Albspirit

Media/News/Publishing

KQZ: 121 deputetë pa asnjë shënim në formularin e vetëdeklarimit, Prenga nuk preket

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënëses Drilons Hoxha bëri me dije se nga 140 deputetë sa ka Parlamenti, vetëm 19 prej tyre kanë të dhëna në një ose më shumë rubrika të formularit të vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore. Sa u përket kryebashkiakëve, nga 61 kryetarë bashkie, 11 prej tyre kanë plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore. KQZ ka verifikuar edhe 1.595 anëtarë të Këshillave Bashkiakë, që kanë dorëzuar formularët, të cilat janë bërë publike në mbledhjet e KQZ-së. Sa i përket kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit të PS Armando Prenga KQZ ka konkluduar se të dhënat e shënuara në formularin e tij të vetëdeklarimit nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të funksionit.

Deklarata e plotë e KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të komunikimeve publike për të ofruar transparencë mbi zbatimin e ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit,  informon opinion publik se;

Nga 140 deputetë:

121 prej tyre nuk kanë asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;

19 prej tyre kanë të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

Nga 19 anëtarë të Këshillit të Ministrave që nuk janë deputet, nuk ka asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;

Nga 61 kryetar bashkie:

50 prej tyre nuk kanë asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;

11 prej tyre kanë plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

KQZ ka verifikuar 1595 anëtarë të këshillave bashkiakë që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit në KQZ. (Të dhënat për këshilltarët janë bërë tashmë publike në mbledhjet e KQZ-së)

Nga shqyrtimi i dokumentacionit (formularë vetëdeklarimi, vërtetime të gjendjes gjyqësore, dokumentacion dorëzuar nga vetë subjektete) funksionarët publikë, Alban Zeneli, Andrea Marto, Arben Ristani, Armando Prenga, Adem Lala, Agron Kapllanaj, Artur Bardhi, Adriatik Zotkaj,Edi Paloka, Edmond Themelko, Fatmir Mehdiu, Parid Cara, Spartak Braho, Shkëlqim Selami, Tom Doshi, Tërmet Peçi, Vladimir Kosta dhe Ylli Shehu kanë shënime në formularët  e vetëdeklarimit, por nuk janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.

Gjithashtu, nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se deputetët Armando Prenga, Asllan Dogjani, Andrea Marto, Florion Mima dhe kryebashkiakët Artur Bardhi, Adem Lala, Ndrec Dedaj, Zef Hila, nuk kanë shënuar asgjë në rubrikat e formularit të vetëdeklarimit por, sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore rezulton se kanë dënime me vendim të formës së prerë, fillim të procedimit penal apo shqyrtime nga gjykatat shqiptare, për vepra penale të cilat nuk përfshihen në kushtet për ndalimin e ushtrimit të funksionit.

III. Referuar nenit 45/3 i Kushtetutës dhe nenit 2 të ligjit 138/2015, përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar:

me burgim;

me vendim të formës së prerë;

për një krim;

kur janë vërtetuar të 3 këto elemente, në mënyrë kumulative.

Ligji nr.138/2015 (i dekriminalizimit) është kujdesur në vijim të detajojë dispozitat përkatëse kushtetuese, duke sanksionuar një listë të mbyllur krimesh e duke përjashtuar veprat e tjera penale (rrjedhimisht edhe kundërvajtjet penale). Mbështetur mbi këtë bazë të qartë kushtetuese e ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se, funksionarët publikë kanë detyrimin të deklarojnë të dhëna për dënime me burgim me vendim të formës së prerë për veprime apo mosveprime brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë, të cilat konsiderohen “krime” dhe jo dënimet me gjobë, në kuptim të Kodit Penal të RSh.

Bazuar në nenin 11 të ligjit të “dekriminalizimit”, KQZ duhet të bëjë kallzim penal për ata funksionarë që nuk kanë deklaruar dënime vetëm për ato krime të cilat përbëjnë shkak për përfundimin e ushtrimit të funksionit.

Në zbatim të nenit 11 dhe 2 të ligjit 138/2015,  për funksionarët e sipërcituar, të dhënat e pa deklaruara nuk përbëjnë shkak për ndalim të ushtrimit të funksionit apo për kallzim penal.

Përsa iu përket funksionarëve publikë, deputetët: Artan Gaçi, Asllan Dogjani, Blendi Klosi, Florian Mima, Luan Rama, Mhill Fufi, Pjerin Ndreu dhe kryebashkiakët: Ndrec Dedaj, Xhelal Mziu, Zef Hila që rezultojnë se, me vendim të formës së prerë, janë shpallur të pafajshëm ose çështja është pushuar nga organet kompetente shqipëtare, KQZ konstaton se nuk janë subjekt i ndalimit sipas ligjit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon gjithashtu se, 12 funksionarë publikë, 7 deputetë: Arben Ristani, Artan Gaçi, Spartak Braho, Sali Berisha, Vladimir Kosta, Xhemal Qefalia, Ylli Shehu dhe 5 kryetarë bashkie: Artur Bardhi, Adriatik Zotkaj, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Tërmet Peçi, kanë depozituar në KQZ kërkesë për plotësim të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, ndonëse pas përfundimit të afatit të parashikuar nga neni 15, pika 2, e ligjit. Kërkesat e tyre për plotësimin e të dhënave  kanë qenë ose për ndryshim gjenealitetesh, ose për të dhëna mbi dënime me gjobë për shpifje, armëmbajtje pa leje, fyerje etj. Vetëm 1 kërkesë  për plotësim, është bërë për dënim me burg (45 ditë), për kalim të paligjshëm kufiri në vitin 1990.

Këto kërkesa, janë depozituar dhe pranuar në KQZ përgjatë periudhës Qershor-Korrik 2016.

Sqarojmë se, për pranimin  e kërkesave për plotësim të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, konkretisht neni 64 dhe neni 61, të cilët parashikojnë të drejtën e plotësimit dhe ndryshimit të dokumentacionit të depozituar pranë organeve administrative. Ligji nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” në asnjë dispozitë të tij nuk ndalon në mënyrë të shprehur plotësimin dhe/ose korrigjimin në një kohë të dytë të të dhënave të vetëdeklaruara personalisht nga subjektet e ligjit. Rrjedhimisht, në kuptim të parimit të ligjshmërisë, Kodi i Procedurave Administrative dhe ligji nr.138/2015 lexohen në harmoni me njëri tjetrin, përndryshe, normat e K.Pr.A. do të mbeteshin pa efektivitet.

VII. KQZ tërheq vëmendjen se, qëllimi i ligjit të “dekriminalizimit”, është “të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj dhe të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen të krimeve” (neni 1 i ligjit 138/2015) dhe jo inkriminimi i pakuptimtë dhe cenimi i padrejtë i dinjitetit të individëve që janë subjekte të vetëdeklarimit. Çdo interpretim tjetër i dispozitave të ligjit për dekriminalizimin është i gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi automatikisht sjell dhunimin e një sërë të drejtash kushtetuese.

Pranimi nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve i plotësimit të të dhënave pas afatit ligjor, i shërben qëllimit të ligjit, pasi ndihmon në bërjen e plotë transprencën dhe verifikimin sa më real për të gjithë funksionarët publik që janë subjekt i këtij ligji.

Vlerësojmë se, vetëm verifikimi i plotë dhe transparenca për çdo të dhënë në lidhje me dënimet penale, garanton besimin e publikut në organet e zgjedhura.

VIII. KQZ e ka treguar qartësisht vullnetin në lidhje me zbatimin e ligjit për dekriminalizimin! Në të gjitha rastet kur prokuroria dhe organet e tjera i kanë vënë në dispozicion materialet e mjaftueshme në lidhje me subjekte të caktuar, KQZ nuk ka hezituar për asnjë çast dhe ka vendosur menjëherë ndërprerjen e mandateve të deputetëve, kryebashkiakëve apo këshilltarëve bashkiakë.

Përsa iu përket disa pretendimeve të ngitura sëfundmi nga Prokuroria e Përgjithshme në drejtim të KQZ, institucioni ynë siguron qytetarët dhe opinionin publik se, e gjithë veprimtaria jonë për zbatimin e ligjit të “dekriminalizimit”, është kryer dhe do të vijojë të kryhet me përgjegjshmëri të lartë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Please follow and like us: