Albspirit

Media/News/Publishing

Fatjona Maliqi, studentja e pianos që po ‘pushton’ skenat gjermane

Nga fidanishtja e qytetit të artistëve të skenës muzikore, nga Gjilani, një 20 vjeçare, po mahnitë skenat muzikore gjermane, posikur që kohë më parë mahniti skenat muzikore në Kosovë. Ajo është Fatjona Maliqi.

Agjencia gazetare INA (Iliria Neës Agency), bëri një intervistë të shkurtër me Fatjona Maliqin, ku ajo pa hezitim iu përgjigj pyetjeve dhe shpalosi rrugëtimin e saj drejt elitës muzikore botërore, edhe pse është studente e Akademinë e Muzikës në klasën e prof. Heribert Koch, i cili është president i Asociacionit Europian të profesorëve të pianos në Gjermani, (EPTA – Europian Piano Teachers Association) ne kuader te EPTA-s, në qytetin Münster të Vestfalisë, qytet me tradita të edukimit muzikor që nga viti 1919.

Tradita e dashurisë për muzikën nuk ka munguar dhe nuk mungon as te Fatjona Maliqi. Ajo është pjestare e një familje artistësh, prindërit e saj, Mirvete dhe  Maliq Maliqi. Prindërit e saj bënë çmos, mbase edhe të pamundërën për fëmijët e tyre, për të arritur në cakun e dëshiruar, përkundër kushteve të një familjeje kosovare. Në familje Fatjona ka edhe dy motra dhe një vëlla; motra Fatgzona (motra e saj binjake), që poashtu merret me art dhe ate artin pamor; motra tjetër Festa është violinist, ndërsa vëllau Urimi është kitarist dhe që të dy (vëlla e motër) janë të vlerësuar për paraqitjet e tyre në skenë. Me një fjalë, nga kjo familje artistësh, nga kjo fidanishte është edhe Fatjona.

Fatjona Maliqi, në CV-në e saj shënon se është e lindur në Gjilan, ku ka kryer shkollën fillore në shkollën “Rexhep Elmazi”, dhe ka vazhduar shkollën e mesme të muzikës në qytetin e saj në Gjilan, ndërsa studimet në Akademinë e muzikës i vazhdon në Münster të Vestfalisë në Gjermani .

INA: Kush dhe si vendose të bëheni pianiste? 

Fatjona Maliqi:  Që kur isha e vogël isha shumë e dhënë pas muzikës dhe vallëzimit dhe nga ky fakt prindërit vendosën të më dërgonin në shkollë të muzikës. Unë fillova të mirresha me muzikë që në moshën 6 vjeçare,  me profesor Isa Jakupi, dhe pas 5 vitesh pune së bashku,  vazhdova mësimet me profesor Visar Osmani gjatë 5 viteve të ardhshme. Gjatë këtyre viteve unë kam fituar shumë çmime absolute, çmime të para, çmime speciale etj.  Një nga  çmimet më të vlefshëm e konsideroj çmimin e fitueses së “Grand Prix -Pianisti i ri 2013”,  ku për fatin tim të mirë, në Jurinë profesionale, ishte edhe profesori Heribert Koch nga Gjermania,  i cili tani është  profesori im i klasës, që vazhdimisht më përkrahë e ndihmon për sukseset e mia. Më duhet  të theksoj unë isha një semestër në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë, në klasën e profesoreshës Lejla Pula.

INA: Çka ju motivoi, cili ishte motivi që u dashuruat në piano?

Fatjona Maliqi: Dashuria për muzikën është e papërshkruar dhe buron e vjen  nga zemra, mendja dhe shpirti. Motivimi vije nga dhuntia e Zotit, nga prindërit, nga familja, nga mësuesit, nga shoqëria etj.

INA: Tani studjon në Akademinë e Muzikës në  Münster të Vestfalisë në Gjermani. Si arrite të kualifikohesh në një konkurencë të madhe në Gjermani?

Fatjona Maliqi:  Me punë e përkushtim  arrihet gjithçka. Jam pregatitur, kam ushtruar dhe punuar shumë që kurë isha e vogël. Kam perfomuar në koncerte dhe gara të ndryshme dhe kjo më ka ndihmuar që të kem kurajon për të konkuruar dhe për nivelin e duhur për të kaluar me sukses provimin kualifikues dhe për tu pranuar në Akademinë e Muzikës në qytetin metradita muzikore-Münster të Vestfalisë në Gjermani. Të jem e sinqertë dhe të  them të drejtën kjo ka qënë ëndra ime;  jam lutur dhe kam punuar shumë për këtë. Dikurë mendoja ndoshta s’do mundem të studjoj jashtë për arsye financiare,  po nëse diçka don me zemër ZOTI të ndihmon dhe ta bën të mundshme. Për këtë jam mirënjohëse të gjithëve e në rend të parë Zotit.

INA: Tani përfundimisht je studente e Akademisë së Muzikës, studente e  pianos në klasën e prof.Heribert Koch?

Fatjona Maliqi: Po,  falë  Zotit tani jam studente e prof. Heribert Koch!

INA: Cilat vepra interpretive (luajte) në provimin kualifikues-pranues?

Fatjona Maliqi:  Në provimin kualifikues-pranues kam luajtur vepra nga klasikët: Johan Sebastian Bach, Ludwig van Beethoven, Frederic Chopin dhe Sergei Vasiljeviç Rachmaninoff , që janë klasikët e lindur në periudha të ndryshme, duke filluar nga Bachu (1750) e deri te Rachmaninoff (1873)

INA: Keni marrë pjesë në shumë koncerte. Cilët koncerte do ti kishit veçuar?

Fatjona Maliqi:  Kam perfomuar në shumë koncerte, duke filluar nga koncertet me orkestra të ndryshme, koncerte solistike, mësuese që nga mosha 13 vjeçare dhe shumë e rëndesishme është të theksoj se kam bërë prezantime duke luajtur në piano si dhe duke shpjeguar për profesorët  në Çeki(në Pragë),  si dhe për profesorët në Fakultetin e muzikes në Keln të Gjermanisë  (Köln- njëri ndër fakultetet më të mira dhe më me nam të muzikës në Gjermani),  së bashku me profesorin tim,  prof. Heribert Koch, presidentin e Asociacionit  Europian të profesorëve të pianos në Gjermani (EPTA Europian Piano Teachers Association),  në kuadër të EPTA-së.

Njëri ndër koncertet e rëndësishëm kohëve të fundit ishte Koncerti në nëntor të vitit të kaluar,  ku luajta Koncertin op.18 nr. 2 nga kompozitori Sergei Rachmaninoff për piano dhe orkestër,   nën drejtimin e dirigjentit,  Hans Josef Loevenich,  ku të gjithë të pranishmit në sallën e madhe të kishës “Anna” në Düren,  u ngritën në këmbë në shenjë nderimi dhe respekti, duke më duartrokitur, edhe pse për këtë koncert kisha bërë vetëm një provë së bashku me Orkestrin dhe konsideroj se ishte një ndjenjë e paharruar dhe e papërshkruar për këtë sukses. Poashtu, vlen ta përmendi edhe Koncertin e Vitit të Ri 2015 në Gjermani, me perfomansën, Koncert për piano dhe orkestër në a-moll, nga kompozitori Edvard Grieg,  nën drejtimin e dirigjentit Johanes Esser.  Poashtu, në vitin  2014 kishte dy koncerte me orkestër brënda një dite (për një ditë dy koncerte, gjë shume speciale), në mëngjes dhe në mbrëmje për afro 2.000 shikues,  ku luajta “Rhapsodie in Blu”, nga George Gershwin,  nën drejtimin e dirigjentit,  Harald Simon, si dhe kohën e dytë nga Koncerti për piano,  nga kompozitori Edvard Grieg, që poashtu është vlerësuar si sukses i jashtëzakonshëm.  Kam luajtur edhe me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2014,  si ftuese e konkursit, kam luajtur në piano “Simfoninë nr.3 për orkestër” të kompozitorit shqiptar Kreshnik Aliçkaj, nën drejtimin e dirigjentit shqiptar, Maestro Eno Koço, që është i angazhuar në Filharmoninë Mbretërore në Londër.  Kam  luajtur edhe me orkestrin  e të rinjëve të Kosovës,  me dirigjent Kushtrim Gashi.  Ndërsa në vitin 2015 isha e ftuar të luaj koncert Solo në Kroaci edhe ishte nj koncert shumë i rëndesishëm dhe jam pritur mirë. Kam kënaqësinë dhe luaj në çdo koncert klase dhe çdo herë me program të ri. Koncerti i fundit për këtë semestër ishte më 7 shkurt,  që ishte koncerti i muzikës kamertale (muzikë dhome), në të cilin luajta në piano një “Partita”  nga J.S.Bach, në një piano shume speciale e vitit 1836, që për mua ishte një botë tërësisht tjetër…Ishte një përvojë e paharrueshme.

Në Münster është koleksioni i pianove speciale që nga koha e Wolfgang Amadeus Mozart-it (1756-1791) dhe është një koleksion që në asnjë vend tjetër të Europeë nuk ka. Unë isha shumë e previligjuar që pata nderin të luaja në ato piano.

INA: Nga pjesëmarrja juaj në koncerte dhe gara, jeni nderuar me shumë çmime. Cilat çmime do t’i veçonit?

Fatjona Maliqi: Më ka përcjellur edhe fati dhe kam qenë fituese e shumë çmimeve absolute, çmimeve të para dhe atyre special si p.sh çmimi “Grand Prix- Pianisti i ri 2013”, “Duo Grand Prix – Kosovo the Young Europian” në finalen e garave ndërkombëtare “Ars Kosova 2010”, çmimin “Talent Muzikor”, çmimi “Virtuoziteti”,  “Suna Sait”, “100 vjet Pavaresi” të cilin e mora për veprën “Tokata” të kompozitorit të mirenjohur shiptar,  Feim Ibrahimi (1935-1997). etj. Në Gjermani kam mbajtur shumë solo koncerte  dhe  si soliste me orkestër.  Në Kosovë pres që të më bëhet ftesa ndoshta në të ardhmen. Koncertet i adhuroj dhe mezi pres të luaj diku.

INA: Cilët nga kompozitorët (klasikët) më shumë i preferoni, duke pasë parasysh se janë shumë të tillë?

Fatjona Maliqi:  Shumë kompozotor më pëlqejnë dhe i adhuroj, prandaj edhe e kam vështirë  t’i ndaj, por po përmendi disa si p.sh Bach, Bethoven, Rachmaninoff, Shopen Scriabin etj.

INA: Po dirigjentët, cilët do t’i veçonit?

Fatjona Maliqi: Të them të drejtën, nga përvoja ime, dirigjentët nuk mund t’i veçoj sepse secili prej tyre ka vlerat e veta si dhe mënyrën personale të ndjenjës së muzikës dhe të drejtuarit të orkestrit. Mbase pas një eksperience – përvoje më të gjatë, do të mundem të bëj edhe vlerësimin e tyre, tani për tani do të mjaftohem me kaq.

INA: Me siguri njihni shumë pianist, e ndër ta edhe pianist e pianist shqiptar, cili është vlerësimi juaj?

Fatjona Maliqi: Pëlqej pianist të ndryshëm që janë mbase edhe  inspirim për mua si p.sh Gleen Gould, Tatiana Nikolayeva, Martha Argerich, Horrowitz etj.

INA: Pas përfundimit të studimeve, ku do të vazhdoni studimet pasuniversitare, specializimet dhe përsosjet e teknikave të pianos?

Fatjona Maliqi: Besoj se edhe specializimet do t’i vazhdoj në Gjermani, sepse Gjermania ofron mjaft mundësi të ngritjes dhe përsosjes në fushën e muzikës e sidomos të pianos.

INA: Kur mund të pritet një koncert solistik nga Fatjona Maliqi?

Fatjona Maliqi: Shpresoj se së shpejti, …jam në pritje të ftesës nga Kosova ime.

INA: Po festivalet muzikore…?

Fatjona Maliqi:  I preferoj festivalet klasike.

INA: Mesazhi juaj për rininë shqiptare?

Fatjona Maliqi:  Mesazhi im për rininë është që mos ta braktisin vendlindjen, t’i rreken, librit,  punës, t’i shmangen maksimalisht dukurive devijante, t’i shmangen alkoolit, duhanit, e sidomos narkotikëve dhe kohën e lirë të shfrytëzojnë në mënyrë më të mençur.

INA: Urojmë të gëzoni shëndet dhe sukses në karierë, duke ju faleminderuar për kohën që ndatë pë këtë intervistë.

Fatjona Maliqi: Para se t’u faleminderoj për uratat, më lejoni që në vend se ne fillim, ta bëj ate në fund: Të shprehë faleminderimet e mia për Agjencinë gazetare INA, që përcjell sukseset e shqiptarëve kudo qofshin ata, në hapsirë gjeografike shqiptare ose në diasporë, në të gjitha fushat e jetës.

Please follow and like us: