Albspirit

Media/News/Publishing

Juncker: SHBA kanë nevojë për një Europë të bashkuar

 

Takimin me zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e parapriu me një deklaratë-mesazh, e cila përcolli atë që në fakt do të jetë qëndrimi i tij përballë numrit dy të Shtëpisë së Bardhë: Shteteve të Bashkuara i nevojitet një bllok europian i fortë dhe i bashkuar.

Një marrëdhënie e shëndoshë e Uashingtonit me Brukselin është për Junckerin faktor kyç në stabilitetin e botës.

“Stabiliteti global mbështetet fort në mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Unë ndaj bindjen se Amerikës i duhet një bashkim sa më i fuqishëm europian”, tha Jean-Claude Juncker, president i KE-së.

Komentet e zyrtarit të lartë europian ishin një referim i qartë ndaj mbështetjes që Donald Trump i ka dhënë vendimit të Britanisë së Madhe për shkëputje nga BE-ja. Pence e kaloi fundjavën në Gjermani, duke u përpjekur t’i siguronte europianët se Trump mbetet i angazhuar ndaj paktit të mbrojtjes së NATO-s, por jo të gjithë u bindën nga argumentet e tij.

Kjo çështje do të përbëjë edhe një temat kryesore të takimit me Junckerin.

“Do të prekim çdo subjekt të interesit të përbashkët, që ndonjëherë mund të krijojë edhe përshtypjen se krijon divergjenca. Nuk mendoj se ka ardhur momenti për ta përçarë Amerikën dhe Bashkimin Europian. Jemi partnerë të fortë prej shumë dekadash tashmë”, tha Juncker.

Pence është pjesëtari më i lartë i ekipit të Trumpit që udhëton drejt Europës. Rrugëtimi i tij vjen në mesin e një pështjellimi të madh në Shtëpinë e Bardhë, si dhe pasigurisë që ka zënë rrënjë në Europë lidhur me politikën e jashtme të presidentit të ri amerikan.

Please follow and like us: