Arkeologu Moikom Zeqo dha një shembull tronditës për të treguar se të gjitha përpjekjet e ndërmarra prej tij janë shkatërruar apo kanë humbur.

Kështu, siç shpjegon arkeologu tek ish-Shtëpia e Pionierit, që ka qenë dhe pallati i Princ Vidit, gjatë një prishjeje të pakuptimtë të kësaj ndërtese, e cila duhej ruajtur me doemos, u zbulua papritur Golden Gate (Porta e Artë) e rrugës Egnatia. Kjo ishte porta e trefishtë, ku fillonte rruga Egnatia nga Durrësi në Konstandinopojë. Porta në qendër, qe e madhe për të kaluar karrocat dhe kalorësit, dy porta anash më të vogla për të kaluar këmbësorët.

Ky zbulim qe i një rëndësie botërore, ky qe një zbulim unikal, që do ta shënjonte Durrësin si stacionin primar të rrugës ndërkontinentale të globalizmit romak të quajtur Egnatia, deri në Konstandinopojë.

Por ç’ndodh? Porta e Artë ose Golden Gate, aktualisht ndodhet poshtë një pallati të ndërtuar pranë sheshit të Torrës Veneciane dhe kryebashkiaku i Durrësit jeton në të. Dako banon në katin e pestë të pallatit, ose thënë ndryshe jeton mbi një ndërtim kriminal. Dhe sikur mos mjaftonte kjo, muri i portës përdoret nga një lokal për zbukurim, pra muri antik është futur brenda lokalit dhe kryebashkiaku jeton sipër këtij llahtari shkatërrues të historisë e kulturës. Nga ekspertë të fushës që kanë asistuar në gërmimet e Torrës Veneciane vërtetohet se muri që ndodhet poshtë pallatit të Dakos është pjesë e një vepre të tërë që lidhet me Torrën dhe rrënojat që janë zbuluar këto ditë , rrënoja të cilat nëse do ishin zbuluar në totalin e tyre dhe s’do ishin mbuluar me zhavorr nga kryebashkiaku, do ishin një ansambël total i një zbulimi me impakt jo vetëm për Shqipërinë.

Dako e justifikon me faktin që pallati është ndërtuar prej kohësh dhe jo kur ai erdhi në pushtet, por kjo nuk e justifikon kurrsesi faktin që ai fle i qetë çdo natë duke shkelur mbi trashëgiminë kulturore. Kjo na bën të mendojmë se ndoshta  Dako nuk ka vetëm hallin e projektit të Velierës, por edhe të shtëpisë së tij, sepse sipas një logjike të thjeshtë, i bie që të prishet edhe pallati që jeton kryebashkiaku.

Muri antik që përdor lokali për zbukurim.

/newsbomb.al/