Albspirit

Media/News/Publishing

Jul Deda-Edi Ramës: Protesta e PD, asnjë lidhje me “21 janarin” tënd

Aktori Julian Deda, i njohur për bindjet e tij të djathta, ka reaguar ndaj komunikimit të përjavshëm të bërë ditën e djeshme nga kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.

Deda ka thënë se Rama nuk mund të bëjë krahasim të protestës së PD-së tani me 21 janarin tragjik, pasi sipas aktorit ato nuk kanë pikën e lidhjes me njëra-tjetrën.

Statusi i plotë i Julian Dedës

Dëgjova me vëmendje komunikimin e përjavshëm të kryeministrit në Facebook. Më bëri përshtypje momenti kur ai u shpreh për protestën e 18 shkurtit, duke e krahasuar me 21 janarin tragjik. Nuk është aspak e ndershme ta bësh ti këtë krahasim, sepse ti i pari e di mirë si drita e diellit se këto dy momente nuk kanë pikën e lidhjes me njëra-tjetrën. Krahasove protestuesit. Ndërkohë që ti e di mirë se protestuesit e tu para 6 vitesh ishin urdhëruar të merrnin me vete shishe me benzinë, ishin orientuar t’i vinin zjarrin dhe të hynin në kryeministri.

Shkulën çdo pllakë në bulevard për ta hedhur kundër policisë së shtetit. Kështu filloi apo jo? Mbaroi tragjikisht dhe më ka ardhur, më vjen dhe do më vijë keq gjithë jetën për ata njerëz të pafajshëm, që mbyllën sytë aty. Por ti z. kryeministër nuk mund të vazhdosh t’i përdorësh, por ajo që do bëje mirë përpara se të liroje çdo kriminel nga burgu, të përpiqeshe të zbardhje atë ngjarje. Por ti nuk do, se të pëlqen t’i përdorësh akoma.

Krahasove policinë. Prapë gabim. Ne e kemi parë të gjithë tashmë. Edhe më 21 janar, edhe më 18 shkurt, policia e shtetit ishte në detyrë dhe besoj se e ka bërë shumë mirë detyrën në të dy rastet. Pra, ty si shef i qeverisë nuk të takon të na gënjesh sy për sy. Tani hidhu një sy fotove. E shikon? Kush mendon se i ka futur policët në qoshe duke i goditur me gurë? Kush mendon se i ka djegur ato makina te piramida, policia?

Po atë policin e plagosur të ulur përtokë gati pa ndjenja kush e goditi me tullë kokës, policia apo njerëzit e tu? Kështu pra zotëri, lëri krahasimet. Këto dy tubime s’kanë asnjë lidhje, sepse nuk mund të ketë lidhje mes qytetarisë dhe dëshirës për të shkatërruar e djegur. Respekt për njerëzit që protestojnë paqësisht. Respekt për policinë e shtetit në të dyja rastet. P.s. Protesta vazhdon…………..”,- shkruan Deda.

 

Please follow and like us: