Heshtja nuk tregon urtësi në këtë rast
Nuk ke për çfarë të flasësh më parë, në këto kohë të vështira. Shqetësim ka krijuar grabitja e bankave për të disatën herë, nga ana tjetër vetingu dhe përplasja Llalla-Lu kanë krijuar tensione të vazhdueshme në politikë. Në Parlament vazhdojnë si serial i radhës zënkat, dhe dje kishim protestën e 18 shkurtit të organizuar nga opozita. Ikën dhe 8 thasë me para, jo pak por, 3.2 milionë dollarë citojnë mediat. Të dhënat janë kontradiktore si gjithmonë në media, disa thonë ishin 7 thasë, të tjerat 10, e disa të tjera 8. Fakti që përforcohet gjithmonë e më shumë në këtë vend dhe rast, është kriza e sigurisë. Në javën që lamë pas, emisioni “Opinion” në televizionin “Klan”, shtroi si temë diskutimi këtë problematikë të përsëritur që është vërtetë shumë serioze, ku Fevziu i qau hallin policëve privatë që marrin një rrogë prej 18 000 mijë lekësh në muaj, dhe mirë bëri. Çfarë janë 180 mijë lekë në ditët e sotme, ku ritmi i jetës aq më tepër në kryeqytet është shumë larg kësaj rroge dhe çmimet krahasuar me vendet e tjera, janë të larta. Por gazetari që punon prej disa vitesh në median e shkruar dhe elektronike, nuk ia ka qarë ndonjëherë hallin kolegëve gazetarë që keqpaguhen, paguhen me vonesë, apo nuk paguhen fare, apo nuk i hyn gjemb në këmbë, ndërkohë këmbët e kolegëve janë mbushur plot, e në rastin më të parë nxjerrin në shesh problematikën. Pothuajse rrallë herë është shtruar kjo temë për diskutim dhe më të guximshmit kanë guxuar të flasin.
Disa ditë më parë, Deutsche Welle publikoi një artikull për gazetarët shqiptarë që u pasqyrua edhe në mediat tona me titull: “Gazetarët e Shqipërisë të pambrojtur”, ku trajtohej problemi i vonesave të pagave, kontratat individuale apo moskontratat fare, puna në të zezë dhe drobitjen e gazetarëve shqiptarë në kushte pasigurie për punën dhe ekzistencën e tyre. Ndërkohë që gazetarët ngrenë zërin me forcë për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, duke vrapuar nga një skaj i vendit në tjetrin në çdo kohë, nuk kanë zë për të drejtat e tyre. Kur puna shkon aty, mbizotëron heshtje, por heshtja në këtë rast nuk është maturi, por nënshtrim. E kur çdo gazetar pajtohet me këtë nënshtrim, me frikën e humbjes së vendit të punës, ai ka pranuar të gjitha presionet e tjera që vijnë si rrjedhojë e së parës. Ndërkohë që flet gjithë ditën për të drejtën e vërtetën, ai, gazetari, fsheh të vërtetën e tij, dhe të drejtën e tij e ka lënë të fundit për nga radha. Mirëpo, askush nuk guxon të flasë e të mbrojë gazetarin, as ai vet, vetveten, e të kthejë faqen e historisë njëherë e përgjithmonë. Të paktët që guxojnë harrohen shpejtë dhe humbasin mes problematikave të përditshme.
Në këtë rast me të drejtë lind pyetja: Pse duhet të flasë Deutsche Welle për gazetarët shqiptarë të katandisur e të pambrojtur, ku vet të zotët e punës vegjetojnë duke pranuar realitetin që nuk dihet për sa kohë do të jetë i tillë? E ku protestat s’ekzistojnë e as që merren me mend përveç një proteste të gazetarëve të televizionit A1News, një televizion në vitin e parë të tij? Askush nuk duhet të ketë frikë nga e drejta, nëse e meriton duhet ta gëzosh! Por nëse je gazetar këtu në Shqipëri ke frikë nga e drejta jote, kështu ka ndodhur këto 27 vite, të pas ’90-tës. Heshtja ka qenë e para dhe e drejta ka shkuar pas saj po në heshtje. Nëse rikujtojmë, një raport të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, 3 maj 2015 , (Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias), shifrat janë tronditëse përsa i përket realitetit. Një realitet i maskuar që sa herë heq maskën të lë pa fjalë, nga ku ndër të tjera në raport thuhet: “Në 23 gazeta të përditshme të vendit, vetëm në 4 prej tyre respektohet dhënia e pagave korrekte në kohë; në 72 televizionet e vendit, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare të punonjësve; nga 71 radiot, vetëm në 8 paguhen rrogat në mënyrë korrekte dhe nga 250 webe dhe gazeta online të çelura pas periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre rezulton një sistem modest pagash. Pra, në 85 % të mediave të vendit, gazetarët ose nuk janë paguar në kohë, ose nuk janë paguar fare. Pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë, që atëherë gjërat nuk kanë ndryshuar. Shkrimi i Deutsche Welle përforcon edhe njëherë faktin se gjerat nuk kanë ndryshuar. Këto të dhëna nuk përbëjnë lajm për qarqet gazetareske pasi dihen prej kohësh, por askush nuk merr guximin për të ndryshuar gjendjen, ku puna të funksionojë në bazë të rregullave dhe të çmohet me seriozitetin e shpërblimit të merituar. Nëse tregu mediatik është në krizë, nisur nga situata që flet vet sot, atëherë pse nuk duhet ta pranojmë, ku gazetari i paguar keq, apo i papaguar është më gjynahqarë se ata policët që janë paguar keq dhe janë të pamotivuar për ta bërë punën mirë. Pasi nuk rrinë bashkë arti i të shkruarit me këpucët e grisura, por këto të fundit mund të shërbejnë për art. Madje janë tregues që intelektualit të sotëm po “i griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur.
Nga Majlinda BUSHJA