Prapë tek “Krokodili” do përfundojnë
Protesta të tilla u bëfshin çdo ditë dhe urojmë që qeveria të reflektojë ndaj pakënaqësisë së qytetarëve. Një protestë të tillë mund ta bëjnë edhe sindikatat, edhe vetë qytetarët pa pasur nevojë t’i organizojë Berisha, Basha dhe Mediu. Por, më mirë kështu, meqenëse edhe zgjedhjet janë afër. Tani që protesta u fashit dhe në shesh ka mbetur vetëm një grup i vogël mbështetësish të PD-së dhe punëtorët që montojnë çadrën, mund të ngremë pyetjen: Po më tej? Përgjigjen e kanë të qartë organizatorët, që në kopjimin e idesë së protestës me çadra nga socialistët për zgjedhjet në 2010-n. Gjatë grevës së urisë që zhvillohej tek çadrat para zyrës së kryeministrit Berisha, ndërkombëtarët i thirrën palët dhe iu dhanë një darkë tek restorant “Krokodili” në Bruksel. As kutitë e votave nuk u hapën, as qeveria nuk ra.
Por, duke u kthyer tek protesta e sotme e PD-së, meritojnë të theksohen disa rrethana të tjera që e bëjnë të pamundur arritjen e objektivit të shpallur, rrëzimin e Ramës dhe krijimin e qeverisë teknike.
Domosdoshmëria
Në këtë moment nuk ka një emergjencë që të justifikojë qëllimin, ngritjen e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Zgjedhjet janë shpallur nga presidenti, ndërkohë që vendi ka një kod elektoral, të certifikuar nga OSBE-ODIHR. Kur kanë mbetur vetëm pak kohë nga hapja e fushatës elektorale nuk mund të kërkosh qeveri teknike. Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka marrë nga ndërkombëtarët ndonjë certifikatë si “vjedhës i votave”, përkundrazi, Berisha e ka bërë këtë dhe ka shkaktuar trazira në Shqipëri në 26 maj vitin 1996. Në atë kohë, PS u tërhoq nga zgjedhjet për shkak të manipulimeve.
Nuk ka krizë parlamentare
Një rrethanë tjetër e pamundur për qeverinë teknike që kërkon Berisha është mungesa e një krize parlamentare që do të çonte në mungesën e votëbesimit për kryeministrin. Edhe sikur, qeveria të mos i kishte 71 vota, Kushtetuta favorizon kryeministrin në fuqi. Berisha ka ndryshuar Kushtetutën bashkë me Ramën dhe kanë vendosur një nen që kushtëzon mbajtjen e votëbesimit dhe bën të vështirë rrëzimin e tij, pikërisht për të shmangur krizat.
Nuk ka mbështetje ndërkombëtare
Opozita nuk ka mbështetje ndërkombëtare në kërkesat e shtruara, si kufizimi i ndërkombëtarëve në mbikëqyrjen e Vetingut, apo futja e votimit dhe numërimit elektronik në këto zgjedhje. Si asnjëherë tjetër, Brukseli dhe SHBA kanë bërë deklarata të qarta për kërkesat e opozitës. Përgjigja e fundit ishte e Komisionerit Evropian, Hahn për rolin e ndërkombëtarëve në Vetting, pas ankesës së LSI-së. Ndërkaq, opozita nuk mundet të manipulojë opinionin ndërkombëtar me kërkesa për zgjedhjet, kur shqetësimin real e ka tek Vetingu.
Interesi publik
Pavarësisht parullave, kërkesa për një qeveri teknike është kundër interesit të përgjithshëm publik. Një qeveri e tillë nuk mund të kryejë reforma, se nuk ka mbështetje politike, ajo ka mandat të kufizuar. Praktikisht, me këtë kërkesë, opozita kërkon të paralizojë zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo është kundër interesit publik, i cili është parësor ndaj kërkesave politike të një partie, për më tepër të një grupi politikanësh që janë objekt i Vetingut dhe i hetimeve që do të kryejnë organet e reja të drejtësisë.
Tradita
Tradita e qeverive teknike është pështirë kur e kujtojmë. Nga qeveritë teknike kanë ardhur vetëm trazira, vrasje, korrupsion në rritje, skandale. Që nga qeveria e “Stabilitetit” deri tek ajo e “Pajtimit”, bëmat janë të njohura. Qeveri të tilla janë të papërgjegjshme edhe për faktin sepse nuk burojnë nga zgjedhjet, nuk përfaqësojnë vullnetin e shprehur të popullit. Por, pse e bën këtë kërkesë opozita? Vetëm nën tension mund të pezullojë reformën në drejtësi dhe të dobësojë fuqinë e Edi Ramës, deri në zgjedhjet e reja. Çfarëdo qoftë zgjidhja që do të vijë më vonë, nuk sjell asgjë për njerëzit e thjeshtë, ata që mbushin sheshet. Kjo protestë është vetëm blerje kohe nga ata që merren me politikë në krye të PD-së.