Albspirit

Media/News/Publishing

Mattis: Amerika nuk është në Irak për naftën

Ushtria amerikane nuk është në Irak për të rrëmbyer naftë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, e bëri këtë koment para një vizite të paparalajmëruar në Bagdad të hënën, duke u distancuar kështu nga komentet e presidentit Donald Trump.

Mattis, i cili u nis nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe viziton Irakun për të parën herë në cilësinë e shefit të Pentagonit, shpreson të marrë një vlerësim të parë të situatës atje, ndërsa forcat irakiane të mbështetura nga SHBA kanë nisur një ofensivë të re për të dëbuar militantët e Shtetit Islamik nga bastioni i fundit që u ka mbetur në qytetin e Mosulit.

Sidoqoftë, ai ka gjasa të përballet me shumë pyetje të sikletshme në lidhje me komentet dhe veprimet e Trump, përfshirë edhe një ndalim të përkohëshëm të udhëtimit të irakianëve në SHBA dhe se tha që Amerika duhej të kishte marrë naftën e Irakut pas rrëzimit të Sadam Hyseinit në vitin 2003.

Në një fjalim në janar, Trump i tha CIA-s: “Ne duhet të kishim mbajtur naftën. Por, ok, ndoshta do të kemi një shans tjetër”. I pyetur nëse një kërcënim për të marrë naftën e Irakut ishte në axhendën e vizitës së tij, Mattis e hodhi poshtë kategorikisht një mundësi të tillë.

“Unë mendoj se të gjithë ne që jemi këtu, të gjithë në Amerikë, zakonisht paguajnë për gazin dhe naftën dhe jam i sigurt së kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Ne nuk jemi në Irak për të marrë naftën e askujt”, i tha Mattis grupit të gazetarëve që udhëtonin me të.

Komentet e Mattis janë vetëm shembulli i fundit i dallimeve të tij politike me Trump. Ky i fundit ka pranuar se Mattis nuk është dakord me të për një seri çështjesh si torturat apo taktikat e ashpra të marrjes në pyetje, por në një shenjë të ndikimit të Mattis, ai tha se do t’ia linte këtë çështje në dorë Sekretarit të tij të Mbrojtjes.

Please follow and like us: