Mbreti Zog provokon Korçën: Nëse e doni Bandën “Vatra”, merreni që sot…
Nga Vepror Hasani
Qeveritë e pas vitit 1920 e ndihmuan me fonde të shumta bandën “Vatra” të Korçës, me qëllim rritjen e ndjenjës kombëtare tek grekomanët që edhe ata të ndiheshin shqiptarë. Megjithatë, në shtypin e kohës nuk flitet për ndonjë përkujdesje të veçantë ndaj Bandës, për blerje instrumentesh muzikore, për veshjen e muzikantëve apo për modernizimin e saj. Sipas shtypit, me fondet e kulturës abuzohej, anëtarët e Bandës ngjasonin “me një grup rebelësh”; kështu është shprehur një nga gazetarët e kohës.
Jeta e bandës “Vatra” nuk kishte qenë e lehtë as Worcester Mass të Amerikës, aty ku u krijua më 1916, por pasioni i muzikantëve e mbajti gjallë:
“Posa nënshkruanë kontratën zunë të veprojnë me profesorë në krye z. Thoma. Po z. Thoma si energjik që ishte punonte pa reshtur dhe në 6 muaj nxori të marshonjë dyke lojtur përpara amerikanëvet, sa kur i dëgjuan, u habitnë. Djemtë të bandës, të cilët i kini sot përpara syve tuaj, punonin nëpër fabrikat ditën dhe mbrëmanet vinin të praktikonin në klub, në vend si djema të vinin të shikonin qejfet e tyre dhe theatrot, i lanë të tëra përveçse të mësojnë muzikë. Përveç këta djem, që kishin dhe detyra familjare për të përmbajtur me dirsën e tyre, po kishin edhe harxhe të mëdha, se duheshe të paguanin profesorë, klubin, libra dhe shumë sende të tjera. Tërë këto të holla duheshe të dilnin nga xhepi i tyre që i nxirrnin me dirsën e gjakun e tyre, dyke punuar në fabrikë. Se kjo bandë ka kushtuar 15.000; tërë këto të holla ngaj duallë? Natyrisht nga xhep’ i tyre”.
(“Gazeta e Korçës”, 23 qershor 1920)
Në vitin 1920 bandën “Vatra” e dërguan në Korçë. Fondet nuk i munguan as gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut. Korçën donin ta ruanin si qytetin e mësonjëtores së parë shqipe dhe si qytet të kulturës. Sipas “Gazetës së Korçës”, dt 31 janar 1925, qeveria planifikoi në buxhetin e saj 20.000 franga ari për bandën “Vatra”. Në këtë kohë Zogu duhet të ketë patur dy projekte: ose ta ndihmonte financiarisht duke e lënë të ushtronte aktivitetin e vet në qytetin e Korçës, ose ta merrte në Tiranë dhe ta shndëronte në bandë presidenciale, pasi vetëm kështu banda “Vatra” mund t’i shpëtonte dëshpërimit të saj dhe grindjeve të brendshme mes muzikantëve të rinj dhe të vjetër, por që në të vërtetë sherrnaja i ndoqi deri në fund.
President Ahmet Zogu zgjodhi variantin e dytë, e mori Bandën në Tiranë, me qëllim që t’u jepte fund edhe abuzimeve me fondet. Marrëveshje mes palëve u nënshkrua në mars:
“Banda “Vatra” ose djemtë e bandës pas marrëveshjes që bënë me qeverinë qendrore, shkuan në Tiranë me anën e Sarandës më 26 të këtij muaji (mars). Për këtë gjë vërtet gëzohemi që do të ketë kryeqyteti bandë, por edhe helmohemi se paskëtaj Korça do të shurdhohet dhe do të mos ketë lëvizjen e vjetme. Po me dëshirën e atyre që kanë kryet e punës, mund të bëhet xheç.
(“Gazeta e Korçës”, 28 mars 1925)
Zogu i priti djemtë e “Vatrës” në shtëpinë e tij. I ndihmoi me një shumë prej 50.000 franga ari:
“Për bandën, për atë që nuk shpresonte njeri kurrë që ta bënte. Dhe me gjithë që djemtë e bandës kanë qenë anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” dhe kurdoherë e kanë luftuar Ahmetin në zgjedhjet, (dhe) me gjithë që Ahmeti i dinte këto, e mori bandën nën përkrahjen e tij personale. Të 50.000 frangat ar që “Dielli” shkrojti se u votuan nga Parlamenti, nuk ishin puna e Parlamentit, por e Ahmetit. Kur vajti banda në Tiranë, Ahmeti i thirri djemtë në shtëpinë e tij, u dha 100 napolona dhe u tha se sa të rrojë, kurrë nuk do ta lërë të vuajë”.
(“Gazeta e Korçës”, 25 korrik 1925).
Zogu plotësoi të gjitha kërkesat e “Vatrës”:
“Në pjekjen e fundit që profesori Thoma Nasi pati me Ahmetin, i kërkoi disa gjëra për përmirësimin e bandës, si për shembull, shtimin e muzikantëve në 32 veta. Ahmeti e pranoi menjëherë. Profesori kërkoi sjelljen e disa instrumenteve që duheshin për të përmbushur bandën, si 3 corni, 1 oboe, 1 corno inglize, 1 fagotto dhe të tjera. Ahmeti tha menjëherë që, t’i jepen profesorit të hollat. Duke marrë kurajo, Nasi i tha se duhen edhe një palë tympani, ca kambana, një tam-tam dhe i shpjegoi ç’janë. U kënaq tepër dhe nxori të hollat nga xhepi dhe tha se këto do t’ia dhurojë ay bandës. Të tjera përmirësime: Profesor Nasi i tha pastaj se do të ishte mirë të kish banda dhe 3-4 muzikantë nga jashtë. Ahmeti e pranoi dhe proponoi që të sjellin 4-5 instrumentistë të telave nga Vjena. Besoj se me këto do të merrni një ide për sjelljen e Ahmetit.
(“Gazeta e Korçës”, 1 korrik 1925)
Para se djemtë të iknin në Tiranë, njerëzit e Ahmet Zogut dhanë një premtim: në behar, bandën “Vatra” do t’ua dërgonin në Korçë për një farë kohe:
“Kur na e muarë bandën për në Tiranë, gjysmë zyrtarisht na e taksën se do të na i dërgojnë dy muaj në behar. Tani behari erdhi, koha mori karar, po edhe nuk dimë cilat janë qëllimet e bandës, do të na vijë apo jo. Po meqë sot banda varet drejtpërdrejt nga Presidenti, shpresojmë se zotëria e Tij duke ditur se Korça është tepër filomuze do të bëjë një sakrificë të madhe dhe do t’ia dërgojë Korçës dobare për një muaj. Kjo dëshirë nuk është vetëm jona, po është e tërë qytetit të Korçës. Ne këtu, me anën e gazetës, çfaqim interesimin e përgjithshëm dhe i mbyllim këto sërë me shpresë të plotë që zoti President me t’i kënduar këto rreshta do ta mbushnjë dëshirën e qytetarve të Korçës dhe do t’ua dërgojë bandën që të zbaviten për një kohë të shkurtër”.
(“Gazeta e Korçës”, 20 qershor 1925)
Zogu, me të lexuar gazetën, i kërkoi shefit të kabinetit që banorëve të Korçës t’ua kthente përgjigjen me telegram:
“Shkëlqesia e Tij, zotni President i Republikës tue marrë parasysh dëshirën e popullit bujar të Korçës për dërgimin e Bandës Presidenciale për një kohë të arsyeshme aty, kam nderin t’iu njoftoj se banda në fjalë ka me u nis për aty mbas dhetë dit.
Shefi i Kabinetit të Presidentit të Republikës
Vasil Kalluci”.
(“Gazeta e Korçës”, 11 korrik 1925)
Banda mbërriti vërtet pas dhjetë ditësh, por pa profesor Nasin sepse ai kërkonte që të paguhej edhe nga bashkia:
“Pardje arrivi në qytetin t’ënë Banda Presidenciale dhe do të qëndrojë nonjë muaj e gjysëm. Profesor Nasi nuk ardhi sepse desh t’i paguaj Bashkia 30 napolona!”
(“Gazeta e Korçës”, 25 korrik 1925)
Kurse “Zëri i Korçës” shkruan:
“Anëtarët e bandës Vatra që kishin vajtur në Tiranë dhe kishin formuar Bandën Presidenciale, arritnë në Korçë me leje për dy muaj. Bashkia e Korçës do t’iu paguajë nga katër napolona për shoq për shpenzimet e udhëtimit se do të dëfrejnë pak korçarët me instrumentet e tyre për sa kohë që do të jenë. Mirë se na urdhëruan.”
(“Zëri i Korçës”, e shtunë, 25 korrik 1925)
Muzikantët nisën të jepnin koncerte për Korçën:
“Që pardje, të dielën mbrëma, “Banda Presidenciale” filloi të lozë tre herë në javë. Pardje të dielë mbrëma lojti disa copra (pjesë) të zgjedhura dhe gjindja, afro katër mijë shpirt u kënaq e u enthuziasmua aq shumë sa duartrokitjet nuk pushuan për dhjetë minuta dhe pastaj nisën të thërrisnin: Rroftë Presidenti që na dërgoi bandën. Kështu presim të dëgjojmë e programet të koncerteve të arthme”.
(Gazeta e Korçës, 1 gusht 1925).
Ditët kalonin dhe leja e dhënë nga Presidenti po mbaronte. muzikantët dëshironin të qëndronin edhe disa ditë më shumë në qytetin e tyre pranë familjes. Gazeta shkroi përsëri:
“Me qenë se disa nga pjestarët e bandës kanë edhe nja dy javë punë familjare këtu, i shkruajtën profesorit në Tiranë t’u marrë nja dy javë leje nga kryetari. Mbesojmë që kjo lutje do të merret parasysh”
(“Gazeta e Korçës”, 25 gusht 1925)
Banda ishte në ditët e fundit të saj të qëndrimit në Korçë:
Nesër mbrëma Banda Presidenciale do të lozë për të fundit herë dhe nga java shkon për në Tiranë. Në këtë kohë të shkurtër që ndenji, lojti rregullisht nga tri herë në javë, në mes të një shumice të madhe të popullit. Mbrëmanet kur lozte banda, qyteti merrte një pamje të ndryshme, kujtonje sikur ishe më ndonjë qytet evropian nga lëvizja e madhe dhe mirënjojtjen e tij karshi Kryetarit të Republikës që pati mirësinë të dërgojë bandën për një kohë të shkurtër, populli e tregoi me duartrokitjet e brohoritjet sa herë që lohej marshi i Zogut”.
(“Gazeta e Korçës”, 29 gusht 1925).
Kënga e Ahmet Zogut ishte vjershëruar prej z. Kristo Floqi dhe kompozuar prej z. Zhoma Nasi që nga viti 1922. Bashkë me bandën këndonin edhe banorët e Korçës:
“Si shkëndijë që lëshohet prej diellit/, edhe tym, edhe mjegull shpërndan/, si rrufe që shkëputet prej qiellit/ edhe shkatërron, edhe djeg, edhe përlan/. Si një ëngjëll i naltë prej Zotit/, si një yll që zbret befas mbi dhe/, ashtu zbriti Arbërin e Kastriotit/, ashtu leu Ahmeti Zogu për ne/. Roftë Ahmet Zogu, rroftë/, shpëtimtari i atdheut/, breza pas brezi u kujtoftë/, nip stërnip i Skënderbeut”.
U bë i ditur edhe programi i koncertit:
“Programi i koncertit të fundit që do të lohet nesër mbrëma është ky:
1) E. Grieg – Norvegian Dance Nr II.
2) Francis Popy Sphinx Vals.
3) Ë.A.Mozart – Marcia alla Franceze.
4) Sehubert – Berte – Dreimaderathus Vals.
5) E. Grieg – Norvegian Dance Nr III.
6) Ë.A.Mozart – Memieeto.
7) Ofenbach – Orpheus Galop.
8) Batiste – The Pelegrins. Song of Hope.
9) Beethoven – Andante nga Simfonia e Parë.
(“Gazeta e Korçës”, 29 gusht 1925)
Një vit më pas, Korça e kërkoi përsëri Bandën. Përgjigjja që erdhi nga Tirana ishte kjo: nëse Korça dëshiron ta mbajë “Vatrën”, qoftë edhe përgjithnjë, kryetari i Republikës nuk është kundër. Ndoshta Zogu po e provokonte Korçën. Lajmi alarmoi drejtuesit e saj, e donin Bandën, por vetëm po të mbahej me fondet e qeverisë:
“Sa për bandën, Korça e ka dashur, e do dhe do ta dojë, sa kohë që ta kemi pa para (pa pagesë). Por në u bëftë që të paguajmë para (të holla) do të mejtohemi, pa të përgjigjemi nëse e duam apo nëse nuk e duam. Po me gjithkëto, kopështi po shtrohet me shur (zhavor) e po bëhet si me asfalt, lulet kanë hapur, ilektriku në skenë ndrit, populli po pret, nëse do të lozë banda apo jo nuk e dimë. Ca thonë se djemtë e bandës kanë marrë leje për një muaj që të çlodhen, ca thonë të tjera. Si qëndron e vërteta nuk dihet. Vjet që na ardhi banda dhe që zbavitnë korçarët me muzikë pa para (pa pagesë) i detyrohen gazetës sonë dhe lutjes që i bëmë shkëlqesisë së tij Presidentit. Po mjerisht nuk u ndodh ndonjë që të na çfaqë falenderime, dhe kjo erdhi se kemi një rritje të mirë dhe kemi haber nga etiqeta” (etika)
(“Gazeta e Korçës”, 30 qershor 1926)
Nëse Korça do ta donte vërtet bandën, Zogu edhe mund t’ua dërgonte që atë ditë, pasi ai kishte filluar të mendonte për një bandë bashkëkohore. Edhe për drejtimin e Bandës mori një profesor tjetër. Në shtyp u pasqyrua kështu:
“Me qenë se profesori i Bandës Presidenciale, z. Thoma Nasi shkoi në Amerikë, vendin e tij e zuri Franc Çobet, një mjeshtër i mbaruar në artin e muzikës. Profesori Gobet është i diplomuar prej konservatorit “Verdi” dhe prej konservatorit “Tartini Triest. Studimet e tij të para i ka marrë prej profesorit të dëgjuar Vito Levi. Ka dirigjuar 20 vjet orkestrën simfonike “Sindik to Nacionale Orkestrale në Triest. Më 1921 ka qenë drejtor i përgjithshëm i Filarmoniqi Eteria në Korfuz. Një mot drejtor i Bandës dhe i një orqestre simfonike në Grudo. Një mot drejtor i Bandës të dëgjuar të Villes Vicentina. Një mot drejtor i përgjithshëm i Shoqërisë Artistike Kantiere Navale Trestinia Monofalkone dhe tani në fund, drejtor i Bandës së Bashkisë të Triestit…”
(“Zëri i Korçës, e shtunë, 11 shtator 1926)
Ahmet zogu mori edhe muzikantë të huaj:
“Banda Presidenciale është tue dhënë koncerta në Kopështin e Pallatit ditë për ditë, përveç kur nuk premton koha. Programet janë pothua të gjitha klasike. Banda tani u kompletua duke sjellë 20 muzikantë nga Çekosllavakia, numri i përgjithshëm është 45-46 shpirt. Banda ka një uniformë e cila është Grand uniformë me ngjyrë të kuqe dhe gajtanë të zinj d.m.th. ngjyra kombëtare, po i mungonte dhe një uniformë e përditshme. Tani me rastin e Bajramit Shkëlqesia e tij Presidenti A. Zogu iu bëri dhe një uniformë të re, e cila do të jetë e përdorshme dhe është shumë e bukur dhe e qepur mirë. Këtë uniformë e qepi rrobaqepësi i Presidentit, z. Shani. Si dhe këpucët u bënë këtu, po nuk dimë cili këpucbërës i bëri, po janë të mira dhe kanë një formë që të gjitha. Kapelat i suall nga Italia. Uniforma është blu e errët me pantallona të gjata me një gajtan të kuq për anë dhe me shenjat e muzikës (lira) dhe me kumbitë me shenja dhe duken shumë mirë. Me një fjalë duken shumë bukur dhe tani është me të vërtetë Bandë Presidenciale dhe jo si më parë që dukej si një grup rebelash. Banda dëgjohet shumë bukur por nuk jam kompetent që të mund të bënj kritika, veç nënkuptohet që largimi i ish-drejtorit Thoma Nasi ka sjellë dëm bandës në disa pikëpamje
Kjo bandë ka lojtur një rol të madh në përmbushjen e misionit të saj për të përhapur muzikën në Shqipëri. Përveç kësaj, i ka sjellë dhe shumë shërbim artit dramatik duke dhënë shumë prezentacije. Tani ky shërbim pushoi krejt, dhe siç dëgjojmë, ky pushim ka ardhur nga mos-harmonia që mbretëron midis anëtarve të vjetër të Bandës. Profesori i ri është Italian, triestin, duket shumë i mirë dhe bandën e ka kompletuar mirë. Presidenti e ka shumë kujdes bandën, iu ka blerë dhe shumë instrumente. Pra urojmë djemt e Bandës t’i mbajnë me shëndet dhe shumë të tjera.
Botuar te “Zëri i Korçës”, e shtunë, 9 prill 1927.
Megjithatë Korça nuk mbeti pa bandë muzikore, pas ikjes së bandës “Vatra” në Tiranë doli në pah shoqëria muzikore “Artet e Bukura”. Nëse doni të dini cila ishte jeta e saj, na ndiqni fundjavën që vjen.