Gratë e Çamërisë, letër bashkëshortes së presidentit të SHBA
1 janar 1919/ Kur Lejla Dino i shkruante zonjës Wilson: Mizoria që nënat shqiptare, duruan duke parë gjakun e bijve të rrekullohet nën zgjedhën e shtypësve të huaj, do të trondisin padyshim ndjenjat tuaja të larta njerëzore.
Lejla Dino, e bija e Rasih Dinos, e cila në atë kohë ishte Kryetare e Grave Shqiptare Jashtë Vendit, vendosi t’i shkruaë bashkëshortes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i kërkonte ndihmë për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë. Ishin vitet e para, kur shteti grek kishte nisur genocidin ndaj popullsisë së Çamërisë. Duke shfrytëzuar njohjen personale me zonjën e Presidentit Wilson, Lejla Dino, i drejtoi një letër bashkëshortes së Presidentit Wilson, gjatë kohës, kur çifti presidencial ndodhej në Paris.
Ajo kërkonte prej kreut të SHBA-së ndihmë për Çështjen e Kosovës dhe të Çamërisë. Bija e Çamërisë, në atë letër, ndër të tjera shkruante: “…Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhimshurve të tyre të rrekullohet nën zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t’na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur. Në këto çaste, shtetet fqinje të Shqipërisë duan t’i aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike, por jemi të sigurt se lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj, këto gjëra nuk do të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi Indipendencën tonë, me anën e së cilës do të marrin fund vuajtjet tona. Qindra-mijëra prej punëtorëve shqiptarë, të cilët u shtrënguan të lënë shtëpitë e tyre dhe të refugohen në Amerikën tuaj të lirë, shpresojmë nxehtësisht se atdheu i parë i tyre, provinca e Kosovës dhe e Çamërisë, të cilat u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria, më 1913… do të lirohen…”
(Arkiva e Shtetit, publikuar në “Albania”, 1 janar 1919)