Dagmar ENGEL: Politika e jashtme evropiane pa Trumpin
Shqetësimet për politikën e Donald Trumpit dhe tema të tjera ishin në rend të ditës në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ka ardhur koha e vendimeve
Asnjëherë më parë nuk ka pasur një interes kaq të madh për Konferencën e Sigurisë në Mynih, sa këtë vit. Në prag të paraqitjes së zëvendëspresidentit amerikan është shpresuar një qartësim i pozicioneve amerikane për politikën e jashtme të presidentit Trump. Por pritjet ishin tepër të mëdha. Për analistët e raporteve transatlantike, të cilët mblidhen çdo vit në Mynih, ka pasur një lloj qetësimi për raportet amerikane ndaj NATO-s, sepse presidenti Trump ka sinjalizuar përmes zëvendësit të tij se qëndron mbrapa obligimeve të aleancës.
Por pas kësaj fjalie nuk pati asgjë substanciale. Që SHBA duan të rrisin fuqishëm buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe se kjo pritet edhe nga partnerët, që refuzohet një marrëveshje atomike me Iranin dhe që nga Rusia pritet të respektohet marrëveshja e Minskut në konfliktin ukrainas – këto të gjitha janë ditur edhe para paraqitjes së zëvendëspresidentit ameirkan në Mynih. Më shumë nuk kanë folur as ministri i Mbrojtjes dhe i Jashtëm James Mattis dhe Rex Tillerson, gjatë qëndrimit të tyre këtë javë në Gjermani. Zyrtarisht thuhet se ata fillimisht duan të dëgjojnë mendimet. Ndërsa jozyrtarisht është e qartë: Ata e dinë se cili është pozicioni i tyre, por nuk e dinë se si do të duket politika e jashtme e presidentit të tyre. Që do të thotë: ata nuk e dinë fare se kush do të vendosë.
Më së largu tani pas Konferencës së Mynihut duket e qartë: ka ardhur koha për vendime! Jo vetëm nga presidenti amerikan, por edhe për vendimet e evropianëve, se si duan të ndërtojnë raportet e ardhshme dhe çfarë duan të bëjnë. Duhet të përcaktohet, nëse SHBA-ja e shohin sigurinë tek fuqia ushtarake, apo duan të ndjekin rrugën evropiane. Nëse duan bashkëpunim në vend të ndarjeve, forcimin e strukturave ushtarake, përmirësimin e institucioneve në vend të shpalljes si të vjetruara të tyre, evitimin e konflikteve në vend të angazhimeve ushtarake.
Këto janë detyra urgjente të Bashkimit Evropian, ndonëse në këtë moment nuk ekziston ndonjë unitet i madh. Por këto janë detyra, zgjidhjen e të cilave e ka vet BE-ja në dorë. Investimet mund të shpaguhen, sepse krijohet një hapsirë e re veprimi dhe largohet ndjenja e mungesës së fuqisë. Por BE-ja me siguri që nuk do të marrë së shpejti nga vëllau i madh mbi vete çështjen e zgjidhjes së problemeve. Tani dhe as në një të ardhme të afërt.