Albspirit

Media/News/Publishing

Marius Dobresku: 27 vëllime me 40 vepra të Kadaresë në gjuhën rumune

Po sjellim një intervistë me përkthyesin dhe shkrimtarin rumun, Marius Dobresku, një emër i njohur tashmë për letërsinë shqipe, pasi është zëri i tij që u bën jehonë veprave shqipe në Rumani, kryesisht veprave të Ismail Kadaresë. Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës shqipe në Rumani, me botimet e panumërta për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, në një hark kohor për afro katër dekada. E në krye të këtyre veprave, si kudo në botë, qëndron vepra e të madhit Ismail Kadare, duke qenë se e lexojnë Kadarenë në gjuhën rumune, falë përkthyesit të mbi 30 romaneve të Ismail Kadaresë, Marius Dobrescu-t.  Përkthyesi i shquar dhe miku i madh i shqiptarëve, Marius Dobrescu, meriton nderimin e shqiptarëve për këtë vepër me vlera, për gjithë veprimtarinë e tij në të mirë të afirmimit të shqiptarëve dhe Shqipërisë në botë. Marius Dobresku është cilësuar si ambasadori i Kulturës Shqiptare në Rumani e në mbarë rajonin.

–   – Kur është bërë i njohur Kadare për lexuesin rumun?

–  – Romani i parë i Ismail Kadaresë në gjuhën rumune është, natyrisht, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në 1973, me përkthim të Foqion Miçaços, përfaqësues i një familjeje të vjetër shqiptare në Bukuresht. Ishte me të vërtetë një përkthim i bukur, madje shumë i bukur. Pas vdekjes së tij, pasi ishte në moshë të madhe kur e përktheu romanin, e mora unë përsipër veprën e Kadaresë për ta përkthyer në gjuhën rumune. Fillova me romanin “Kronikë në gur”, që u botua 10 vjet më vonë, në vitin 1983. Pastaj vazhdova me “Kështjellën”, “Nëntorin e një kryeqyteti” e kështu me radhë. Deri më sot janë përkthyer 27 vëllime me 40 vepra të Ismail Kadaresë në gjuhën rumune. Vjet, në fillim të vitit doli romani “Kamarja e turpit”, ndërsa këtë vit, në fillim të 2017-s doli një vëllim me 5 tregime e novela të Kadaresë, mes tyre “Qorfermani”, “Kisha e Shën Sofisë”, “Breznitë e Hankonatëve” etj. Dhje në program, në vijim kam “Kukullën”, veprën e fundit të Kadaresë, e botuar në gjuhën shqipe.

–   – Çfarë përfaqëson Ismail Kadare sot, sipas jush?

–   – Kadare është zëri i Shqipërisë, është ambasadori më i mirë i kulturës, popullit shqiptar sot në botë. P.sh, kur kam folur me studentët e Filologjikut këtu në Tiranë, u thashë se në Rumani zor se gjen një njeri që të thotë emrin e saktë të ambasadorit shqiptar sot në Rumani, nuk njihet. Kurse për Kadarenë kanë dëgjuar të gjithë rumunët dhe ka shumë lexues në Rumani. Eshtë shkrimtari më i mirë, më i madh. Është shkrimtari i  Ballkanit, sepse përfaqëson ballkanasit dhe, në fund të fundit, na përfaqëson edhe ne rumunëve, sepse kemi pasur histori të përbashkët. Përsa i përket çmimit “Nobel” Ismail Kadare duhet ta kishte marrë me kohë. Ballkani nuk e ka një shkrimtar të kalibrit të Kadaresë. P.sh sot ne në Rumani ne sot kemi një shkrimtar i përkthyer në shumë gjuhë, por nuk është në nivelin e Kadaresë. Nuk e them këtë sepse jam partizan i Kadaresë, po ky është një realitet që vjen edhe përtej Oqeanit.

– Ju jeni një përkthyes i suksesshëm dhe mjaft i njohur i letërsisë shqipe në Rumani. Si e shikoni zhvillimin e letërsisë shqipe sot?

– Fatkeqësisht letërsia shqipe nuk njihet në Rumani. Përveç Ismail Kadaresë, si dhe disa poetëve që kanë dalë në shtypin letrar, letërsia shqipe nuk është e njohur. I kam propozuar shtëpisë botuese “Humanitas”, atje ku botoj unë, edhe një shkrimtar tjetër shqiptar, është një romancier shumë i mirë. E kam fjalën për Fatos Kongolin. Shpresoj se pas Kadaresë, të cilit i kam përkthyer thuajse gjithë veprën e tij, Fatos Kongoli do të jetë autori i dytë. Mendoj se është shkrimtar i mirë, e kam lexuar, ka sukses jashtë, e kam njohur personalisht dhe e vlerësoj shumë.

– Cili do ishte mesazhi juaj?

Mesazhi im i parë është për Ministrinë e Kulturës. MK ka një faqe web-i, një inventar të autorëve, veprave dhe përthyesve që janë jashtë shtetit. Mendoj se kjo është shumë pak. Duhen investime më të mëdha për letërsinë shqipe!

Please follow and like us: