet parasysh me këtë ajo pjesë e shoqërisë e velur nga politika, që prej dekadash nuk i drejtohet më kutive të votimit? Apo ata miliona emigrantë, që nuk kanë të drejtë vote? Apo nëntë milionë gjermanët, që kryejnë punë honorifike në ndihmë të refugjatëve e të cilëve tani u duhet të shohin, se si politika lejon që kursin ta diktojnë qytetarët e indinjatës? Në SHBA ka pasur gjithmonë dy parti, që me pak dallim në bindjet e tyre kanë qenë gjithmonë patriote. Në Gjermani ka pasur gjithmonë vetëm patriotë, që për vite me radhë i kanë mbushur mendjen vetes, se këtu në vend nuk ka patriotë. Në Bundestagun gjerman sikurse dihet prej kohësh ka më shumë se dy parti dhe ndërkohë po përpiqet të futet edhe një tjetër.

Në vitin elektoral 2017 ka shumë në nivel federate që duan ta krahasojnë Gjermaninë me SHBA-në: Përçarje! Anë e mbanë dëgjoj për një “përçarje të shoqërisë”! Unë nuk e kuptoj këtë. Ajo që ndërkohë emërtohet si përçarje, është fundi i CDU (Unioni Kristiandemokrat) ashtu siç e njohim ne – pra si përçarës. CDU-ja për vite me radhë i ka veçuar gati njëzet milionë të huajt dhe njerëzit me prejardhje emigracioni nga ata që nuk e kanë këtë prejardhje. CDU-ja në sfondin e problemeve demografike të vendit dhe të atyre që kanë nënshtetësinë gjermane nuk mund ta përballojë më të vazhdojë të ndjekë politikën à la Kohl  kundër emigracionit. Kësisoj papritur zgjedhësit e vjetër nga spektri i djathtë i CDU-së janë shkëputur dhe kanë preferuar të futet nën ombrellën e  AfD. 80 përqind e zgjedhësve gjermanë megjithatë nuk votojnë të djathtën ekstreme. Kjo vlen në shekullin e 21-të edhe nëse nuk votohet për CDU-në. A kemi pra më shumë përçarje se më parë?

“Europa duhet të rezistojë”

Europa duhet të bëhet sërish Great prej ndonjë megallomani apo megallomaneje. Shumë europianë shohin Trumpin dhe mendojnë: kështu nuk duam të turpërohemi para botës. Europa e sheh edhe që institucionet amerikane dhe mediet në SHBA mund t’i rezistojnë një sunduesi autoritar. Edhe Europa tani duhet të rezistojë. Mund të ndodhë, që “America First” të bëjë, ashtu siç thonë humoristët holandezë, që të paktën Europa të jetë e dyta. E këtë nuk mund ta arrijë një vend i vetëm. Ndoshta Europa nuk ndodhet para ndarjes. Europa duhet të sigurohet, se kush e çfarë është në të vërtetë Europa, në vend që të ëndërrojë për të qenë e madhe duke përdorur frazat boshe elektorale të Trumpit.

Si Europë ne jemi partner bisedimesh të të njëjtit nivel. Si Gjermani, Slloveni, Spanjë, Rumani, Poloni…jo. Nëse Europa ka një shkëndijë arsyejeje, atëherë ajo duhet të ndërgjegjësohet tani më fort për të përbashkëtat se sa për dallimet. E pikërisht sepse unë nuk jam infektuar prej ritit të krahasimit, besoj tek kjo arsye e Europës.

Jagoda Marinic ёshtё shkrimtare dhe gazetare gjermano-kroate.

Please follow and like us: