Sonila Meço: Pse shkova në çadrën e protestës?
Qëkurse vendosa të përkushtohem profesionalisht për një periudhë kohe larg medias jam përpjekur të ruaj një raport të sinqertë me të. Sepse nga brenda ka aq shumë informacion, interesa, ndikime, presione, xhelozi, armiqësi e ego sa mbajtja e ekuilibrit mes asaj që beson, asaj që të kërkohet të bësh e çfarë do të duhet të bësh për të përballuar jetesën të shpërpjeston raportin me atë që është më së pari profesioni yt.
Ndaj e konsiderova të shëndetshme profesionalisht këtë periudhë të pazgjedhur meje. Mbyllja e Agon Channel qe padiskutim ngjarja më e rëndë për çdo gazetar që iu përkushtua me ritme të çmendura një formule të papreçedentë prodhimi mediatik, për çdo punonjës që mundi për herë të parë të ketë një kontratë pune, pagë në ‘të bardhë’, siguracione e taksa të shlyera rregullisht dhe kushte cilësore. Por kjo mbyllje qe edhe aq arbitrare, e padrejtë, në shkelje të të drejtave themelore e me një tension të lartë prej pohimeve të nr.1 të qeverisë si të një prokurori a gjykatësi suprem. Ndërsa gjykatat ndërkombëtare provuan në ecuri shkeljet në ndërprerjen e transmetimeve të një televizioni, kuptova se ç’do të thotë arroganca e pushtetit mbi një media, që për mua qe vendi im i punës, çfarë më jep dinjitet e motiv, të ardhura e sukses.
A nuk përpiqemi të gjithë për këto?
Andaj vendosa të kuptoj e të ndjek me shumë interes të gjitha zhvillimet, duke i qëndruar larg medias. Larg angazhimeve publike. Çfarë ndodhi me Agonin, nuk mbeti veç me të! Arroganca e pushtetit u shfaq në dhjetra forma, investitorët e huaj nisën të largohen, disa u përzunë. Gazetarë të tjerë u larguan, programe u mbyllën. Vendime arbitrare u morën edhe për prokurime publike, rilindjen e qyteteve dhe koncensione. Media u tkurr si asnjëherë në një qoshkë vënë pas muri ca nga paaftësia e saj për të funksionuar larg tenderave publikë e pushtetit e ca nga lezeti i censurës që disa e kanë limfë.
Dhe për këtë e të tjera, për qorrsokakun ekonomik ku kemi përfunduar, me një klasë politike të kapur e shtrënguar si në morsë, ndjehem në opozitë me ata që marrin vendimet për këtë vend. Duke e nisur nga lëkura ime këtë proces e duke e pasuruar perimetrin me çfarë shoh, dëgjoj, verifikoj e arsyetoj.
Andaj edhe kur kalova me kolegë të mi të Agonit, sot në çadrën e opozitës nuk hyra as për të legjitimuar një logo partiake e aq me pak lider të caktuar.
Kam shkuar me dëshirën time të ndjek takimin e parë të Librës, ndjek Ne Shqipëria dhe çdo prurje të re në sferën e ngulfatur politike për të dalluar atë modelin e ri që i jep fund kësaj shpërfilljeje arrogante që çdo pushtet e bën me lehtësinë e papërballueshme të rotacionit.
Ndaj sot hyra e mu dha fjala në një takim ku gjeta plot kolegë gazetarë, intelektualë e njerëz të thjeshtë që nuk i pyeta me kë jeni. Dhe as nuk ma ndjen, siç vetë mbetem e do të mbetem larg partive, por pranë ideve e modeleve që zhbëjnë këtë shtetin tonë të së padrejtës.
Unë nuk i besoj dot zgjedhjeve në Shqipëri:
Nga zgjedhjet doli parlamenti më i inkriminuar.
Nga zgjedhjet doli pushteti që blen e në mos mbyll mediat.
Nga zgjedhjet doli pushteti i miliarda dëmeve sipas KLSH-së.
Nga zgjedhjet pritëm shëndetësinë falas, arsimimin më cilësor, mirëqënie.
Nga zgjedhjet besuam fundin për mbjelljen e hashashit.
Nga zgjedhjet pra kërkuam jetën më të mirë për të mos u shpërndarë me mijra në valën e re të emigracionit e azilit.
Në zgjedhjet e pak muajve më parë u faktua blerja pa teklif e votës.
Dhe nëse gjykimin e nis brenda katër mureve të shtëpisë, duke parë në sy veten, partnerin, të shtrenjtët e tek e mbramja kupton se jeton më mirë se më parë e se shpresa për më mirë të vë butë në gjumë, atëherë nuk ke pse shqetësohesh as t’i afrohesh bulevardit e jo më të hysh në çadër. Ama nëse jeta jote nuk të shpërblen me gjithë mundimin, lodhjen, sakrificën, ndershmërinë e përkushtimin dhe ankthi e pasiguria të marrin edhe atë pak gjumë që i mbijeton mërzise atëherë protesta është zgjidhja.
Si një proces që të ndihmon të ndihesh gjallë e të ndikosh sa e si mundesh, duke u imponuar nëse të shpërfillin, duke u angazhuar nëse të përjashtojnë.
Ndaj unë sot nuk isha as për lider e as për logo, as për rotacione fasadë (kaq shumë në modë fasada në këtë vend xhanëm) e as për ‘hallin tim’. Imja qe për ata që si unë e ndjejnë se vota është alibi aty ku demokracia vdes në numërim e se çfarë solli gjer më sot tranzicion në këtë vend nuk mund ta shpëtojë prej aty.
Nuk jam palë, por jam ‘unë’, si shumë ‘ti’ që askush nuk mund të na zëvendësojë lirinë e fjalës a të menduarit me klishenë ‘o me ne o me ata’. Jam me çfarë besoj, se me arrogancë, dhunë, arbitraritet e kapje, pushteti na shndërron nga njerëz në statistikë.
E në statistikë vritet çdo argument e fiton çdo alibi. nuk të shpërblen me gjithë mundimin, lodhjen, sakrificën, ndershmërinë e përkushtimin dhe ankthi e pasiguria të marrin edhe atë pak gjumë që i mbijeton mërzise atëherë protesta është zgjidhja.
Si një proces që të ndihmon të ndihesh gjallë e të ndikosh sa e si mundesh, duke u imponuar nëse të shpërfillin, duke u angazhuar nëse të përjashtojnë.
Ndaj unë sot nuk isha as për lider e as për logo, as për rotacione fasadë (kaq shumë në modë fasada në këtë vend) e as për ‘hallin tim’. Imja qe për ata që si unë e ndjejnë se vota është alibi aty ku demokracia vdes në numërim e se çfarë solli gjer më sot tranzicion në këtë vend nuk mund ta shpëtojë prej aty.
Nuk jam palë, por jam ‘unë’, si shumë ‘ti’ që askush nuk mund të na zëvendësojë lirinë e fjalës a të menduarit me klishenë ‘o me ne o me ata’. Jam me cfarë besoj, se me arrogancë, dhunë, arbitraritet e kapje, pushteti na shndërron nga njerëz në statistikë.
E në statistikë vritet çdo argument e fiton çdo alibi.