Albspirit

Media/News/Publishing

Ndjekja penale për dy organizatorët e tubimit të PD

Pëllumb Nako 
Në kohën që tubimi i Partisë Demokratike ishte ende duke u zhvilluar, nëpër kanalet televizive filloi të publikohej njoftimi i Ministrisë së Brëndshme sipas të cilit kjo Ministri do të ndiqte penalisht dy organizatorët  e tubimit.

Njoftimi në fjalë figuron i tillë në ekran: “Ministria e Brëndshme do ndjekë penalisht dy organizatorët që morën leje për protestën në se kalohet afati i orës 16.00.”

Njoftimi i mësipërm përmban dy gabime themelore që tregojnë  ose  mëndësi të caktuar të këtij institucioni, ose papërgjegjshmëri në njohjen e ligjit. Dhe këtu bëhet fjalë për një institucion i cili drejton organin e forcës siç është Policia e Shtetit, garantuesi kryesor i sigurisë publike dhe sidomos i ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në kushtet e situatave të tensionuara kur bëhet fjalë për një manifestim të organizuar nga një kualicion forcash opozitare, aktivitet ky i lidhur fort me një nga kollonat kryesore të demokracisë në një shtet normal, kujdesi i strukturave shtetërore në aplikimin dhe ligjit duhet të jetë maksimal. Sigurisht, mospërdorimi i dhunës në rastin konkret ka shumë arsye të cilat nuk lidhen me objektin e këtij shkrimi

Ministria e Brëndshme thotë “se do të ndjekë penalisht dy organizatorët…”. Kemi të bëjmë me gabim, lapsus, mëndësi apo injorancë?

Ç’punë ka Ministria e Brëndshme të ushtrojë ndjekjen penale?

Po ti referohemi kodit penal të cilin besoj shumë se edhe Ministria e Brëndshme e njeh rezulton se në nenin 24, ( Funksionet e prokurorit)  pika “1” të tij thuhet:

Prokurori ushtron ndjekjen penale…”

Kurse sipas nenit 30 të tij ( Funksionet e policisë gjyqësore) thuhet :

…Policia gjyqësore, edhe me iniciativën e vet, duhet të marrë dijeni për veprat penale….

Ligji është i qartë. i thjeshtë dhe cakton saktësisht se e vetmja gjë që mund të bëjë  në rastin konkret Ministria e Brëndshme është “të marrë dijeni” dhe më pas “të referojë tek prokurori” dhe është ky i fundit që do të vendosë apo ushtrimin apo refuzimin e …”e ndjkjes penale…”  Kaq mund të bëjë Ministria e Brëndshme: Të denoncojë.

Eshtë e pafalshme për Ministrinë e Brëndshme të bëjë gabime të tilla ligjore. Ose ajo e ndjen veten “vetë ali e vetë kadi”.

Edhe në kohën e diktaturës, në vitin 1983, pavarësisht se të dyja ishin organet e saj, diktatura e ndau hetuesinë nga sigurimi.

Gabimi apo eventualisht mëndësia e dytë e këtij institucioni po ashtu të paraqitur në njoftimin e Ministrisë së Brëndshme është fakti se kjo Ministri do të meret me dyorganizatorët që morrën lejen…

Po cilën leje? Nocioni ligjor “i lejes” nuk egziston më qëkurse u hartua “Ligji për tubimet” i datës 18.05.2001. Pra ka plot 16 vjet që “policia nuk jep më leje për tubime”. Ky ligj, megjithse jo i ekuilibruar mirë është ende në fuqi. Hapi i tij përpara krahasuar më paraardhësin e tij të vitit 1996  ( Neni 4) ishte pikërisht fakti se ai nuk presupozonte “marrjen e lejes”.

Heqja “marrjes së lejes” në ligjin e vitit 2001, ishte në esencë një ndryshim thelbësor në filozofi lidhur me raportet ndërmjet shtetit apo organeve të tij të sigurisë dhe lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Manifestimi, në vendet demokratike, është një e drejtë universale e cila ushtrohet automatikisht pa kërkuar leje. Por nga ana tjetër ” e drejta e manifestimit” nuk duhet të bjerë ndesh me të drejta të tjera si ajo “e lirisë së qarkullimit” apo ” e sigurisë” dhe në këtë rast hyn në skenë shteti. Në vendet serioze me eksperiencë në manifestime egziston negocimi. Eshtë ai që e rregullon këtë ekuilibër. Në vendet jo serioze ndaj asaj që thotë ligji, thurren lloj lloj marifetesh se si të gjendet ndonjë mundësi apo kleçkë që të ndërhyet me forcën ligjore. Për mos të folur për provokime eventuale.

Thënë me fjalët egyakte të ligjit  do të na rezultonte se për manifestimin organizatorët e tij nuk kërkojnë “leje“, por organizatorët ” bëjnë njoftim” për tubimin, më pas drejtuesit e policisë që mbulojnë zonën ku do të zhvillohet negociojnë me organizatorët me shkrim osë duke u takuar dhe më pas, policia ” nuk jep autorizim për tubim“, por i “njofton” ata për “…ndalimet dhe kufizimet e mundshme…”. Në asnjë rresht të ligjit as nënkuptohet dhe as shprehet shprehimisht nocioni ” leje“.

Kjo bën që edhe nocioni tjetër, ai i ” i tubimit të paligjshëm ” duhet parë me kujdes pasi edhe ky nocion zhvlerësohet. Nocioni “tubim” si e drejte universale ka brenda tij edhe “ligjshmërinë”. Në rast se mungon ligjshmëria ai është “grumbullim njerërzish të dhunshëm”  dhe nuk futet në të drejtat e njeriut.

Gjithmonë sipas njoftimit të Ministrisë së Brëndshme, objekti i ndjekjes penale për dy organizatorët duket se do të jetë mosrespektimi i afatit kohor të manifestimit. Kjo është një çështje për të cilën nuk mund të flasim pasi i takon prokurorisë të vendosë për të, por sipas ligjit mosrespektimi i orarit nuk futet në rastet e përgjegjësisë penale.

Nuk mund të rrihet pa u vënë në dukje fakti se gabime të tilla , në mënyrë të natyrshme, çojnë në mosfillimin e çështjeve penale nga ana e Prokurorisë  e cila më pas bëhet objekt sulmesh nga ana e politikës.

Në zbatimin e ligjit nuk duhet demagogji. Duhen këllqe.

Please follow and like us: